Politikë

Suedia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE, ambasadori Ström: Vendi më i avancuar në rajon

13 Qershor, 19:27| Përditesimi: 13 Qershor, 20:24

  • Share

Suedia e konsideron Shqipërinë si një nga vendet më të përgatitura për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar progresin e arritur deri më tani dhe duke e mbështetur fuqimisht në këtë rrugëtim. Ambasadori suedez në Tiranë, Niklas Ström, në një intervistë për emisionin Studio Live, theksoi se Shqipëria ka hapur tashmë katër nga gjashtë kapitujt kryesorë të negociatave dhe është realiste që të hapen të gjitha brenda këtij viti, në përputhje me objektivat e qeverisë shqiptare.

Ai shtoi se Suedia është e gatshme të ndihmojë në çdo hap të mëtejshëm, jo vetëm për anëtarësimin në BE, por për të sjellë reforma të dobishme për vetë qytetarët shqiptarë. Ambasadori nënvizoi rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit, të drejtësisë dhe përmirësimit të klimës së biznesit si kushte kyçe për tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Suedia po mbështet konkretisht Shqipërinë me projekte në mjedis, drejtësi, administratë tatimore, menaxhim të mbetjeve, startup-e dhe përmirësimin e institucioneve publike. Gjithashtu, përmes javës kulturore suedeze që po mbahet në Tiranë, ambasada synon të forcojë lidhjet mes popujve përmes artit, muzikës dhe traditave.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë të ambasadorit suedez Niklas Ström për emisionin Studio Live:

Gazetari: Faleminderit shumë. Tani po kalojmë në anglisht. Cili është mesazhi kryesor i kësaj teme të Javës Kulturore Suedeze këtë vit në Shqipëri?

Ambasador Niklas Ström: Jam shumë i lumtur për këtë mundësi. Jemi të lumtur që mund të tregojmë më shumë për kulturën suedeze këtu në Shqipëri. Normalisht, përpiqemi të tregojmë që Suedia është më shumë sesa ABBA apo Volvo. Kemi shumë më tepër për të ofruar. Duam të tregojmë një panoramë të gjerë të kulturës suedeze. Duam të tregojmë që kemi artistë cilësorë, muzikantë, dhe madje edhe gjëra si çiklizmi, që e konsiderojmë gjithashtu pjesë të kulturës suedeze. Pra, është një pamje më e gjerë e Suedisë ajo që duam të paraqesim. Por sigurisht, do të kemi edhe pak “pop”, do të kemi edhe pak muzikë më të lehtë, por të sjellë në një nivel tjetër. Mund t’ju tregoj edhe më shumë rreth kësaj, nëse dëshironi

Gazetari: Po, dua të di më shumë. Si i shihni këto nisma kulturore mes Suedisë dhe Shqipërisë?

Ambasadori: Mendoj se kultura lidh njerëzit, dhe ky është pikërisht qëllimi ynë. Ne jemi këtu dhe bëjmë shumë punë në Shqipëri nga Suedia, ndoshta jo gjithmonë e dukshme për publikun. Ne punojmë me reforma, ndërtim kapacitetesh institucionale – gjëra që nuk duken menjëherë. Por kultura është diçka që shihet, është publike, dhe duam që kjo të jetë e dukshme në Shqipëri. Duam më shumë lidhje mes shqiptarëve dhe suedezëve. Kjo është ajo që bën kultura. Si ambasador, dua të punoj për marrëdhëniet mes Suedisë dhe Shqipërisë në të gjitha aspektet e shoqërisë. Prandaj, kultura është gjithashtu e rëndësishme për politikën e ambasadës sonë.

Gazetari: Si ka qenë reagimi i publikut shqiptar?

Ambasadori: Kultura, para disa vitesh – patëm një grup cover që këndonte këngë të ABBA-s – ishte shumë popullor. Në sheshin Italia kishim edhe një artist, Pipi  Longström, pati një reagim shumë, shumë pozitiv. Pra, kultura nuk është thjesht kulturë – ajo ngjall interes të madh nga publiku shqiptar për artistët suedezë që vijnë këtu. Dhe tani po e çojmë këtë në një nivel tjetër. Kjo është ajo që po ndodh këtë javë.

