Politikë

SPECIALE/ Të rinjtë dhe të vegjlit që premtojnë të 'kërcënojnë' sistemin politik! Lapaj-Qori për risinë, të djathtët përballë Berishës dhe ‘enigma’ Doshi

13 Prill, 11:28| Përditesimi: 13 Prill, 11:44

  • Share

Fleta e votimit për parlamentin e ri, mban 11 parti apo koalicione, ku përveç PS-së dhe PD-së, një numër i lartë politikanësh të rinj, duan të provojnë forcat, ndërsa të divorcuarit nga Berisha po kërkojnë rrugë të reja për tu rikonfirmuar në politikë.

Lëvizja tërësisht e re dhe që e teston veten për herë të parë  tek votuesit, është Shqipëria Bëhet. E drejtuar nga aktivisti 36 vjeçar Adriatik Lapaj, me profesion avokat, iniciativa u shpall si fillim në diasporë, e mandej nisi turi i prezantimit përpara zgjedhjeve.

Rrugës, Lapaj u përpoq të krijonte një koalicion me të gjithë ata që i mendoi se politika e re, por bindi vetëm Nismën Thurje të Endri Shabanit.

Arlind Qori, një pedagog 43 vjeçar drejton Lëvizjen Bashkë, në garën e saj të dytë elektorale. Me një fushatë thuajse të padukshme në mediat tradicionale, në zgjedhjet lokale të vitit 2023, ai mori në Tiranë 14 mijë vota, duke lënë gojëhapur shumë vëzhguesë të politikës. Retorika drejt ekstremit të majtë, ishte ajo që e bënte të dallohej këtë Lëvizje.

Megjithëse të rinj në klasën politike dhe akoma pa e kaluar pragun e parlamentit, Lapaj e Qori nuk e mbështetën njëri-tjetrin. Përkundrazi, ethet e garës për të fituar në sytë e publikut karrigen e të tretit, pas Ramës e Berishës, i përfshinë në përplasje publike.

Aktivistët e Lëvizjes Bashkë nuk lejuan Adriatik Lapajn të flasë në një protestë të thirrur përpara ministrisë së brendshme.

Veç dy të rinjve që po udhëheqin dy lëvizje kundër të vjetërve, 3 formacione të tjera politike kërkojnë të rikonfirmohen në parlament. Ata i bashkon origjina e përbashkët, Partia Demokratike, dhe thyerja e raporteve me Sali Berishën. Ndërsa ambiciet politike personale, duket se ishin më mëdha se sa një zgjidhje pragmatike që do t’i afronte me njëri tjetrin nën një ombrellë të vetme.

Lulzim Basha, që kurrë nuk e pranoi se e humbi përfundimisht vulën e PD-së, krijoi një parti të re, të cilën e quajti Koalicioni EuroAtlantik, dhe i vuri për kryetar një prej besnikëve të tij, Endri Hasën.

Ai rimori vëmendjen mediatike dhe publike pasi nisi një serial videomesazhesh ndaj Edi Ramës. Enkelejd Alibeaj, e cili e nisi karrierën si ministër i Berishës, dhe në zgjedhjet e fundit ishte mëkëmbësi i Bashës, tashmë është kundër të dyve. Me një grup demokratësh të zhgënjyer krijuan partinë Djathtas 1912, dhe në 11 maj garojë në Koalicion bashkë me Dashamir Shehin.

Nga ana tjetër, Agron Shehaj, një biznesmen që u soll në politikë nga Lulzim Basha, nuk jetoi dot gjatë nën çatinë blu të Sali Berishës, dhe po kërkon të rikonfirmojë mandatin e tij si deputet përmes Partis Mundësia.

47 vjecari ka investuar këto muaj para fushate për të sulmuar Adriatik Lapajn, të cilin e akuzon se ka qenë avokat i disa sipërmarrësve të dyshimtë. Konflikti mes të dyve ka përfunduar në gjykatë, duke shënuar kështu një regjistër se të rinjtë më shumë luftojnë njëri-tjetrin, sesa Ramën e Berishën.

Ajo që i bashkon të gjithë, si politikanët e rinj, apo të vjetrit me logo të reja, është shpresa për Tiranën. Secili kërkon të marrë së paku një mandat në qarkun më të madh, i cili prodhon 37 vend në parlament.

Basha, Alibeaj dhe Lapaj gjithashtu zgjodhën të njëjtën formulë për sfiduar listat e mbyllura dhe për ta hapur garën 100%. Ata i mbushën vendet e fiksuara me familjarë dhe njerëz besnikë, të cilët angazhohen të tërhiqen në rast se fitojnë vend në parlament, për tu hapur rrugë kandidatëve që kanë marrë vota personale. Një metodë e diskutueshme e cila u shfrytëzua menjëherë nga kryeministri Rama  

Për 11 majin garon edhe PSD-ja e Tom Doshit. I shpalluri non grata nga SHBA, ka aktualisht 3 deputetë, dhe gjatë këtij mandati, votoi me besnikëri politikat e Edi Ramës. Partia e tij është nga të rrallat që nuk kapet dot nga radarët e sondazheve, ndaj projeksionet për të, ngelen të paqarta.

Në fletën e votimit janë edhe tre parti të reja, për të cilat nuk gjendet informacion për aktivitet elektoral: Partia Atdheu, Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare dhe Aleanca Demokracia e Re.

Që një parti të ketë të drejtë të fitojë një mandat, duket të kalojë pragun kombëtar prej 1 %. Mund të ndodhë që një prej tyre të marrë në Tiranë votat e nevojshme për të zënë një karrige në Kuvend, por mund ta humbë atë nëse në të gjithë vendin nuk ka marrë të paktën 1 % të votave të vlefshme.

 

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • tini: 14/04/2025 13:23

    Votoni qorrin,,i ri,,i paster,,i paperlyer ne vjedhje....

    Përgjigju
  • Beni: 13/04/2025 16:41

    Dash Shehi,me i mbarumi nga keto opozitaret e rinj nga mosha.Ik o Dash fare,nuk e kuptojme cdo ti akoma ne politike?Ke 33 vjet ne politike,cfare bere, asgje,e tani do prap te rrish deputet per kot.Ja u zgjodhe kete here,cdo besh?As ta fishkellen njeri,ti tek pull tu luftu per 'democraci".Ik o Dash,jep dorehqje e largou si zotni

    Përgjigju
  • Albi: 13/04/2025 15:28

    Vetem Agron Shehaj eshte bindes. Do fitoj ne shume qarqe.

    Përgjigju
  • Cesku: 13/04/2025 15:03

    Ore prap ju nuk bindi vec Shabanin por edhe Lidhjen per te Drejtat e Punetoreve Shqiptare.Jepini lajmet korrekte jo ne menyre disinformuse.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A do e ndihmojë PD-në në fushatë strategu i Trump, LaCivita?