Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, gjatë fjalës së saj të parë në hapje të këtij sesioni parlamentar, i ka bërë thirrje opozitës që të marr pjesë në komisionet e posaçme parlamentare, ai i Dezinformimit dhe Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi.
Spiropali theksoi se opozita duhet që të jap kontributin e saj në komisione.
"Do të vijojnë punën dy komisionet e posaçme, qëllimi i të cilëve është avancimi i reformave, në mënyrë që të mos ketë asnjë kthim mbrapa. Mbështetja dhe fuqizimi i institucioneve të pavarura dhe i pavarësisë së degëve të qeverisjes do të jetë, që ato të rrisin përgjegjshmërinë dhe transparencën para vendit dhe qytetarëve. Opozita duhet që të marr vendin e saj dhe të jap kontributin e saj në këto komisione", tha ajo.
Kryeparlamentarja Spiropali u ka bërë ftesë edhe palëve për bashkëpunim, ndërsa theksoi se reflektimi duhet të jetë i përbashkët nga të dyja palët.
“Vendi im është mes të barabartëve me njëri-tjetrin, por kaq të ndryshëm. Në ballafaqimin e ardhshëm elektoral, secili nga ne do të shkojë me bilancet e veta politike. E pamundur të ndryshojmë të shkuarën tonë të përbashkët në këtë sallë. Pendesa për veprime dhe gjykime të gabuara vlen vetëm për të gjetur forcë për të korrigjuar çfarë mund të bëjmë ndryshe.
Reflektimi duhet të jetë i përbashkët mes nesh, një reflektim që përfshin edhe qortimin e së shkuarës, edhe projeksionet për të ardhmen. T’i mbrojmë deri në fund pikëpamjet dhe qëndrimet tona, por me etikë parlamentare, duke respektuar institucionin e Kuvendit të Shqipërisë dhe qytetarët që na kanë votuar e na ndjekin.
Debati dhe jo beteja, ndeshja e paprerë si të ndryshëm në ide, por të barabartë në të drejta, është rruga e vetme drejt të cilës ne do të detyrohemi të ecim. Jo pa keqardhje mendoj se më pak se çdo gjë ka ndryshuar mendësia e të bërit politikë, e cila shpesh, në thelbin e saj ka mbetur ende në llogoret e viteve 90-të. Të jemi bashkë në identifikimin e disa prioriteteve që do të duhet të realizojmë deri në fund të kësaj legjislature. Gjithëpërfshirja dhe garantimi i legjitimitetit demokratik në këtë proces, prioritet absolut për të gjithë, ku nuk ka vend për dallim mes të majtësh dhe të djathtësh.
Kuvendi do të vijojë të mbështesë partneritetet strategjike të Shqipërisë me aleatët tanë të mëdhenj, SHBA, BE, NATO-n.
Fjala e plotë e Elisa Spiropalit:
Të nderuar Kolegë, Mirë se u takuam sërish në epilogun e kësaj legjilature, në çelje të sesionit të ri parlamentar. Shërbimi i protokollit më sugjeroi që këtë fjalë te parë ta mbaja nga poltrona e Kryetarit të Kuvendit, zgjodha të zbres në podium për të ridëshmuar qoftë dhe formalisht se ndjej që vendi im është pikërisht ky, mes të barabartëve me njëri-tjetrin, por kaq të ndryshëm nga njeri-tjetri. Kanë mbetur vetëm pak muaj deri në momentin e ritakimit tonë përballë votuesit që na rreshtoi në këto raporte numrash para rreth 40 e kusur muajsh, që nga prilli i vitit 2021.
Në ballafaqimin e ardhshëm elektoral, secili nga ne do të shkojë me bilancet e veta politike, me pritshmëritë e realizuara dhe me brengat për çfarë do të mund të kishin bërë ndryshe apo çfarë do të duhej të kishim bërë më mirë. Është e pamundur të ndryshojmë të shkuarën tonë të përbashkët në këtë sallë; pendesa për veprime dhe gjykime të gabuara vlen vetëm për të gjetur forcë për të korrigjuar çfarë mund të bëjmë ndryshe, por edhe më mirë, në këtë të nesërme fare të afërt. Unë besoj fort se reflektimi duhet të jetë i përbashkët mes nesh, një reflektim që përfshin edhe qortimin e së shkuarës, edhe projeksionet për të ardhmen. Sa për një gjykim të parë, shumica e kësaj salle mund të ishte më tolerante. Të gjykonte duke u bazuar në kujtimet kur ajo vetë ishte pakicë, kurse pakica duhet të ishte më e vetëkontrolluar. Duhej të ishte, se paku në gjykimin tim, më pak luftarake dhe shumë me shume politike.
