Politikë
Speciale

SPECIALE/ Një legjislaturë në tym e flakë! Ngjarjet që shënjuan parlamentin e këtyre 4 viteve (VIDEO)

3 Korrik, 13:30| Përditesimi: 3 Korrik, 16:55

  • Share

Kur më 10 shtator të vitit 2021 u hapën dyert e sallës së Kuvendit për të pritur deputetët e zgjedhur të legjislaturës së 10-të, askush nuk e mendonte se aty do të zhvillohej një dramë e gjatë katërvjeçare, me tensione dhe debate që nuk do të kursenin askënd.

PD, më shumë luftë mes vetes se me kundërshtarët

Më shumë se sa betejë më shumicën, 4-vjeçari i PD në parlament u dominua nga përplasjet e brendshme, që zanafillën e kishin te shpallja non Grata e Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetëm një mbrëmje para se të niste legjislatura e re, më 9 shtator 2021 Lulzim Basha do të njoftonte përjashtimin nga grupi parlamentar i PD-së.

Të nesërmen zoti Berisha e sfidon hapur kryetarin ndërsa deklaron se “jashtë çdo lloj diskutimi jam anëtar i grupit parlamentar të PD-së”.

Është vetëm fillimi i një vale përçarje që përfshin të gjithë partinë e që do të reflektohet dhe në parlament brenda grupit të deputetëve demokratë.

Përplasja më e madhe u duk pas 8 janarit të 2022, kur vetëm pak metra në distancë nga oborri i parlamentit, do të zhvillohej një betejë gati e përgjakshme mes grupeve të PD-së që u pasua më pas me një valë përjashtimesh nga grupi i PD edhe të besnikëve të Sali Berishës.

Fakt, që për shumë gjatë nuk u pranua prej tyre. “Pse konsiderohem deputet i pavarur dhe jo anëtar i grupit parlamentar të PD-së?”-do të deklaronin shumë prej tyre.

Përplasjet nuk ishin më të moderuara. Disa episode u shënuan mes tyre. Që nga përplasja e Edmond Spahos me Gazment Bardhin në maj të 2022 te Enkelejd Alibeajt me Luan Baçin, më 21 dhjetor të po atij viti.

Në këtë betejë, socialistët zgjodhën të mos ishin thjesht spektatorë. Zjarrit të ndezur mes demokratësh, shpesh i frynë duke ushqyer ndarjen e thellë brenda tyre.

“Me Saliun ne nuk kemi punë. Nëse ju, do të bëni zgjedhjen që të drejtoheni nga një i vdekur, ne me partinë demokratike do të ndërpresim çdo marrëdhënie”, do të deklaronte kryeministri Edi Rama në një prej seancave plenare.

Në po të njëjtën, një moment tensioni do të shënohej mes Sali Berishës e Enkelejd Alibeajt, në atë kohë ende kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Në mesin e këtyre përplasjeve, në muajt që pasuan lëvizje befasuese qe ajo e Gazment Bardhit, tashmë kryetar i grupit parlamentar demokrat. Me një numër të konsiderueshëm deputetësh pas vetes, braktisi Bashën i cili ishte larguar nga kreu i PD me motivin e bashkimit të partisë, iu bashkuar Sali Berishës.

Nga ai moment, përplasja mes demokratëve do të zhvillohej jo aq për vulën e PD-së sesa me përpjekjen se cila palës palë do t’i legjitimoheshin në Kuvend kërkesat.

Sfida e parë ishte marrja në duar e Komisionit për Reformën Zgjedhore që bashkëdrejtohej me PS nga Enkelejd Alibeaj.

Kaosi parlamentar, tym në sallë e ‘ring’ jashtë saj

Kërkesa për të shkruar rregullat e reformës elektorale dhe më tej krijimi i komisioneve hetimore, e bëri PD-në të kuptonte, se në fakt ‘armiku real’ ishin socialistët.

Zaptimi i foltoreve, tymueset, kaosi dhe përplasjet deri fizike, ndezën Parlamentin për disa muaj me radhë. PD pamundësoi jetën parlamentare dhe aksioni i saj kaloi kufijtë e gjuhës politike, kur mes deputetit Bledion Nallbati dhe socialistit Vullnet Sinaj do të kishte edhe një përplasje fizike.

Tensionet nuk kursyen as të paktët që kishin ngelur në krahun e Lulzim Bashës. Flutura Açka u bë objektiv i një prej aksioneve të deputetëve opozitare, duke u përplasur me Flamur Nokën dhe Gazment Bardhin, të pozicionuar në të njëjtin krah.

