TIRANË-Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar në GJKKO ish-kryetarin e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”, pas përfundimit të hetimeve.
‘Nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri Jorgo Goro, në cilësinë e ish-Kryetarit të Bashkisë Himarë ka kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim me nenin 17 të ligjit nr.9948/2008 “Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë Ligjore të Krijimit të Titujve të Pronësisë mbi Tokën Bujqësore”, i ndryshuar si dhe pikat 1,2,3 të VKM-së me Nr. 253, datë 6.3.2013 “Për Përcaktimin e Procedurave të Plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi për Familjet Bujqësore në Fshatra e Ish-Kooperativave Bujqësore”, në dëm të disa shtetasve, banues në Bashkinë Himarë’, thuhet në njoftim e SPAK.
Sipas njoftimit të SPAK, së bashku me Jorgo Goron, janë dërguar për gjykim edhe Jerasimo Bashi, dhe Vasillaq Strakosha, ish-drejtorë të Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë
'Bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi, analizën e rrethanave të faktit të provuara, dokumentacionin e administruar, pyetjet e dëshmitarëve arrihet në konkluzionin se Jorgo Goro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë në bashkëpunim me shtetasit Jerasimo Bashi dhe Vasillaq Strakosha, kanë kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim me ligjin Nr.171/2014 “Për Përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar, si dhe në kundërshtim me dispozitat e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.337, datë 22/04/2015 “Për përcaktimin e procedurave të kryerjes së procesit të kalimit të tokës bujqësore të ish ndermarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve“, gjatë procesit të trajtimit të kërkesave të paraqitura', thuhet në njoftim.
Tjetërsimi i 10 mijë metrave katrorë
Sipas prokurorëve të Posaçëm, hetimet treguan se Goro përcolli pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një toke bujqësore pronë shtet, në favor të Stavri Mëhillit, në kërkim. Pas kësaj procedure, toka u shit te një shoqëri private me përfaqësues ish-deputetin Artan Gaçin. Në total 10 mijë m2 tokë e tjetërsuar në 2 sipërfaqe të ndryshme, tashme është e sekuestruar me vendim të GJKKO.
Komente