Në këtë fillim sesioni ju bëj të gjitha palëve në këtë sallë thirrjen time të sinqertë: t’i mbrojmë deri në fund pikëpamjet dhe qëndrimet tona, por me etikë parlamentare, duke respektuar institucionin e Kuvendit të Shqipërisë dhe qytetarët që na kanë votuar e na ndjekin. Shpesh jemi sjellë si shkak dhe pasojë të njëri-tjetrit, ku mungesa juaj e kontrollit ka sjellë bjerrjen e tolerancës sonë, por rast pas rasti, të dyja bashkë, kanë shkaktuar cënim të cilësisë së vetë Parlamentit, si një pushtet nga i cili buron edhe pushteti ekzekutiv dhe ndikon në të gjithë jetën e vendit.
Unë besoj fort se një qasje tjetër në ballafaqimin tonë, duke nisur nga rikonsiderimi i klishesë së vjetër të armiqësisë që nuk ndryshon dhe ndryshimi në konceptimin e asaj që mund të quhet marrëdhënie, marrëveshje apo kompromis që nuk ka të bëjë me vetë armiqësinë, do të kishte sjellë padyshim një vlerë krejt tjetër në fuksionimin e pushtetit legjislativ. Debati dhe jo beteja që e bën çdo Çelo me apo pa mustaqe, ndeshja e paprerë si të ndryshëm në ide, por të barabartë në të drejta, është rruga e vetme drejt të cilës herët a vonë, por shumë më mirë vonë sesa kurrë, ne do të detyrohemi të ecim. A kemi shanse të hedhim një hap në këtë drejtim në këto pak muaj të mbetur të kësaj legjislature? Optimizmi i sesionit të ri të legjislaturës duhet të më detyronte të thosha Po, do të ndodhë! Po, ka ardhur dita! Por në të vërtetë nuk besoj se do të ndryshojë.
Madje për më shumë, si në një film skematik që ka humbur ngjyrat e kuptimin, me të njëjtët aktorë pa ngjyra dhe sipas skemës së vjetër, ne do të bëhemi rishtas dëshmitarë dhe dëshmorë të mendësisë së vjetër që yxhymin dhe yryshin mbi kundërshtarin e sheh si armë politike që vret armikun politik. Duke peshuar namuzin këtej dhe duke ju dhënë pa kushte marazit andej, shumë andej nga pakica e kësaj salle dhe më pak nga shumica e saj, çdokush mund të bëjë dhe një përballje me pyetjen e thjeshtë: kjo është arsyeja se pse ndodhem në këtë sallë? Unë besoj fort se vetëm të verbërit nuk shohin se kohët kanë ndryshuar. Se vetë Shqipëria, edhe pse jo sa duhet dhe jo gjithmonë siç duhet, ka ndryshuar në mënyrë të pakrahasueshme me një dekadë më parë.
Kanë ndryshuar qytetarët, pritshmëritë e tyre dhe qasja e tyre ndaj politikës. Ka ndryshuar dhe nevoja për atë cfarë politika duhet të afrojë! Jo pa keqardhje mendoj se më pak se çdo gjë ka ndryshuar mendësia e të bërit politikë, e cila shpesh, në thelbin e saj ka mbetur ende në llogoret e viteve 90-të, por fatkeqësisht, e pashoqëruar me entuziazmin dhe idealizmin e asaj kohe, ku edhe pse dinim shumë më pak, gabimet ndodhnin nga padija dhe jo nga ligësia, ndodhnin nga nguti për të kapur kohën e humbur, por jo nga llogaria për cfarë mund të fitohej individualisht.
Si Kryetare e Kuvendit, gjykoj se mund të nënvizoj si ftesë e lutje për një mundësi tjetër më shumë. Një ftesë të vjetër, të ripërsëritur për të qenë bashkë në identifikimin e disa prioriteteve që do të duhet të realizojmë e të ndjekim bashkërisht deri në fund të kësaj legjislature. Kjo trupë, njëlloj si individi mund të turpërohet edhe brenda një minute, kurse për të bërë punë të mira, me durim dhe pasion, kjo është një kohë që nuk lejon të humbasë asnjë minutë më shumë. Më lejoni të ndaj disa të tilla me ju: duke nisur me lidershipin e Kuvendit në procesin e antarësimit të Shqipërisë në bashkimin Evropian. Gjithëpërfshirja dhe garantimi i legjitimitetit demokratik në këtë proces është një prioritet absolut për të gjithë, ku nuk ka vend për dallim mes të majtësh dhe të djathtësh.
