Për herë të parë, gjatë sezonit veror 2025 pushuesit mund të qëndrojnë pa pagesë në hapësirat e dedikura për publikun në të gjitha plazhet e Shqipërisë. Në çdo 1000 metra vijë lineare, 300 metra prej tyre duhet të jenë të lira. Ndërkohë, në hapësirën 2.5 metra nga vija e ujit, publiku në plazhet private mund të qëndrojë ose të kalojë pa pagesë, sipas rregullores së re të miratuar nga Këshilli i Ministrave në 16 tetor të vitit të kaluar në të cilën tregohet edhe mënyra se si duhet të zbatohet:
a) për çadrat dhe ndenjëset e pushuesve të respektohet një distancë prej të paktën 10 (dhjetë) m nga vija e bregut të detit/liqenit;
b) hapësira prej 2.5 (dy pikë pesë) m përpara brezit të parë të çadrave të jetë e lirë për t’u shfrytëzuar nga publiku;
c) Ndarja e sipërfaqes së plazhit të lejuar, si plazh privat/publik, do të kryhet sipas gjatësisë në vijë lineare të hartës së propozuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse, në mënyrë perpendikulare me vijën e bregut të detit/liqenit, ku në çdo 1000 m vijë lineare, 300 m vijë linear plazh përcaktohen si parcela publike, shpërndarja e të cilave në hartë vlerësohet nga njësia e qeverisjes vendore, rast pas rasti, sipas tipologjisë së secilit plazh.
ç) hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) nuk duhet të jetë më e vogël se 3 (tre) m në linjë horizontale me vijën e ujit, si dhe jo më e vogël se 2.5 (dy pikë pesë) m në linjë vertikale me vijën e ujit;
d) të ketë në dispozicion të pushuesve 1 (një) dush me ujë të ëmbël;
dh) të jetë i pajisur me shërbime higjienike, minimalisht të ketë 1 tualet, të ndarë në njësi për femra dhe meshkuj, dhe 1 (një) për njerëzit me aftësi të kufizuar; njësia për njerëzit me aftësi të kufizuar mund të përfshihet në secilën njësi për femra dhe meshkuj, duke rritur sipërfaqen e këtyre njësive të shërbimit, në dimensionet maksimale 1,80 m x 1,80 m;
e) të ketë kabina zhveshjeje, sipërfaqja totale e kabinave të zhveshjes nuk duhet të jetë më e vogël se 1 (një) % e sipërfaqes së hapësirës së plazhit të dhënë në përdorim.
Gjithçka duket e mirëorganizuar deri në detaj por si janë zbatuar konkretisht në terren?
Plazhet e Lezhës - Zbatimi më i mirë i rregullores (deri më tani)
Modeli i parë dhe më i plotë në zbatim është ai i hartuar nga Bashkia Lezhë.
Përgjatë vijës bregdetare nga Rana e Hedhur deri në Tale, janë në total 268 parcela publike. Nga këto, 94,195 m² janë të lira, ku qytetarët mund të pushojnë pa pagesë, ndërsa 96,070 m² janë me shërbime të menaxhuara nga shoqëria "Lezha Invest", e ngritur nga Bashkia e Lezhës.
Në çadrat e vendosura nga kjo shoqëri, çmimet variojnë nga 300 deri në 500 lekë të rinj, në varësi të zonës, ndërkohë që janë plotësuar edhe shërbimet e nevojshme për pushuesit.
Besmir Frroku, administrator i shoqërisë "Lezha Invest" tregon krahas tabelave informuese në hapësirat publike janë vendosur edhe rojet bregdetare, tualetet dhe kufizueset në det.
Të gjitha këto reflektohen në cilësinë e pushimeve të atyre që kanë zgjedhur të verojnë në plazhet e Lezhës.
Ndërkaq Task-forca vazhdon çdo ditë monitorimin në terren, për të mos lejuar zaptimin e paligjshëm të plazheve nga privatët.
