Politikë

Zaçaj bën bilancin vjetor të Gjykatës Kushtetuese: 408 kërkesa të shqyrtuara, s’ka çështje stok jashtë afateve procedurale

24 Shkurt, 12:39| Përditesimi: 24 Shkurt, 13:33

  • Share

 

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj prezantoi sot raportin vjetor të këtij institucioni për vitin 2024, ku theksoi se gjatë dy viteve të fundit ka pasur rritje të numrit të kërkesave dhe të vendimeve të marra nga Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar 408 kërkesa me vendime të arsyetuara, nga 520 kërkesa totale të dorëzuara (427 të reja dhe 93 të mbartura nga viti 2023). U morën 86 vendime përfundimtare dhe 47 vendime moskalimi. Aktualisht, 104 kërkesa janë ende në shqyrtim brenda afateve procedurale.

Zaçaj tha se nga çështjet e trajtuara, 55 u pranuan ose u pranuan pjesërisht, ndërsa 31 u rrëzuan. Zaçaj theksoi se Kushtetuesja nuk ka stok çështjesh të prapambetura jashtë afateve.

Sipas mënyrës së votimit, Gjykata ka dhënë 42 vendime njëzëri me votë unanime dhe 42 me shumicë votash. Vetëm në 2 vendime Gjykata ka vendosur rrëzimin për mosarritje të shumicës apo pamjaftueshmëri votash për një qëndrim.

“Gjatë vitit 2024, ishin 520 kërkesa për shqyrtim, 427 të reja dhe 93 të mbartura nga viti 2023. Shqyrtuam 408 kërkesa me vendime të arsyetuara, 86 vendime përfundimtare, 47 vendime moskalimi të mbledhjes së gjyqtarëve.  Numri total i kërkesave të mbartura që janë brenda afateve procedurale është 104, nga të cilat 28 janë në shqyrtim në seancë plenare, 77 në fazë shqyrtimi paraprak.

Gjykata vendosi pranimin ose pranimin pjesërisht të kërkesës në 55 çështje dhe rrëzimin e tyre në 31 çështje. Sipas mënyrës së votimit, 42 votime unanime dhe 42 me shumicë votash. Gjykata Kushtetuese nuk ka stok çështjesh të prapambetura jashtë fateve procedurale. Gjykata pati në fokus edhe përmbushjen e objektivave strategjik me qëllim dhënien e një drejtësie kushtetuese funksionale. Në raportin e KE, Gjykata Kushtetuese ka marrë vlerësime pozitive duke u konsideruar si efektive në ruajtjen e kontrollit dhe balancës mes organeve të pushteteve”, tha Zaçaj.

Me mjaft rëndësi, sipas kryetares së Gjykatës Kushtetuese ka qenë vendimi i kontrollit paraprak (përpara ratifikimit) të Protokollit të Migracionit me Italinë, ku Gjykata zhvilloi dhe interpretoi konceptin kushtetues të territorit në aspektin fizik dhe atë juridiksional.

“Kontrolli i parimeve dhe standardeve kushtetuese, me ushtrim të kompetencës për kontrollin e pajtueshmërisë së Kushtetutës me marrëveshjet me ndërkombëtare, një çështje e rëndësishme ka qenë protokolli me Italinë. Në përfundim të shqyrtimit, gjykata lejoi ratifikimin e protokollit për sa kohë nuk ndryshon apo cakton kufij të rinj territorial të Shqipërisë nuk sjell kufizime shtesë në ato kufizuese. Shqipëria ushtron juridiksionin pavarësisht juridiksionit italian që shtrihet në çështjet e azilit”, vijoi Zaçaj.


Lajmi kryesor:

SPAK përgjoi gjyqtarët e Kushtetueses? Zaçaj: Kërkesë Dumanit për informacion! Ripërtëritja? Rruga e Begajt e duhura, për mandatin tim shmanga konfliktin me Gjykatën e Lartë


SI.E./I.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A nxorën primaret e PD-së kandidatët më të mirë për 11 majin?