Strategjia për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit 2024-2030, Manja: Po marrim masa shtesë! Fillimisht do nisë nga Tirana pastaj do të zgjerohet në njësitë e tjera

12 Dhjetor 2023, 12:03| Përditesimi: 12 Dhjetor 2023, 12:31

  • Share

 

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka prezantuar sot strategjinë për mbrojtjen e viktimave të krimit për periudhën kohore 2024-2030. Gjatë fjalës së tij, ministri Manja është shprehur se kjo çështje është në fokus të shërbimeve juridike falas dhe se po marrin masa shtesë për mbrojtjen e viktimave të krimit.

Ministri Manja ka deklaruar se objektivi kryesor i kësaj strategjie është adresimi i fragmentimit të mbrojtjes së viktimave të veprës penale në tërësi si dhe të viktimave me nevoja specifike mbrojtje. Më tej ministri i Drejtësisë tha se fillimisht projekti pilot do të nisë nga Tirana, pastaj do të zgjerohet në njësitë e tjera vendore.

‘Objektivi madhor i kësaj strategjie është: adresimi i fragmentimit të mbrojtjes së viktimave të veprave penale në tërësi, si dhe viktimave me nevoja specifike mbrojtjeje. Kjo strategji qartëson zinxhirët e përgjegjësisë dhe mjetet për realizimin eficent të të gjithë procesit të trajtimit dhe mbrojtjes së viktimës, duke nisur nga informimi i viktimës, trajtimi me dinjitet i saj, parandalimi i viktimizimit dytësor dhe riviktimizimit, mbështetja dhe mbrojtja për viktimat në çdo fazë të procesit dhe kur është e nevojshme, edhe pas përfundimit të procesit penal.

Një prej prioriteteve tona kyçe është rritja e besimit të viktimave te drejtësia, si lajtmotivi që shoqëron të gjithë masat tona në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi.  Masat e parashikuara në Strategji synojnë pikërisht krijimin e një mjedisi miqësor për raportimin e krimit, heqjen e barrierave për raportimin e krimit, shtimin e procedimeve penale, hetime më efektive dhe dënime penale proporcionale me rrezikshmërinë e veprave penale, dhe një sistem që garanton siguri për viktimën.

Strategjia prioritizon drejtësinë restauruese dhe ndërmjetësimin autor – viktimë, si mjete që kanë potencialin të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie të paqshme.

Ky plan lokal është parashikuar si një projekt pilot në bashkinë e Tiranës, si bashkia më e madhe. Duke vëzhguar ecurinë e zbatimit të Strategjisë, do ta shtrijmë më tej edhe në njësitë e tjera vendore.

Në të gjitha këto aspekte, rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve në luftën kundër fenomeneve shkaktare dhe mbrojtjen e viktimave të krimit mbetet jetike; ndaj duke nisur nga viti i ardhshëm do të fillojmë me organizimin e javës së dedikuar në mbrojtjes të viktimave të krimit, përkatësisht në shkurt të çdo viti, nën udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë.’- tha Balla.


Lajmi kryesor:

'Më mirë të rrisësh dele në Kukës sesa të punosh në shtëpi bari në Angli' Balla: Do mbështesim viktimat e trafikimit drejt Britanisë


M.Q.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?