Astrit Avdylaj, Enea Kume dhe Aleksandër Laho (Rrumi i Shijakut)

Kronikë

SPAK operacion për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit, 9 masa sigurie! 3 në pranga, mes tyre vëllai i ‘Rrumit të Shijakut’ dhe i deputetit të PS-së

2 Tetor, 09:16| Përditesimi: 2 Tetor, 10:48

  • Share

DURRËS- Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka një aksion në qytetin e Durrësit për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit. Burime për Report Tv bëjnë me dije se janë lëshuar 9 masa sigurie, 3 prej të cilave janë ekzekutuar.

Të njëjtat burime i thanë Report Tv se në pranga ka rënë Enea Kume, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste Loer Kume. Ai është arrestuar mbrëmjen e djeshme, 1 tetor, në qytetin e Durrësit. Po ashtu, është dhe Vullnet Muça, i cili është vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe si ‘Rrumi i Shijakut’. Në shtëpinë e këtij të fundit po ashtu u zhvilluan kontrolle, por nuk është gjetur në banesë. Gjithashtu i arrestuar është dhe Vlashi Draçi i dyshuar pjesë e skemës kriminale të tjetërsimit të pronave.

Kush është "Rrumi i Shijakut"?

Rrumi i Shijakut është një personazh i njohur i botës së krimit, por jo vetëm. Ai rezulton ende në kërkim nga autoritetet shqiptare, ndërsa më 23 korrik Apeli i GJKKO e dënoi përfundimisht me 3 vite burg lidhur me tjetërsimin e 45 mijë m2 tokë te Gjiri i Lalzit, fajtor për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Dënimi për Lahon ka zbritur në dy vite për shkak të gjykimit të shkurtuar lidhur me tjetërsimin e 45 mijë m2 tokë te Gjiri i Lalzit. Laho akuzohet se i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, 600 mijë lekë dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit. 

Ai rezulton i shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit si i dyshuar në pengmarrjen e 2 vëllezërve Beqiraj të cilët dyshohet se janë përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale.

Në pranga
1-Vullnet Muça (vëllai i Rrumit, Aleksandr Lahos)
2-Enea Kume, ( vëllai i deputetit Loer Kume )
3-Vlash Draçi
Masa sigurie edhe për:
4-Aleksandër Lahon (në kërkim)
5- Astrit Avdylaj (në burg)
6- Aldo Avdylaj (në kërkim)

*Raportojnë për Report Tv dhe Shqiptarja.com gazetarët, Keti Banushi, Sokol Dema dhe Aldo Mustafa

Lajmi në përditësim...

Ora 10:37
Operacioni i SPAK për tjetërsimin e pronave te Gjiri i Lalzit, masë sigurie edhe për Rrumin e Shijakut dhe Astrit Avdylajn, kreu i bandës së Shijakut (EMRAT)

1759394596_astritavdylirrumiishijakutaleksanderlaho.jpg

Astrit Avdyli dhe Rrumi i Shijakut

Report Tv ka siguruar emrat e 6 personave ndaj të cilëve është lëshuar masë sigurie pas operacionit të SPAK për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit. Masë sigurie është lëshuar edhe për Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si Rrumi i Shijakut, i cili është në kërkim edhe për ngjarje të tjera nga SPAK. Masë sigurie është lëshuar edhe për Astrit Avdylajn, kreu i bandës së Shijakut. Ai aktualisht ndodhet në burg, i arrestuar për operacionin “Revanshi”.

Në pranga
1-Vullnet Muça (vëllai i Rrumit, Aleksandr Lahos)
2-Enea Kume, ( vëllai i deputetit Loer Kume )
3-Vlash Draçi
Masa sigurie edhe për:
4-Aleksandër Lahon (në kërkim)
5- Astrit Avdylaj (në burg)
6- Aldo Avdylaj (në kërkim)
Ora 10:31
I akuzuar për tjetërsim pronash në Gjirin e Lalzit, del FOTO e Enea Kumes, vëllai i deputetit të PS-së

1759393722_eneakume.jpg

Enea Kume

Report Tv ka siguruar foton e Enea Kumes, vëllai i deputetit socialist Loer Kume, i arrestuar mbrëmjen e djeshme me urdhër të SPAK.

Enea Kume akuzohet për tjetërsim të pronave në zonën e Gjirit të Lalzit.

