Të paktën 21 palestinezë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e një serie sulmesh ajrore dhe të shtënash nga ushtria izraelite (IDF) në Rripin e Gazës. Lajmi raportohet nga agjencia palestineze e lajmeve WAFA, e cila bën me dije se sulmet kanë goditur disa zona në të gjithë territorin, përfshirë edhe vende ku qytetarët ishin në pritje të ndihmave humanitare.
Katër civilë humbën jetën dhe të tjerë u plagosën kur avionët izraelitë goditën një banesë në Jabalia al-Balad, në veri të Gazës. Ndërsa në afërsi të një qendre shpërndarjeje ndihmash në veriperëndim të Rafahut, 10 palestinezë u vranë nga forcat izraelite.
Gjithashtu, tre vëllezër u vranë gjatë një sulmi ajror teksa përpiqeshin të inspektonin shtëpinë e tyre të shkatërruar në lagjen al-Salatin të Beit Lahia-s, në veri. Spitali Al-Awda në Nuseirat raportoi dy viktima të tjera dhe të paktën 35 të plagosur, pas sulmeve ndaj qytetarëve që po prisnin ndihma përgjatë rrugës Salah al-Din, në qendër të Gazës. Nga të plagosurit, 16 janë në gjendje të rëndë.
Ndërkohë, spitali Nasser në Khan Younis ka raportuar të paktën një të vrarë dhe disa të plagosur pranë një pike ndihmash në jug të Gazës. Artileria izraelite ka bombarduar gjithashtu lagjen Shuja'iyya në lindje të qytetit të Gazës dhe zonën al-Satar al-Gharbi në veri të Khan Younis-it.
Që nga aktivizimi i pikave të shpërndarjes humanitare në fund të muajit të kaluar, numri i palestinezëve të vrarë teksa prisnin ndihma ka arritur në të paktën 450, ndërsa mbi 3.466 të tjerë janë plagosur.
Që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023, ofensiva ushtarake izraelite në Gaza ka shkaktuar vdekjen e 55.959 palestinezëve dhe plagosjen e 131.242 të tjerëve.
Lajmi kryesor:
Irani i përgjigjet SHBA-ve, sulmon bazat amerikane në Katar e Irak! Trump: Reagim i dobët, faleminderit që na paralajmëruat! 13 nga 14 raketa u rëzuan! Asnjë i lënduar (VIDEO)
SI.E./ReportTv.al