Gazetari: Dua të ndalemi te ekonomia, sepse është shumë e rëndësishme për ambasadën tuaj dhe për të dy vendet. Cilat janë prioritetet dhe mundësitë për bashkëpunim?

Ambasadori: Po, Suedia është shumë e angazhuar në Shqipëri. Jemi shumë të përkushtuar ndaj procesit tuaj drejt BE-së. Kemi një bashkëpunim zhvillimor këtu, një pjesë e të cilit përqendrohet në zhvillimin ekonomik – në sektorin e bujqësisë, në plane industriale dhe automatizimi, për shembull. Gjithashtu në qëndrueshmëri – në fabrika tekstili dhe përpunim të arit. Po ashtu, ne po mbështesim një sektor shumë interesant të startup-eve. Po zbatojmë një projekt të BE-së që ndihmon zhvillimin e kompanive shqiptare, i ndihmon të lidhin kontakte me kompani të tjera jashtë vendit, dhe të marrin trajnim e mentorim. Zhvillimi ekonomik është i domosdoshëm, sepse përmes zhvillimit të kompanive fitohen njohuri, krijohen vende pune – janë efekte pozitive. Dhe, ju duhet të bashkoheni me BE-në. Duhet të rrisni pak GDP-në për të qenë gati. Kështu që kur flasim për ekonomi, ka edhe disa sfida.

Gazetari: Cilat janë këto sfida? Si mund të përmirësohet klima e biznesit në Shqipëri për të tërhequr më shumë investitorë suedezë?

Ambasadori: Shoh interes të madh nga kompanitë suedeze. Jemi në fillim të këtij interesi, edhe nga investitorët suedezë që duan të bëjnë biznes këtu. Ajo që është më e rëndësishme është që Shqipëria të vazhdojë të përmirësojë klimën e biznesit. Dhe çfarë do të thotë kjo? Sipas meje, më e rëndësishmja është të kesh një terren të barabartë për të gjitha kompanitë. Kompanitë kërkojnë qëndrueshmëri – të dinë në çfarë rrethanash po veprojnë, duan sundim të ligjit që funksionon dhe duan të kenë të qarta të drejtat e pronësisë mbi tokën. Pra, nëse më kërkoni një këshillë për Shqipërinë: përqendrohuni në stabilitet, drejtësi dhe qartësi ligjore.

Gazetari: A ka projekte konkrete që Suedia po mbështet aktualisht?

Ambasadori: Po, kemi shumë projekte në fusha të ndryshme. Bashkëpunimi ynë zhvillimor është kryesisht i fokusuar në procesin e anëtarësimit në BE. Një fushë shumë e rëndësishme është ndërtimi i kapaciteteve të institucioneve shqiptare, veçanërisht në mjedis dhe ndryshimet klimatike. Kjo është një fushë shumë komplekse, me shumë kërkesa për t’u përmbushur për anëtarësimin. Po investojmë shumë edhe në demokraci, të drejtat e njeriut, sistemin gjyqësor, administratën tatimore – ndoshta nuk tingëllon emocionuese, por një shtet funksional ka nevojë për administratë tatimore që punon mirë. Mund të mos ju pëlqejë të paguani taksa, por është e nevojshme që të jenë të drejta dhe të mbledhura siç duhet. Po ashtu, po mbështesim edhe menaxhimin e mbetjeve – një projekt konkret që mbështesim bashkë me Albin dhe të tjerë. Kjo ka prioritet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Gazetari: Duke folur për integrimin, ju e përmendët më parë që Suedia po ndihmon Shqipërinë në këtë proces. A mendoni se ka një mundësi reale që Shqipëria t’i bashkohet BE-së rreth vitit 2030 ose 2028?

