Politikë

SPAK përgjoi gjyqtarët e Kushtetueses? Zaçaj: Kërkesë Dumanit për informacion! Ripërtëritja? Rruga e Begajt e duhura, për mandatin tim shmanga konfliktin me Gjykatën e Lartë

24 Shkurt, 11:12| Përditesimi: 24 Shkurt, 14:34

  • Share

TIRANË- Një deklaratë mediatike se SPAK ka vënë në përgjim një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, e ka vënë menjëherë në lëvizje institucionin më të lartë në vend. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese njoftoi këtë të hënë se që më 19 shkurt i ka kërkuar informacion Prokurorisë së Posaçme.

“Në lidhje me pyetjen tuaj Gjykata nuk ka asnjë informacion në lidhje mesa është shkruar për një përgjim të mundshëm apo të pretenduar ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pasi u informua në lidhje me këto lajme, trupa vendosi që t`i drejtohej zotit Altin Dumani me kërkesë për informacion, për ndonjë kallëzim apo hetim ndaj ndonjë gjyqtari, për sa kohë që veprimet e pretenduara i referohen një vendimmarrjeje konkrete të Gjykatës ku vetë SPAK është palë. Shkresa është dërguar zyrtarisht ditën e mërkurë, datë 19 shkurt. Ende nuk kemi një përgjigje zyrtare nga ai institucion", theksoi Zaçaj. 

Zaçaj tha se po ashtu ka informuar Dumanin se nuk është vënë në dijeni nga asnjë gjyqtar për ndonjë ndërhyrje nga avokatë, funksionarë publikë, politikanë apo funksionarë të tjerë.

"Ndërkohë që si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese informova zotin Dumani se nuk jam vënë në dijeni nga asnjë gjyqtar për ndonjë ndërhyrje apo ushtrim të ndonjë forme ndikimi të papërshtatshme nga avokatë, funksionarë politikë, publikë ose subjekte të tjera, bazuar në nenin 10, pika 3, të ligjit organik. Gjykata mbështet çdo veprimtari të organeve ligjzbatuese në ushtrim të juridiksionit të tyre, gjithmonë në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe ligji”, tha Zaçaj.

Në konferencën për mediat për prezantimin e raportit të punës së Kushtetueses në 2024-ën, Zaçaj u pyet edhe për çështjen më të nxehtë aktuale për institucionin që ajo drejton, përtëritja e Gjykatës.

“Pavarësisht qëndrimit tim, që kërkova edhe një opinion nga Komisioni i Venecias, e vura në lëvizje gjykatën për të shmangur një konflikt kushtetues me Gjykatën e Lartë që shpalli në mënyrë të njëanshme garën. Nuk do të lejoja asnjëherë që Gjykata të përfshihej në ndonjë retorikë që nuk i përket asaj”, tha Zaçaj. 

Rruga që Presidenti i Republikës ka ndjekur me kërkesën e tij për ta vënë në lëvizje Kushtetuesen sipas Zaçajt është e duhura, edhe pse ende nuk është marrë në shqyrtim me prioritet.

“Hapja e garës bëhet vetëm pasi Gjykata Kushtetuta shpall vakancën. Mënyra se si ka vepruar Presidenti është mënyra e duhur. Çështja është në pritje të shqyrtimit paraprak të saj. Po mbledhim referenca”

Për moszbatimin nga ana a mazhorancës të 2 vendimeve të Gjykatës për Olta Xhaçkën, Zaçaj nuk tërhiqet.

"Zbatimi i vendimi është detyrim i të gjitha organeve. Nëse një organ zgjedh të mos e zbatojë ky është një nivel tjetër për të drejtën kushtetuese në vend”. vijoi Zaçaj. 

Në raportin për vitin 2024 Kushtetuesja ka shqyrtuar 408 çështje, ndërsa Zaçaj tha se nuk ka asnjë çështje e mbetur si stok, jashtë afateve procedurale.

Ora 12:39
Zaçaj bën bilancin vjetor të Gjykatës Kushtetuese: 408 kërkesa të shqyrtuara, s’ka çështje stok jashtë afateve procedurale

 

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj prezantoi sot raportin vjetor të këtij institucioni për vitin 2024, ku theksoi se gjatë dy viteve të fundit ka pasur rritje të numrit të kërkesave dhe të vendimeve të marra nga Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar 408 kërkesa me vendime të arsyetuara, nga 520 kërkesa totale të dorëzuara (427 të reja dhe 93 të mbartura nga viti 2023). U morën 86 vendime përfundimtare dhe 47 vendime moskalimi. Aktualisht, 104 kërkesa janë ende në shqyrtim brenda afateve procedurale.