Madje as Gardën e Republikës, të cilës shpesh i duhej të ishte muri rrethues i demokratëve, por edhe shënjestra e sulmeve të këtyre të fundit.

Berisha, pa imunitet, por nuk humbet mandatin

Një zhvillim i ri nga SPAK do t’i shtonte dozën tensioneve në Parlament. Refuzimi i Sali Berishës për të zbatuar masën e sigurisë detyrim paraqitje, do të bënte që Prokuroria e Posaçme t’i kërkonte Parlamentit heqjen e imunitetit të tij për ta çuar në arrest shtëpie. Në Këshillin e Mandateve, edhe Enkelejd Alibeaj do të mbante një pozicion të fortë duke e akuzuar Berishën si të korruptuar, ndërsa votimi për heqjen e imunitetit të ish kryeministrit do të shoqërohej me protesta brenda dhe jashtë parlamentit.

Megjithatë, izolimi për afro një vit i tij nuk ia hoqi mandatin e deputetit. Kuvendi çmoi se Berisha ndonëse kishte munguar për më shumë se 6 muaj në sallën parlamentare nuk ishte në kushtet e heqjes së mandatit.

Marrëveshja për kodin dhe një amnisti e shumë debatuar, një armëpushim i brishtë

Por, teksa dukej se me izolimin në shtëpi, Sali Berisha nuk do të kishte më influencë mbi grupin parlamentar, ai vijoi t’i lëvizte fijet edhe nga shtëpia. Pak muaj pas izolimit të tij, ndodhi ajo që nuk ishte pritur: një marrëveshje me socialistët. Qetësia parlamentare u ble me dy komisione hetimore dhe një tryezë dialogu për reformën elektorale, ku u firmos një kompromis për listat zgjedhore dhe votën e diasporës, që në këtë katër vjeçar do të shënohet edhe si marrëveshja historike e ligjvënësve.

Më tej, PD dhe PS do të arrinin të gjenin gjuhën edhe për amnistinë penale, nga e cila përfituan qindra të burgosur, por shumë e kritikuar nga grupi i vogël, gjithnjë në tkurrje i Lulzim Bashës. Këto pazare politike sollën uljen e armëve mes PD dhe PS, por gjithnjë për pak kohë.

“Salianji” një dënim që i rindezi flakët në Kuvend

Marrëdhëniet në sallën e parlamentit u acaruan sërish në fund të shtatorit pasi Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin me 1 vit burg për deputetin Ervin Salianji.

“Kodi mafioz që Edi Rama vendosi sot përmes këtij vendimi politik gjykate, ti japë grupit parlamentar të PD, duke dënuar dhe dërguar në burg nënkryetarin e grupit të PD, është një shpallje lufte ndaj grupit tonë parlamentar dhe opozitës në tërësi.”, do të deklaronte Gazment Bardhi në të njëjtën ditë kur Apeli vulosi dënimin e kolegut të tij demokrat.

Në shenjë simbolike, karrigeve iu vu flaka, në seancën e parë në Kuvend pas dënimit të Salianjit, teksa u njoftua vakanca e krijuar me ndërprerjen e mandatit të tij.

Për javë të tëra parlamenti do të ishte thuajse i bllokuar, mes tensioneve, kaosit dhe përplasjeve të forta, brenda dhe jashtë sallës. Protesta brenda parlamentit u shoqërua paralelisht edhe me “mos-bindjen civile” në rrugë ku me zgjedhjet në horizont, PD kërkonte qeveri teknike.

Mandati i Xhaçkës, përplasja e gjatë me Kushtetuesen

Ishte nëntori i vitit 2022, kur socialistët hodhën poshtë kërkesën e opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të ish ministres Olta Xhaçka, e akuzuar për konflikt interesi, pasi ndërtimi i një hoteli në bregdet, nga bashkëshorti i saj, kishte marrë statusin e investitorit strategjik.

Në Janar të vitit 2023 Gjykata Kushtetuese, do të kërkonte që rasti t’i kalonte asaj për shqyrtim, por kjo kërkesë do të zvarritet për shumë kohë. Vetëm në prill të 2024-ës, Këshilli i Mandateve do të përmbyllte procedurat.

Në seancën e pak ditëve më pas, zonja Xhaçka do të shprehej: “Unë dhe familja ime nuk kemi përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike, Zero”.