Ambasadori: Mendoj se ka një mundësi shume të madhe për Shqipërinë që të anëtarësohet në BE . Suedia e sheh Shqipërinë si vend pararojë për momentin, së bashku me Malin e Zi. Shqipëria ka bërë më shumë progres gjatë vitit të fundit në negociatat me BE-në. Tani, duhet të hapni negociatat – nga gjashtë fushat, katër janë hapur tashmë. Mendoj se është realiste që të hapen të gjitha brenda këtij viti, siç është edhe objektivi i qeverisë. Pastaj, sa kohë do të zgjasë procesi, kjo varet shumë nga vetë Shqipëria. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm – kur ju të jeni gati. Dhe dua të theksoj: këto reforma nuk i bëni vetëm për BE-në – i bëni për Shqipërinë. Kjo është gjëja më e rëndësishme.

Gazetari: Cilat janë prioritetet që duhet të ketë Shqipëria në vitet në vijim?

Ambasadori: Disa prej tyre i përmenda, por për biznesin është jetike që të kemi sundim të ligjit dhe një sistem drejtësie me kapacitete reale. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për investitorët, por për çdo qytetar. Gjithashtu, fushat si mjedisi dhe ndryshimet klimatike janë shumë të ndërlikuara – kërkojnë shumë burime dhe vëmendje. Dhe, janë të rëndësishme jo vetëm për BE-në, por për njerëzit që jetojnë këtu, për turistët që vijnë – ata duan një vend të pastër, natyrë, ujë dhe ajër të mirë. Këto janë të rëndësishme për të gjithë.

Gazetari: Dua të ndalem pak te zgjedhjet parlamentare që patëm në maj. Cili është vlerësimi juaj për zgjedhjet?

Ambasadori: Po, isha këtu gjatë zgjedhjeve. Madje dola edhe në terren dhe vizitova disa qendra votimi në Dibër. Nuk isha pjesë e misionit zyrtar të vëzhgimit, por mendoj se është shumë e rëndësishme që të dëgjojmë raportin e misionit të ODIHR-it. Kam lexuar raportin e tyre dhe ka padyshim ende gjëra që duhen përmirësuar në procesin zgjedhor në Shqipëri. Tani është e rëndësishme që qeveria dhe shoqëria të marrin seriozisht rekomandimet dhe të përpiqen t’i zbatojnë ato. Ka shumë partnerë që mund të ndihmojnë – përfshirë ambasadat partnere. Ne, si Suedi, kemi qenë shumë të përfshirë në këtë proces – kemi mbështetur reformën zgjedhore, kemi ndihmuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të zbatuar disa prej rekomandimeve. Kështu që, po – jemi të angazhuar edhe në këtë fushë dhe të gatshëm për të ndihmuar më tej.

Gazetari: Pyetja e fundit: Sa kohë keni në Shqipëri?

Ambasadori: Së shpejti bëhen dy vite.

Gazetari: Me siguri e njihni mirë tashmë Shqipërinë. Çfarë ju pëlqen më shumë këtu? Cilat janë vendet më tërheqëse për ju?

Ambasadori: Ndoshta do tingëllojë si një klishe, por vërtet e dua Shqipërinë. Është një vend fantastik – gjeografikisht i vogël, por me shumë dimensione të ndryshme. Dhe, për të qenë i sinqertë, suedezët e duan shumë Shqipërinë. Turistët suedezë që vijnë këtu për herë të parë – të gjithë thonë që do të kthehen. E duan bregdetin, e duan malet. Shqipëria është vendi ideal për mua. Dhe më pëlqen shumë ushqimi – mund të gjej edhe disa nga ushqimet e mia të preferuara këtu. Më trajtojnë shumë mirë – njerëzit janë të sjellshëm. E di që mikpritja është pjesë e kulturës shqiptare, ndaj ndoshta nuk është për t’u habitur, por dua të them që disa nga fshatrat e vegjël dhe qytetet në male më kanë lënë mbresa të mëdha. Shpresoj që edhe të tjerët ta shohin bukurinë e tyre. E kuptoj që ka emigracion nga këto zona, por mendoj që nëse njerëzit ikin, dikush tjetër do të vijë – ka shumë për të zbuluar.

S.B/A.A/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?