Plazhet publike në Velipojë
Velipoja, këtë vit ka më shumë hapësira publike për pushuesit. 34 parcela per plazhe publike në plazhin e Velipojës. 55 leje shfrytëzimi për privatin. Sakaq, në zonën e Vilunit, po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike për pushuesit.
Bekim Mema - Drejtor i Planifikimit Strategjik Bashkia Shkodër tha se: Kemi vendosur pedanë, kufizues, po pastrojmë rërën. Ka përmirësim të dukshem që vjen si pasojë e ligjit të ri. Një pushues ka tre mundësi zgjedhje, plazh publik me pagesë, plazh publik të menaxhuar nga bashkia me pagesë mungesë, ose të shijojë hapesirën e lirë me çadrat e tyre.
Menaxhimi i duhur i një plazhi publik nuk kërkon vetëm çadra e shezlongë por edhe dushe e tualete të cilat mungojnë. Ankesa ka edhe për mbajtjen pastër të hapësirave publike në Velipojë.
Plazhet publike në Durrës
Lëmë kryeqendrën e veriut për të shkuar në plazhet më të frekuentuara të Durrësit. Vija bregdetare e Durrësit është 42 km e gjatë dhe shtrihet nga Kepi i Rodonit deri te Derdhja e Përroit të Agait në kufi me Golemin. Në total janë 128 hapësira për plazhe publike.
Në këtë vijë bregdetare gjenden 6 plazhe sikurse janë Plazhi "Shetaj, Plazhi "Gjiri i Lalëzit", "Katundi i Ri"," Plazhi i Currilave", Plazhi i Madh i Durrësit" dhe ai i "Shkëmbit të Kavajës".
Në këto plazhe është vendosur ndarja 70 % me 30% e kësaj hapësire në favor të privatit.
Oltsen Gripshi, Kordinatori i Task Forcës në Durrës sqaron hapësirat publike në këto plazhe: “Në Plazhin "Shetaj" janë në funksion të publikut 4 hapësira, në "Gjirin e Lalzit" 11 hapësira, në "Katundin e Ri" 17 hapësira, në "Currila" 10 hapësira, në Plazhin e madh të "Durrësit" 52 hapësira, te "Shkëmbi i Kavajës 34 hapësira”.
Secili nga plazhet është pasqyruar edhe në harta ku përcaktohet tipologjia e tyre.
Në hapësirën e verdhë janë plazhet publikë të menaxhuara nga bashkia ku mund të qëndroni me një tarifë ekonomike. Në hapësirën e kuqe janë plazhet e menaxhuara nga investitorë strategjikë, në hapësirën bojëqielli janë plazhe që menaxhohen nga privatë të cilët kanë një kontratë 5 vjeçare me institucionet shtetërore, ndërsa në hapësirën e gjelbër janë plazhet publikë pa asnjë pagesë.
Plazhi i madh i Durrësit është më i frekuentuari nga stacioni i parë e deri tek Shkëmbi i Kavajës. Për herë të parë edhe këtu nuk shpenzon më për të marrë rreze e për t’u larë në det. Kudo gjenden zona të dedikuara ku tabelat informojnë se janë hapësira publike. Edhe në këtë plazhe të Durrësit vlerësimi më i madh jepet për shtimin e hapësirave publike. Rregullorja e re e miratuar nga Këshilli i Ministrave për ushtrimin e veprimtarisë së stacioneve të plazhit nuk është e zbatuar plotësisht. Diku ka dushe, diku tjetër jo, hapësirat dedikuar personave me aftësi të kufizuar është nuk ekziston askund, tualetet gjithashtu.
E sigurtë në këtë sezon veror deri më tani është hapësira publike në çdo plazh të Durrësit e jo vetëm. Vëzhgimi ynë vazhdon më tej, drejt Vlorës.