Vota e socialistëve bllokon sërish dërgimin e çështjesh në Gjykatën Kushtetuese, me arsyetimin se deputeti është i lirë në vendimmarrjen e tij.

“39 vota pro, asnjë abstenim, 72 kundër”, njoftoi rezultatin e votimit kryetarja e atëhershme e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Për opozitën, kjo do të konsiderohej “ditë e zezë për Shqipërinë, një ditë e zezë për parlamentin”.

Gjykata Kushtetuese do të vihej sërish në lëvizje nga opozita më 24 prill dhe në vendimin e saj disa muaj më pas (10 korrik) nuk ndryshon qëndrim.

 “Gjykata thekson se Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi”, deklaroi Holta Zaçaj, kryetare e Gjykatës Kushtetuese.

Por dhe socialistët, po ashtu nuk tërhiqen. Këtë herë  në seancën e 12 shtatorit, nuk do të votojnë kundër, por zgjedhin të abstenojnë në masë, për të marrë megjithatë, të njëjtin rezultat.

Të nesërmen kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali do t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Opinioni i publikuar në dhjetor, ndonëse thekson qartë se deputeti nuk mund të detyrohet se si të votojë, vë në dukje, se “për rastin konkret, Gjykata kishte dhënë dy vendime, dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk mund të kushtëzohet nga votimi ose shumica parlamentare”.

Megjithatë socialistët zgjedhin të lexojnë vetëm pjesën që u përshtatej pozicionit të tyre, duke bërë që çështja të mbetet pezull.

Tranzicioni në Presidencë, nga Meta te gjenerali Begaj

Ndërsa Presidenti Ilir Meta ka hyrë në vitin e fundit të mandatit, socialistët do të mbrojnë vendimin e marrë ne legjislaturën e shkuar kur kishin votuar për shkarkimin e tij.

Në fillim të shkurtit 2022, Gjykata Kushtetuese nis seancat publike të procesit mbi vendimin e parlamentit për shkarkimin e kreut të Shtetit. Mbrojtja e Metës do të përqendrohet te shkeljet proceduriale, apo dhe hijet e rënda të dyshimit, mbi një shkresë të parlamentit, që shfaqet me dy data të ndryshme. Bëhet fjalë për urdhrin për caktimin e datës plenare për thirrjen e seancës parlamentare të datës 7 maj e cila miratoi raportin e Komisionit të Ligjeve lidhur me nismën deputetëve për të hapur procedurat për shkarkimin e kreut të shtetit.

Në krahun tjetër përfaqësuesit e shumicës në parlament, përsërisin qëndrimin se sipas tyre presidenti Meta ka shkelur rëndë kushtetutën para dhe gjatë procesit zgjedhor të 25 Prillit 2021, "duke u bërë palë me opozitën apo duke nxitur gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës".

Gjykata vendos të rrëzojë parlamentin.

Pasi humbën dy beteja të drejtpërdrejta me të, socialistët nuk duan të humbasin kohë në gjetjen e pasuesit të tij. Ata i kanë votat për të zgjedhur të vetëm, por publikisht deklarojnë në mënyrë të përsëritur se nuk duan një emër nga partia e tyre dhe kërkojnë dialog me opozitën, duke vënë megjithatë në dukje përçarjet në gjirin e saj.

“Është një anë me copa e me çika, por sidoqoftë, nuk e kemi zgjedhur ne”, do të shprehet për gazetarët më 6 prill, kryeministri Rama.

Në ndryshim nga pala e drejtuar nga zoti Berisha, grupimi i udhëhequr nga zoti Alibeaj zgjedh të përfshihet në procesin për zgjedhjen e presidentit. Aleatët e së djathtës kërkojnë një qëndrim unik të opozitës

Ndërsa procedurat u hapën zyrtarisht më 10 maj, Alibeaj ofron një propozim sipas të cilit, opozita paraqet katër kandidatë, dhe socialistët eliminojnë dy prej tyre, duke lënë dy emrat e tjerë, që diskutohen më pas mes palëve: Mbi këtë propozim do të debatohet gjatë, derisa, më 18 maj, duket se arrihet një marrëveshje fjale.

 “Pranohet dokumenti juaj deri në raundin e tretë. Raundin e katërt e ka thënë kushtetuta se si bëhet” do të thoshte Taulant Balla në një takim publik me Enkelejd Alibeajn. “Çdo shkelje, siç e ke lexuar në dokument, e këtyre rregullave, është shkelje e marrëveshjes. OK? U vendos!”, do t’i përgjigjej Alibeaj.  

