Speciale/Report TV brenda COVID 2, rritet numri i të rinjve të infektuar: Ndodhi nga neglizhenca, se menduam se do e kalonim kaq rëndë! Apelojmë moshatarët të bëjnë kujdes 

6 Shkurt 2021, 15:41| Përditesimi: 7 Shkurt 2021, 01:08

  • Share

Rritja e rasteve me COVID në vendin tonë po shënon shifra të larta duke shënuar mbi 1000 raste në ditë, ndërsa dhe numri i viktima ka shënuar rritje. Problem janë të rinjtë, të cilët gjithnjë e më shumë po preken nga virusi, duke sjellë edhe ngritjen e alarmit nga epidemiologët në vend. Gazetarja e Report Tv Migena Sotiri ka qene brenda spitali Covid 2, ku numri i të rinjve është rritur. Ata  apelojnë për kujdes, teksa thonë se neglizhenca mund të sjellë pasoja fatale.

“Isha në punë, punoja në një restorant edhe më kapi pa e ditur fare. Kisha një ngushtim në mushkëri, në frymëmarrje dhe më pas kisha këputje. Kam një mesazh për moshën e re, duhet të ketë shumë kujdes. Mua nuk ma priste mendja dhe nuk e besoja, por është një virus shumë shumë i rëndë”, thotë një i ri i shtruar në Covid 2.

“Jam 29 vjeç nga Elbasani. Nisi si një grip i lehtë, me simptomat e një gripi normal dhe si ne të rinjtë edhe me pak neglizhencë, që e lëmë pas dore, kaloi në gjendje të rëndë të frymëmarrjes, si fillim shkova në urgjencën e Elbasanit, ku mora ndihmën e parë, por duke parë që nuk po përmirësohesha, erdha me urgjencë në Tiranë. Në fillim mu kërkua që të bëja tamponin, me anë të procedurës së mjekut të familjes, mu dhanë ilaçet, por kisha sërish probleme, ndaj erdha. Sot është dita e 4-rt, kalova në reanimacion sepse kisha probleme me frymëmarrjen. Ndërsa tani, krahasuar me gjendjen si erdha, jam si nata me ditën. Që mund të infektohesha e kisha menduar, por që do përfundoja në spital, jo, sepse thoja jam i ri, do ia dal me antibiotikë, por qenka e vështirë. Infektimi i të rinjve mbase po vjen nga neglizhenca, i këshilloj të gjithë të kujdesen shumë, edhe kur flas me miqtë, i them të kujdesen për veten, sepse nuk ka limit, askush nuk mund të jetë i mbrojtur. Dua të falenderoj doktoreshë Almën, nga i pari te i fundit vijnë na japin ndihmë, na kanë qëndruar pranë. Besoj që më e keqja është pas krahëve, nga ky moment e tutje do jem më i rreptë ndaj masave sepse ndihmojnë edhe të tjerët” thotë 29 vjecari Damiano Shabani, i shtruar prej 4 ditësh në spitalin "Shefqet Ndroqi".

Edhe mjekët apelojnë të rinjtë për kujdes, pasi numri i të prekurve në moshë të re po shtohet dita ditës. Ata thonë se në spitale janë shtruar pacientë, mosha e të cilëve nis nga 24 vjeç, e për fat të keq në mesin e tyre ka edhe raste të rënda.

“Ndryshe nga muajt e mëparshëm, po shohim një rritje të numrit të të rinjve të infektuar, që variojnë nga 24 në 58 vjeç, në reanimacion. Po vijnë me gjendje vërtetë të rënda. Gjithë spitali është në terapi intensive tashmë, po insistohet të gjithë me ndihmë, me monitorime, me respiratorë etj. Ndoshta neglizhenca, mos mbajtja e maskës dhe distancimit social. Përfitoj nga rasti që të apeloj që tani nuk është më kriteri i moshës, po infektohen të gjithë, kujdesi duhet nga të gjithë sepse nuk mbrojmë vetëm veten, por edhe familjen dhe jetën. Do doja që të gjithë ta kuptonin se mbajtja e maskës është më mirë se mbajtja e maskës së oksigjenit. Kjo do të na bënte më koshient të gjithëve për të luftuar për më të mirën, ne kërkojmë fitoren e jetës” thonë mjekët. 