Në Zvërnec, në plazhin e vjetër, në Orikum dhe zona të tjera pranë detit ka plazhe publike. Por qytetarët ankohen se nuk janë të pastër. Nga pikat e rregullores vetëm të qëndruarit falas është zbatuar,
Plazhet publikë të Himarës
Vëzhgimin e shtrijmë drejt plazheve më lakmuara nga të gjithë gropmoshat, në bashkinë Himarë. Gjatë një inspektimi të ministres së turizmit dhe mjedisit, Mirela Kumbaro, kryebashkiaku Vngjel Tavo tha se në plazhet publike të Himarës do të vendsen çadra pa pagesë.
“Për sa i përket plazheve publike, jemi gati në raportin 50 me 50%. Në plazhet publike të Himarës do të vendosim 250 çadra të bashkisë të cilat do të jenë falas për pushuesit”.
Për pushuesit shqiptarë por edhe të huaj pastërtia, vendosja e rojeve bregdetare janë kushte që nuk duhen anashkaluar. Megjithatë risia e të pushuarit pa paguar shtrenjtë në plazhe të tilla si ai i Dhërmiut e shumë gjireve të preferuara ndodh për herë të parë që nga koha kur këto zona ishin të virgjëra.
Plazhet publike të Ksamilit e Sarandës
Vazhdojmë udhëtimin drejt plazhit që ka marrë vëmendjen e medieve më prestigjoze ndërkombëtare, Ksamilit. Nuk është më e nevojshme të shpenzosh 20, 50 apo 100 euro e sipër për shezlongë e çadra.
Janë lënë për herë të parë hapësira të konsiderueshme për plazh publik. Konkretisht, në zonën ikonike përballë tre ishujve, është përcaktuar një hapësirë prej 900 metra katrorë, ku pushuesit mund të vendosin çadrën dhe peshqirin e tyre mbi rërën e imët, duke shijuar detin pa pagesë.
Gjithashtu, në plazhin Paradiso, një tjetër zonë mjaft e frekuentuar, është përcaktuar një hapësirë publike prej 2,000 metra katrorë, e aksesueshme për të gjithë.
Në total Ksamili ka 24 hapësira publike të vendosura ndërmjet plazheve private, ku pushuesit janë të lirë të vendosin pajisjet e tyre pa paguar asnjë tarifë.
Edhe në qytetin e Sarandës, plazhet kryesore janë tërësisht të hapura për publikun. Plazhi i Centralit dhe Plazhi i Ri, të cilët ndodhen përgjatë gjirit qendror të qytetit, janë lënë plazhe publike, ku pushuesit mund të vendosin çadrat dhe peshqirin e tyre pa pagesë.
Në total në Sarande janë 17 hapësira publike. Në plazhin e madh, në shëtitoren e Sarandës është ngritur kulla e vrojtimit ku shërbejnë vëzhguesit e plazhit, duke garantuar siguri për pushuesit e çdo moshe.
Nëse kthejmë kokën pas, sezoni veror për shqiptarët niste me çadrën me vete, një top e ushqimi i përhershëm, bukë me djathë e shalqi.
Plazhi ishte vendi i lojrëva, nxirjes, shtrirjes në rërë e larjeve të gjata në det. Prej afro 30 vitesh kjo rutinë si shumëçka tjetër u zhduk, por për ata që kanë jetuar atë kohë, e dinë mirë se rikthimi i hapësirave publike nuk është largim nga luksi por mundësi për të të shijuar det e diell si kura më e mirë më mendjen dhe trupin.
Përgatitën: Artur Korriku, Elvis Hila, Ergys Kavaja, Armand Xhelili, Limos Didani.
Komente

Ne plazhin e durresit afer adriatikut,me reth 2 km gjatesi ka vetem nje plazh publik 10m i gjere ku sipas ligjit duhet te kishte 600 m per 2 km .Nga e thena ne te bere eshte ne mes nje det i tere thote populli
Përgjigju