Por duket se asnjë nga palët nuk e ka të qartë se për çfarë kishin rënë dakort, dhe gjithçka kthehet në pikën zero. Në ndërkohë raundi i parë është djegur e të njejtin fat do kenë dhe dy të tjerët.

Socialistët shkojnë drejt raundit të katërt me mundësinë për të zgjedhur të vetëm. Më 3 qershor, kryeministri Edi Rama, shqipton emrin e shefit të Shtabit të përgjithshëm, gjeneralit Bajram Begaj

 “Është shëmbëlltyra e atij normaliteti, qytetarie dhe sensi të shërbimit ndaj vendit dhe njerëzve të këtij vendi për të cilin ajo zyra ka nevojë urgjente”, do të deklaronte Rama.

Të dy takohen po atë mbrëmje në zyrën e zotit Rama. Të nesërmen pasdite, pasi kanë kryer të gjitha procedurat formale, socialistët zyrtarizojnë me votë kandidaturën e tij. Në sallë, vetëm 4 vota kundër. Pjesa dërrmuese e opozitës nuk ishte në momentin e votimit, duke e kundërshtuar kandidaturën e tij.

Më 24 korrik zoti Begaj do të bëjë betimin. Në fjalimin e tij të parë, në sallën e parlamentit ai thekson se  “këtë mision do ta kryej mbi palët“.

Por shumë shpejt opozita do e konsiderojë atë palë me kryeministrin Rama.

Komisioni hetimor për inceneratorët, e vetmja fitore e opozitës

Ndër të paktat triumfe të opozitës në parlament, ose ndoshta e vetmja fitore reale e saj ishte komisioni hetimor i ngritur për hetimin e inceneratorëve. I ngritur edhe pas ndërhyrjes së ambasadës së SHBA, pasi PD dha votën për zgjatjen e afatit të organeve të vettingut me një vit, ky komision u drejtua nga Jorida Tabaku.

Në një seancë maratonë para komisionit hetimor, në rolin e tij si dëshmitar, do të ishte edhe kryeministri Edi Rama.

Në fund, Tabaku u braktis edhe nga kolegët e saj demokratë, të cilët nuk e votuan raportin parlamentar, por një valë arrestimesh më pas do të shiheshin si triumf politik i këtij komisioni.

Dorëheqja e Nikollës, surpriza e fundit e një sesioni

Lindita Nikolla, zgjedhja e së cilës në nisje të legjislaturës do ta surprizonte jo pak Kuvendin, nuk e çoi deri në fund mandatin e saj si kryetare e Kuvendit. Pas tre vitesh, në përfundim të sesionit të gjashtë të legjislaturës më 26 korrik të 2024, gruaja që e kishte mbajtur drejtimin e Kuvendit në kohë të trazuar, dha dorëheqjen.

 “Për arsye shëndetësore” do të deklaronte ajo.

Në të vërtetë, tërheqja u duk e ndikuar më së shumti nga Partia e saj. Ndonëse bëhej fjalë për numrin 2 në hierarkinë e shtetit, dorëheqja e saj u pasua nga një heshtje publike disa ditore e kryeministrit Rama. Ai do ta përmende duke e falënderuar në Kongresin e Partisë Socialiste.

“Bëri më të mirën e saj”-tha Rama.

Vetë Nikolla mbajti një qëndrim të indiferent ndaj fjalëve të kryeministrit. Të njejtën ditë ai njofton dhe pasuesen e saj Elisa Spiropali, një emër që nuk u mirëprit nga opozita, por që mori timonin në një moment kritik.

“Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetimirë” i tha deputetëve të opozitës Spiropali në fjalën e saj të parë.

Ligjet, në fund kaluan

Një parlament në shumicën e kohës në kaos, tym e flakë, gjithsesi nuk e pengoi dot kalimin e ligjeve. Që nga marrëveshja për emigrantët me Italinë, që solli në vendin tonë azilkërkues nga vendet e treta, marrëveshja për njohjen e pensioneve, ligji për legalizimin e kanabisit mjekësor dhe industrial, ligji për zonat e mbrojtura, apo ai për studentët e mjekësisë, që në fakt u rrëzua pjesërisht nga Gjykata Kushtetuese.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se Shqipëria do bëhet anëtare e BE-së më 2030?