Agroni, Afrimi, Meti dhe Mane kanë të njëjtin mbiemër artistik: Vlora.
Ata janë katër parodistët e pandarë të qytetit bregdetar që ndër vite kanë bërë për të qeshur jo vetëm vlonjatët por të gjithë shqiptarët.
Ishte viti 1974 kur Agron Hamo dhe Afrim Agalliu, sapo kishin kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ata u ngjitën në skenë me numrin e tyre të parë që do të pasonte me shumë të tjerë për shkak të suksesit të menjëhershëm me paroditë e tyre. Pas disa vitesh u bashkuan me ta edhe Muhamet Lika dhe Mane Lumani. Ata u bënë katër dhe të pandarë.
Parodistët e Vlorës morën vlerësime e çmime në karrierën artistike, më të mëdhatë ua dha publiku me duartrokitjet dhe të qeshurat.
Por sot ata ndihen se kanë marrë një çmim të madh, për të mos thënë më të madhin, shprehet Afrim Agalliu.
Ata janë përjetësuar në një murale në një prej pallateve në bulevardin kryesor të qytetit të Vlorës. Është piktori Franko Dine që i bëri dhuratën më të bukur të jetës artistike. Djali nga Vlora tregon se frymëzimin e mori nga vitet kur i ndiqte nga televizori, kohë që i la mbresë jo vetëm për humorin e hollë por edhe thumbues.
Ashtu si katër parodistët e Vlorës trajtonin me qesëndi problematikat e përditshmërisë së shqiptarëve edhe artisti i rrugës “muros” ndjesitë e tij mbi realitetin dhe fenomenet në Shqipëri e më gjerë.