Rusia ka sulmuar me raketa dhe dronë Kievin në orët e mbrëmjes, duke shkaktuar të paktën 9 viktima dhe mbi 60 të plagosur, përfshirë 6 fëmijë dhe një grua shtatzënë. Ky konsiderohet një nga sulmet më vdekjeprurëse në qytet që prej nisjes së luftës tashmë trevjeçare.
Sulmi masiv goditi pesë rrethe të ndryshme të Kievit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesa banimi, struktura administrative dhe garazhe. Shumë njerëz ndodhen ende nën rrënoja ndërkohë që operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë.
“Rusia ka nisur një sulm masiv të kombinuar në Kiev,” njoftoi shërbimi i emergjencës përmes një postimi në Telegram. Sipas të dhënave zyrtare, 42 persona janë shtruar në spital, nga të cilët gjashtë janë fëmijë.
Në të njëjtën kohë, qyteti i Kharkiv në lindje të vendit u godit nga të paktën shtatë raketa, ndërsa autoritetet lokale raportojnë një tjetër sulm me raketa lundrimi vetëm pak orë më vonë.
“Një nga sulmet goditi një zonë banimi me popullsi të dendur,” deklaroi kryebashkiaku Igor Terekhov, duke shtuar se dy persona janë plagosur.
Andriy Yermak, këshilltar i lartë i presidentit Volodymyr Zelenskyy, dënoi ashpër sulmet, duke deklaruar se “Putini tregon vetëm një dëshirë për të vrarë. Sulmet ndaj civilëve duhet të ndalen.”
Situata në Ukrainë vijon të përshkallëzohet, ndërsa ndërkombëtarët shprehin shqetësim për rritjen e viktimave mes civilëve dhe dëmet e mëdha në infrastrukturën jetike të vendit.
Ne perditesim...
Komente