Një rast i rëndë që u shënua ditën e sotme është edhe vdekja e 28-vjeçares, dy javë pasi solli në jetë fëmijën e saj të tretë. Pas lindjes e reja u intubua për shkaka të rëndimit të situatës, duke mbyllur sot sytë përgjithmonë dhe mos mbajtur dot në krahë fëmijën e saj të porsalindur.

Xhirimet e Report Tv brenda COVID 2 u bënë një ditë më parë, kur 28-vjeçarja ishte ende gjallë, ndërsa mjekja shprehej se prej një javë ajo ishte e intubuar për shkak të komplikacioneve që i shkaktoi COVID-19.

 “Pacientja ka ardhur para dy javësh pas lindjes të fëmijës së tretë e infektuar me koronavirus. Në fillim nisi trajtimi jo evaziv, por si pasojë e komplikacioneve që vijnë nga koronavirus, u detyruam ta fusnim në frymëmarrje artificiale, ku po asistohet prej mëse 1 jave. Bebja fatmirësisht është negativ, por nëna po lufton pasi situata realisht është e rëndë. Pacientja është 28 vjec nga Korca. Aktualisht ka patur momente që kemi menduar se po humbasim, puna jonë nuk është ekzakte, por ne urojmë që ti rikthehet normalitetit. Do luftojmë deri në fund dhe shpresa vdes e fundit, ndaj po asistojmë që tja dalim mbanë” , tha Mjekja për Report Tv.

Ora 18:41
Mrekulli te COVID 2, vjen në jetë një fëmijë i shëndetshëm! Nëna e infektuar me COVID në luftë për jetën

COVID-19 nuk fal as të rinjtë dhe as shtatzënat, të cilat janë gjithashtu mjaft të riskuara nga komplikacionet që mund të sjellë ky virus në lindjen e fëmijës duke çuar deri në humbjen e tij. Edhe pse nga spitalet COVID shpesh marrim lajme të trishtuara dhe trajtohen pacientët e infektuar, ndodhin dhe mrekulli si rasti i lindjes së një djali, dy ditë më parë duke sjellë rreze shprese për bluzat e bardha dhe pacientët.

Report Tv gjatë kohës që ishte brenda spitalit COVID2 është informuar nga Prof Asc Alma Cani, shefe e reanimacionit te Shefqet Ndroqi, se në këtë spital ka ardhur në jetë një fëmijë, një djalë, që momentalisht gëzon shëndet të plotë, nga një nënë e infektuar me COVID-19 dhe ishte në gjendje të rëndë. Për mikrofonin e Report Tv, mjekja Alma Cani tha se nëna shtatzënë erdhi me probleme pneumonie për shkak të COVID dhe komplikacionet si pasojë e virusit ka sjellë një lindje të detyrueshme. Mjekja Cani tha se nëna aktualisht është në parametra të qëndrueshme në oksigjen, ndërsa fëmija është dërguar në maternitetin "Koço Gliozheni" dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

"Para 4 ditësh është shtruar në spital, është rëndë dhe vjen me pneumoni nga COVID. Në momentin e ardhjes gjendja ishte e rënduar dhe u trajtua me oksigjen. Ditën e djeshme nga problematika dhe komplikacionet ka pësuar arrest kardio-respirator ku u fut në frymëmarrje artificiale dhe në një kohë rekord brenda 45 minutash u realizuar provokimi i lindjes pasi gjendja që vjen si pasojë e COVID çon në rrezikun e situatës duke sjellë dhe humbjen e  bebit. Në këto kushte në bashkëpunim me kolegët e maternitetit "Koço Gliozheni" u realizua për 45 minuta asistenca në sallat tona të operacioni ku u bë lindja e bebit, një djalë, fatmirësisht çdo gjë shkoi më së mirë. Fëmija është transferuar në maternitet ku aty është dhe asistenca për bebet. Fëmija është mirë dhe nëna ruan mirë parametrat jetësor, ne po vazhdojmë ta mbajmë nën monitorim gjendjen e saj", tha mjekja Cani.

Ditën e sotme një 28-vjeçare që kishte sjellë në jetë pak ditë më parë fëmijën e saj të tretë humbi jetën te COVID 2, por një nënë tjetër edhe pse në trajtim me oksigjen po lufton për jetën e saj në mënyrë që të dalë nga spitali dhe të marrë në krahë fëmijën e porsalindur.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?