Bota

Sulmet e SHBA në Iran, eksperti Bilalli: Kina dhe Rusia janë të përfshira në mënyrë indirekte! Kemi hyrë në një fazë ku çdo veprim ka pasoja për gjithë njerëzimin

22 Qershor, 15:12| Përditesimi: 22 Qershor, 15:42

  • Share

Ish-diplomati dhe analisti nga Kosova, Lutfi Bilalli, në një intervistë për Report TV, ka dhënë një analizë të gjerë mbi situatën në Lindjen e Mesme pas sulmeve ajrore amerikane kundër impianteve bërthamore të Iranit.

Sipas tij, përfshirja e drejtpërdrejtë e Shteteve të Bashkuara e ndryshon rrënjësisht natyrën e konfliktit dhe konfirmon varësinë e plotë të Izraelit nga mbështetja amerikane.

“SHBA ka kohë që qëndron prapa Izraelit dhe do të qëndrojë çdo herë. Pa SHBA-në, Izraeli bie.”

Bilalli e konsideron goditjen e centraleve si Fordow jo vetëm një veprim ushtarak, por një lëvizje spektakolare që i shërben më shumë axhendës personale të Trump sesa paqes në rajon.

“Trump e paraqiti si spektakël dhe sukses të madh. Kemi paqe apo luftë, kjo është luftë.”

Ai thekson se situata ka hyrë në një spirale përshkallëzimi që mund të sjellë pasoja rajonale dhe globale, duke përmendur rrezikun e sulmeve të tjera dhe goditjeve hakmarrëse nga Irani.

“Iranit i është dhënë mesazhi se nëse nuk afrohet në tryezë, do të ketë goditje të tjera shkatërrimtare.”

Në analizën e tij, Bilalli përmend edhe rolin potencial të Rusisë dhe Kinës, të cilat sipas tij janë të përfshira në mënyrë indirekte përmes interesave të tyre strategjike dhe formatit BRICS.

“Kina dhe Rusia janë të përfshira në mënyrë indirekte. Irani është pikë kyçe për rrugën e gazit dhe investimet.”

Sa i përket mundësisë së një kundërpërgjigjeje iraniane, Bilalli përmend bazat amerikane në rajon si objektiva të mundshëm, përfshirë bazën Diego Garcia në Oqeanin Indian.

“Iranianët mund të synojnë bazën Diego Garcia, por kapacitetet e tyre nuk arrijnë atje.”

Ai paralajmëron gjithashtu për një konflikt më të gjerë që mund të përfshijë vende si Turqia dhe Pakistani. Megjithatë, Bilalli nuk sheh një përfshirje të menjëhershme të tyre në përplasje direkte.

“Turqia për momentin nuk do të përfshihet, edhe pse rrezikohet. Pakistani ka heshtur, por s’përjashtohet në të ardhmen.”

Në fund, ai ndalet edhe te pozicioni i Shqipërisë dhe Kosovës, duke paralajmëruar se mbështetja pa ekuivok për Izraelin mund t’i bëjë ato të ekspozuara ndaj reagimeve të Iranit.

“Shqipëria mund të jetë në rrezik për shkak të qëndrimeve të saj dhe pranisë së muxhahidinëve.”

Bilalli përmbyll duke theksuar se përshkallëzimi aktual përbën një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë globale.

“Kemi hyrë në një fazë të re, ku çdo veprim ka pasoja për gjithë njerëzimin.”

K.M/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni sulmin e SHBA-së ndaj impianteve bërthamore të Iranit?