Zaçaj tha se nga çështjet e trajtuara, 55 u pranuan ose u pranuan pjesërisht, ndërsa 31 u rrëzuan. Zaçaj theksoi se Kushtetuesja nuk ka stok çështjesh të prapambetura jashtë afateve.

Sipas mënyrës së votimit, Gjykata ka dhënë 42 vendime njëzëri me votë unanime dhe 42 me shumicë votash. Vetëm në 2 vendime Gjykata ka vendosur rrëzimin për mosarritje të shumicës apo pamjaftueshmëri votash për një qëndrim.

“Gjatë vitit 2024, ishin 520 kërkesa për shqyrtim, 427 të reja dhe 93 të mbartura nga viti 2023. Shqyrtuam 408 kërkesa me vendime të arsyetuara, 86 vendime përfundimtare, 47 vendime moskalimi të mbledhjes së gjyqtarëve.  Numri total i kërkesave të mbartura që janë brenda afateve procedurale është 104, nga të cilat 28 janë në shqyrtim në seancë plenare, 77 në fazë shqyrtimi paraprak.

Gjykata vendosi pranimin ose pranimin pjesërisht të kërkesës në 55 çështje dhe rrëzimin e tyre në 31 çështje. Sipas mënyrës së votimit, 42 votime unanime dhe 42 me shumicë votash. Gjykata Kushtetuese nuk ka stok çështjesh të prapambetura jashtë fateve procedurale. Gjykata pati në fokus edhe përmbushjen e objektivave strategjik me qëllim dhënien e një drejtësie kushtetuese funksionale. Në raportin e KE, Gjykata Kushtetuese ka marrë vlerësime pozitive duke u konsideruar si efektive në ruajtjen e kontrollit dhe balancës mes organeve të pushteteve”, tha Zaçaj.

Me mjaft rëndësi, sipas kryetares së Gjykatës Kushtetuese ka qenë vendimi i kontrollit paraprak (përpara ratifikimit) të Protokollit të Migracionit me Italinë, ku Gjykata zhvilloi dhe interpretoi konceptin kushtetues të territorit në aspektin fizik dhe atë juridiksional.

“Kontrolli i parimeve dhe standardeve kushtetuese, me ushtrim të kompetencës për kontrollin e pajtueshmërisë së Kushtetutës me marrëveshjet me ndërkombëtare, një çështje e rëndësishme ka qenë protokolli me Italinë. Në përfundim të shqyrtimit, gjykata lejoi ratifikimin e protokollit për sa kohë nuk ndryshon apo cakton kufij të rinj territorial të Shqipërisë nuk sjell kufizime shtesë në ato kufizuese. Shqipëria ushtron juridiksionin pavarësisht juridiksionit italian që shtrihet në çështjet e azilit”, vijoi Zaçaj.

Ora 11:55
Zaçaj: Zbatimi i vendimeve të Kushtetueses detyrim për të gjitha institucionet, askush s’ka të drejtë t’i vendosë në dyshim

 

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj në një konferencë u pyet edhe për vendimet e saj që nuk zbatohen nga institucionet e tjera, ku më konkretisht gazetarët u ndalën tek çështja e mandatit të Olta Xhaçkës apo vonesa për zbatimin e votës së diasporës.

Zaçaj tha se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim nga çdo institucion, ndërsa theksoi se nuk është Kushtetuesja ajo që kontrollon mënyrat se si zbatohen vendimet e saj.  

“Gjykata Kushtetuese shqyrton jo rrallë herë çështje që kanë ndjeshmëri të lartë publike e politike. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese dhe janë përfundimtare dhe detyrimi për zbatimin e tyre është i përcaktuar nga vetë Kushtetuta. Nga ky detyrim nuk përjashtohet as kjo Gjykatë. Nëse Gjykata ka thënë fjalën e fundit në një çështje të caktuar asnjë organ tjetër nuk ka të drejtë të vërë në dyshim. Moszbatimi përbën një precedent të rrezikshëm. S’i takon Gjykatës Kushtetuese të kontrollojë mënyrën se si zbatohen vendimet e saj, por i takon çdo organi që t’i respektojë”, tha Zaçaj.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A nxorën primaret e PD-së kandidatët më të mirë për 11 majin?