Dhe ky nuk është teprim. Eshtë një imperative e kësaj kohe të trazuar, e një gjeopolitike e cila tashmë ka krijuar një klimë krejt tjetër sigurie në të cilën Shqipëria duhet të orientohet në mënyrën e duhur. Dhe që e kualifikon si shkak armiqësinë tonë të përditshme, po aq sa Çeloja mustaqet e tij sebep për sherr. Duke nisur me Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian dhe Komisionin për Çështjet Europiane që do të kenë gjithë mbështetjen time: - për zbatimin e legjislacionit dhe detyrimeve të Kuvendit në procesin e integrimit, - angazhimet e Planit të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2023 për Kuvendin, - për të rritur kontrollin ndaj qeverisë dhe monitorimin e institucioneve të pavarura për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të anëtarësimit në BE, - garantimin e koordinimit të veprimtarisë së Komisionit për Çështjet Europiane me veprimtarinë legjislative të Kuvendit, - si dhe realizimin me sukses të takimit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri më 28 tetor. Kuvendi do të vijojë të mbështesë partneritetet strategjike të Shqipërisë me aleatët tanë të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian, NATO-n dhe bashkëpunimin me të gjitha vendet dhe organizatat aleate.
Do të vijojmë bashkëpunimin me parlamentet e vendeve mike e partnere dhe organizatat ndërkombëtare, për zbatimin e projekteve në proces e identifikimin e ideve dhe projekteve të reja të bashkëpunimit, për rritjen e produktivitetit, efektivitetit dhe eficencës së veprimtarisë së Kuvendit dhe të shërbimeve parlamentare. Gjatë sesionit të kaluar Kuvendi ngriti dy komisione të posaçme, të cilët do të vijojnë punën gjatë këtij sesioni: Komisionin “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për “Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”” dhe Komisionin “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”. Rikonfirmoj dhe ju siguroj se qëllimi i këtyre komisioneve është: - Avancimi i reformave, në mënyrë që të mos ketë asnjë kthim mbrapa; - Mbështetja dhe fuqizimi i institucioneve të pavarura dhe i pavarësisë së degëve të qeverisjes, që ato të rrisin përgjegjshmërinë dhe transparencën para vendit dhe qytetarëve; - Konsolidimi i vlerave dhe institucioneve demokratike;
Përshpejtimi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian; - Bashkëpunimi për luftën kundër korrupsionit; - Transparenca e qeverisjes, veprimtarisë parlamentare dhe kontrollit parlamentar ndaj medias, qytetarëve dhe shoqërisë. Është pozitive që bashkëpunojmë dhe do të bashkëpunojmë për komisionet hetimore sepse bashkarisht duhet të zbulojmë gabimet e punës së institucioneve dhe të nxjerrim përgjegjësitë dhe përgjegjësit. Por këtë frymë për gjetjen e përgjegjësive të viteve të kaluara duhet ta shtrijmë edhe në bashkëpunimin për konsolidimin e institucioneve dhe të vlerave demokratike për vitet që vijnë. Në frymën e bashkëpunimit për ngritjen e komisioneve hetimore, të kontributit për integrimin europian dhe të zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për reformën zgjedhore, opozita të marrë vendin dhe përgjegjësitë e saj në këto komisione të posacme dhe të konsiderojë kontributin e saj pjesë të misionit parlamentar, politik e kombëtar.