Nga ky operacion i SPAK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, janë lëshuar në total 9 masa sigurie, 3 prej të cilave janë ekzekutuar.

Ora 10:13
I vëllai në pranga me urdhër të SPAK, deputeti i PS: Secili mban përgjegjësi për jetën e vet

Deputeti i Partisë Socialiste Loer Kume ka qenë sot live në një intervistë televizive kur në media u bë publik lajmi për arrestimin e vëllait të tij, Enena Kume i akuzuar për tjetërsim pronash tek Gjiri i Lalzit.

Loer Kume ka bërë të ditur se i vëllai është arrestuar mbrëmjen e djeshme dhe se për sa kohë nuk ka një vendim fajësie, ai do të konsiderohet i pafajshëm.

Ndër të tjera, deputeti i PS-së tha se në fund secili mban vetë përgjegjësi për jetën e vet dhe vendimet që merr.

“U vura mbrëmë në dijeni, është arrestuar dhe është i dyshuar dhe për sa kohë nuk ka një vendim fajësie do ta konsideroj të pafajshëm deri në momentin që drejtësia të flasë. Por gjithkush është përgjegjës për jetën dhe vendimet që merr në jetën e tij, por të mos flasim para kohe”, u shpreh deputeti Loer Kume.

Ora 09:49
SPAK ‘zbarkon’ në Durrës, arrestohet vëllai i ‘Rrumit të Shijakut’! Disa ditë më parë përfundoi në polici pasi kërcënoi drejtorin e spitalit

SPAK dhe Policia e Shtetit kanë zhvilluar sot një aksion në qytetin e Durrësit ku janë lëshuar 9 masa sigurie. Deri më tani të arrestuar janë Enea Kume, vëllai i deputetit socialist Loer Kume si dhe vëllai i ‘Rrumit të Shijakut’ alias Aleksandër Laho, Vullnet Muça.

Vullnet Muça është shoqëruar në komisariat më datë 20 shtator pasi kërcënoi drejtorin e Spitalit të Durrësit, Renis Mullaj.

Muça kishte shkruar në zurën e drejtorit të spitalit për t’i kërkuar që t’i punësonte mbesën. Ky i fundit ka refuzuar dhe ka telefonuar policinë. Pas telefonatës policia ka shoqëruar Muçën dhe e ka akuzuar për kanosje për shkak të detyrës.

Ora 09:40
SPAK operacion për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit, kontrolle edhe të shtëpia e Rrumit të Shijakut

1759389755_rrumishijakut.jpg

Aleksandër Laho (Rrumi i Shijakut)

Me urdhër të SPAK po zhvillohet një operacion për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit. Burime për Report Tv bëjnë me dije se në kuadër të këtij operacioni janë ushtruar kontrolle edhe në shtëpinë e Aleksandër Lahos, i njohur si Rrumi i Shijakut. Ai nuk është gjetur në banesë, ndërsa autoritetet kanë pasur indicie se është kthyer nga Gjermania.

Kush është Aleksandër Laho?

Aleksandër Laho alias Pëllumbi Muharremi ose i njohur si 'Rrumi i Shijakut' është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai rezulton i shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit si i dyshuar në pengmarrjen e 2 vëllezërve Beqiraj të cilët dyshohet se janë përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale.

Ndërkohë, Aleksandër Lahon është dënuar dhe më 23 korrik nga Apeli i GJKKO-së me 3 vite burg lidhur me tjetërsimin e 45 mijë m2 tokë te Gjiri i Lalzit, fajtor për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Dënimi për Lahon ka zbritur në dy vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Laho akuzohet se i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, 600 mijë lekë dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit. 

Ora 09:33
Operacioni i SPAK në Durrës, në pranga vëllai i deputetit të Partisë Socialiste (EMRI)

1759390486_loerkume.jpg

Deputeti i PS-së Loer Kume

Nga operacioni i SPAK dhe i Policisë së Shtetit i zhvilluar mëngjesin e sotëm në Durrës, ka rënë në pranga dhe Enea Kume, i cili është vëllai i deputetit të Partisë Socialite Loer Kume.

Ky i fundit është betuar në Kuvendin e Shqipërisë si deputet më 18 shtator pas marrjes së mandatit në qytetin e Durrësit. Enea Kume akuzohet për tjetërsim pronash në zonën e Gjirit të Lalzit.

K.B/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si iu duket?