Partia Demokratike ndryshon rregullat për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie. Nëse sipas statutit aktual, kandidatët për deputetë dhe kryetar bashkie i zgjidhje kryetari në limitet e fundit kohor, duke anashkaluar strukturat e partisë, statuti i ri Partisë Demokratike parashikon një mekanizëm të ri për përzgjedhjen dhe miratimin e kandidaturave. Vlerësimi i kandidaturave do të bëhet nga një komision i posaçëm. Komisioni i dërgon Kryesisë së PD raportet vlerësuese për secilin kandidat. Më pas, në bazë të nenit 53, pika 5, shkronja ‘c’, Kryesia e PD vendos për kandidatët pas konsultimit me anëtarësinë e partisë. Kryesia ia kalon listën Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Këshilli Kombëtar i PD, në bazë të nenit 50, pika 4, shkronja ‘b’, miraton listën e kandidaturave elektorale për kryetar bashkie apo për deputet.
Kriteret për kandidatët
Sipas statutit të ri, Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, është strukturë ndihmëse e Kryesisë së PDSH dhe ka në përbërje 5 anëtarë. Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve zgjidhen nga Këshilli Kombëtar me propozim të Kryesisë së PDSH. Sipas statutit të ri, komisioni i raporton Kryesisë së PD mbi përmbushjen nga kandidatët të kritereve të parashikuara, të pastërtisë së figurës, si dhe të elementëve të tjerë të nevojshëm për ecurinë në karrierë sipas këtij Statuti. Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët miratohen me Rregulloren e Brendshme dhe lidhen kryesisht, por pa u kufizuar, me arsimimin, integritetin, ligjshmërinë e pasurisë, të shkuarën gjatë regjimit komunist, pastërtinë e figurës në kuadër të mospasjes së rekordeve kriminale, bazuar në kritere dhe standardet minimale dhe rregullat e përcaktuara nga Komisioni i Integritetit dhe Etikës.
Aleancat politike
Dokumenti me ndryshimet e propozuara në statutin e Partisë Demokratike i heq nga duart kryetarit për të vendosur për aleancat dhe marrëveshjet politike. Neni 50, pika 4 shkronja ‘d’, parashikon që Këshilli Kombëtar, me propozim të Kryesisë apo kryetarit, miraton koalicionet para apo pas zgjedhore. Këshilli Kombëtar miraton gjithashtu strategjitë dhe programin elektoral e politik të PD. Këshilli Kombëtar merr të gjitha vendimet e rëndësishme politike që mund të kërkojnë rrethanat kur Kuvendi Kombëtar nuk është i mbledhur. Ndërkaq, Kuvendi Kombëtar vendos për programin e Partisë dhe linjat kryesore të politikës së saj, të cilat janë bazë pune për të zgjedhurit e PDSH në nivel qendror e vendor, si dhe për pushtetin ekzekutiv të drejtuar prej saj.
Ndryshimet në statut parashikojnë që thyerja e disiplinës së brendshme të Partisë, ndërmarrja e veprimeve, në çdo formë apo mënyrë, që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të PDSH, dhe mosplotësimi i detyrimeve të anëtarësisë sjell sanksione dhe kufizime të të drejtave të anëtarit të PDSH.
Masat disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve janë: paralajmërimi, pezullimi dhe përjashtimi. Këto masa merren sipas rastit nga Kryesia e Degës ose Kryesia e PDSH, dhe konfirmohen dhe/ose mund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit.
Ato mund të bëhen publike. Sipas ndryshimeve, në tre muajt që paraprijnë çdo fushatë zgjedhore dhe një muaj pas saj, Kryesia e partisë mund të deklarojë kundrejt një anëtari, kushdo qoftë funksioni i tij, njërin prej sanksioneve që parashikon Statuti, nëse ai pengon zbatimin e vendimeve që kanë të bëjnë me kandidaturat në zgjedhje.
Ky vendim është i ankimueshëm dhe shqyrtohet nga Komisioni i Apelimit dhe Zbatimit të Statutit brenda 5 ditëve nga marrja e ankimit. Kërkesat për ripranim shqyrtohen nga kryesitë e rretheve, nëse vendimet janë marrë prej tyre, ose nga kryesia e partisë për të gjitha rastet e tjera. Në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e sanksioneve statutore. Sanksioni i ndërmarrë i paraqitet për miratim kryesisë së partisë në afatin më të shkurtër të mundshëm.