Unë e garantoj për akses të plotë në vendim-marrjen e këtyre komisioneve. Të provojmë se jemi ligjvënës të denjë, bashkëndërtues të institucioneve dhe bashkëmbrojtës të vlerave demokratike. Të shndërrojmë Kuvendin në një hapësirë lirie, por edhe në arenën e një ushtrimi të vështirë përgjegjësie dhe përgjegjshmërie. Shqyrtimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese do të jetë një ndër prioritetet e Kuvendit gjatë këtij sesioni. Gjatë këtij viti Gjykata shqyrtoi 11 çështje me palë Kuvendin dhe shpalli 13 vendime, midis tyre dy vendime, shqyrtimi i të cilave kishte përfunduar në vitin 2023. Këshilli për Legjislacionin, në zbatim të nenit 132 të Kushtetutës dhe nenit 87 të Rregullores së Kuvendit, do të marrë në shqyrtim tre vendime të Gjykatës Kushtetuese, të cilat për shkak të pranimit të kërkesës sjellin efekt në legjislacion. Ndërkohë, që tre vendimet e tjera janë shqyrtuar prej Këshillit gjatë muajit korrik dhe gusht të këtij viti.
Konkretisht, do të shqyrtohen vendimet në lidhje me Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit.” Rritja e përgjegjshmërisë, produktivitetit, transparencës dhe llogaridhënies së Kuvendit përpara qytetarëve do të jenë prioritet i Kuvendit edhe gjatë këtij sesioni. Këtij objektivi do t’i shërbejë edhe arritja e Standarteve të Transparencës në zbatim të angazhimit të Kuvendit për të qënë pjesë e Rrjetit të Parlamenteve të Hapura; finalizimi i Strategjisë së Komunikimit, si një dokument i rëndësishëm gjithëpërfshirës; implementimi i Platformës së re të Konsultimit Publik dhe cikli i sesioneve “Dialog për Konsensus”, përmes të cilit deputetët do të informojnë publikun mbi projektligje te shqyrtuara ne Kuvend me interes të veçantë për publikun. Gjithëkush është i ftuar të japë kontributin e tij dhe kontributi i gjithkujt është i domosdoshëm dhe i mirëpritur për t’u ushtruar në përditshmërinë e këtij institucioni kushtetues, në shtëpinë e shqiptarëve.
Mbikëqyrja dhe kontrolli parlamentar, sidomos nga opozita, do të jenë një prioritet i Kuvendit. Rritjes së cilësisë së ligjbërjes do t’i shërbejë përfundimi dhe fillimi i zbatimit të Manualit për procesin ligjvënës në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, vijimi i zbatimin të sistemit e-Legislation, mbështetur nga OSBE, inkorporimi në këtë proces i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Agjendës 2030, çështjeve/aspekteve gjinore dhe auditit gjinor etj. Gjatë këtij sesioni do të fillojë të aplikohet Metodologjia e Kontrollit Postlegjislativ, e cila u miratua nga Komisioni për Çështjet Europiane dhe do t’i paraqitet së shpejti Konferencës së Kryetarëve për miratim.
Aplikimi i kësaj praktike nga të gjitha komisionet parlamentare do të kontribuojë për modernizimin e procesit legjislativ dhe efektet e tij në jetën reale. Kjo do të kërkojë rritjen e mbështetjes nga Shërbimit Juridik dhe rritjen e kapaciteteve të këtij Shërbimi, sidomos mbi jurispudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe GJEDNJ dhe njohjen me metodologjinë ex-post dhe metodologjinë për vlerësimin parandalues për korrupsion në hartimin e ligjit. Bashkëpunimit transparent dhe produktiv me institucionet e pavarura do t’i shërbejë edhe rikonfigurimi i Platformës Ndërinstitucionale Online Kuvend-Qeveri-Institucione të Pavarura.
Në mbështetjen për institucionet e pavarura do të fokusohemi në përfundimin e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, përfaqësues të shoqërisë civile si edhe plotësimin e vakancave që do të krijohen gjatë periudhës shtator-dhjetor në disa institucione. Duhet po ashtu, që pas një dialogu të domosdoshëm, të nisë dhe të përfundojë procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Le të besojmë në reflektimin reciprok. Le t'i kthejmë këto muaj të mbetur të kësaj legjislature në një mundësi të shtuar për të pohuar mundësitë e pakufishme që sjell liria, bashkëpunimi, ndeshja e ideve dhe gara e ndershme e tyre. Në bilanc të fundit, secili në këtë sallë shkruan një histori modeste personale, por të gjithë së bashku, mund të shkruajmë një faqe tjetër të historisë së zhurmshme të politikës shqiptare. Na priftë e mbara. Ju faleminderit
Lajmi kryesor:
Nis sesioni i ri parlamentar/ Spiropali kërkon bashkim: Reflektimi të jetë i përbashkët! PD gris mesazhin e Begajt! PS shtrin dorën e bashkëpunimit
S.Dh//ReportTv.al