Në Gjykatën e Posaçme të Apelit vijon seanca gjyqësore në ngarkim të të pandehurve të dënuar për aferën inceneratorit të Elbasanit.
Ish ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka ankimuar vendimin e GJKKO-së që në tetor 2023 e dënoi me 5.8 vite burg vetëm për korrupsion. Edhe SPAK nga ana e tij ka ankimuar vendimin e GJKK-së duke kërkuar ndryshimin e vendimit të shkallës së parë, që shpalli të pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre” ish deputetin socialist Alqi Bllako dhe ish ministrin e mjedisit Lefter Koka. Pra kërkojnë dënimin edhe për këtë akuzë.
Në seancën e sotme në Apelin e GJKKO, ish ministri i Mjedisit Lefter Koka ka shpërthyer në sallën e gjyqit duke u shprehur se nuk është ai peshku i madh. Prokurorët e SPAK kërkojnë që Lefter Koka dhe Alqi Bllako të dënohen nga GJKKO.
Koka u bëri thirrje prokurorëve të hapin telefonin e Monika Kryemadhit duke lënë të kuptohet se aty do të gjejnë afera korruptive
'Jam i pafajshëm, ju po kërkoni të më dënoni mua si peshkun e madh, por nuk jam unë peshku i madh. E di i gjithë Durrësi që unë jam biznesmen dhe nuk kam pasur nevojë të më paguaj biletet e udhëtimit Mirel Mërtiri. Nuk më dënoni dot për korrupsion. Avokatët e tij thanë që biletat e rezervuara janë 3 vjet më vonë sesa lidhja e kontratës. Prokurorët pse nuk marrin si referencë kontratat e tjera për landfille si ai i Vlorës dhe Lezhës që janë më të shtrenjta.
E keni gabim dëgjova prokurorin sot, ky është fiks kallëzimi i bërë nga Monika Kryemadhi. Megjithëse ka kaluar një vit konkluzionet e prokurorëve janë të njëjta. Unë e kuptoj që institucioni do të marrë kredibilitet dhe kjo gjykatë do të jetë në presion, por besoj se do të jepni drejtësi dhe do të ngriheni në nivelin e duhur. Pse e ndatë dosjen apo që të më dënoni sa më shumë mua.
Nuk duhet te ishte ndare dosja por te hetoheshin bashke. Ata që më kallëzuan janë sot në përballje me SPAK. Nese hapni telefonin e Monikes, nuk do gjeni asnje komunikim me mua në të. “Doni të gjeni korrupsionin, hapni telefonin e Monika Kryemadhit' u shpreh Koka në sallën e gjyqit.
Ndër të tjera Koka ka akuzuar Ish presidentin Meta dhe bashkëshorten e tij si manipulatorë, madje kanë ndërhyrë për të larguar dhe një ambasador, që burimet bëjnë me dije se flitet për Ëillers
"Ata janë manipulatorë si Monika si Iliri, ai manipuloi situatën për të hequr në departament edhe një ambasador se besuan Ilirin” ka thënë ai.
Lefter Koka dhe Alqi Bllako
Ka përfunduar seanca maratonë për inceneratorin e Elbasanit, në Apelin e Gjykatës së Posaçme.
Pas debateve në sallë dhe dëgjimit të të dyja palëve, seanca shtyhet për të shpallur vendimin më 8 Nëntor, ora 14:00.
Sot u dëgjua pala mbrojtëse e 9 të pandehurve, teksa SPAK i qëndron pretencës së dhënë. Bllako mësohet se s'ishte i pranishëm dhe u përfaqësua nga avokati.
Në 5 tetor të 2023, GJKKO dënoi në total me 33 vite burg të pandehurit. SPAK kërkon ndryshimin e vendimit të GJKKO, që e dënoi Lefter Kokën me 5 vite dhe 8 muaj burg (me gjykim të shkurtuar) vetëm për korrupsion dhe t’i shtohet edhe dënimi për “shpërdorim detyre”, me 10 vite burg në total, për inceneratorin e Elbasanit.
Atij iu konfiskuan një pjesë e aksioneve në kantinën e pijeve në Durrës, në vlerën e 3.7 milionë euro.
Në Apel, Prokuroria e Posaçme kërkon edhe dënimin me 4 vite burg të ish-deputetit Alqi Bllako, sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit për shpërdorim detyre, i cili nga shkalla e parë është shpallur i pafajshëm.
Lajmi kryesor:
Inceneratori i Elbasanit/ Lefter Koka: S'jam unë peshku i madh! Doni të zbuloni korrupsionin? Hapni telefonin e Monikës! Meta manipulator, kërkoi të hiqte ambasadorin Withers
G.K//ReportTv.al