Bota

Sulmet Izrael-Iran/ Krisafi: Do mbyllen në pak ditë, Teherani të vetmen fuqi ka raketat balistike! Nesho: Sponsorizues i terrorizmit! Laçi: Lufta sapo ka nisur

16 Qershor, 22:05| Përditesimi: 16 Qershor, 22:48

  • Share

Sulmet Izrael-Iran ishin në fokus të emisionit ‘5 pyetjet nga Babaramo’ mbrëmjen e sotme. Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi u shpreh se Izraeli ka një flotë shumë të fuqishme në krahasim me Iranin.

Ai tha se beson se lufta do të përfundojë brenda disa ditësh, një luftë e cila sipas tij është fituar nga Izraeli.

“Mënyra e organizimit ishte një kryevepër e jashtëzakonshme. E dyta për faktin se Izraeli ka marrë nën kontroll hapësira ajrore është arritje e jashtëzakonshme. Mes dy palëve ka një disbalancë, Irani ka marrë avione shumë të vjetër rusë që janë cilësi e dobët. Kanë një flotë për shtetin e Izraelit dhe ka një prodhim që është specifikisht për Izraelin. Dallimi mes Izraelit dhe Iranit është se e para është çështje e hapësirës, e dyta avion F35 nuk rrëzohet.

Lufta ka për të përfunduar për pak ditë sepse goditja që ka marr Irani është e madhe. Është një operacion i madh se ça ka bërë Izraeli në 3 ditë. Izraeli e ka fituar luftën. Irani ka dërguar sot pasdite 13 raketa, pra janë shumë pak në krahasim me ato që ka dërguar gjatë ditëve të para të këtij sulmi. Izraeli ka goditur sistem ngritës të raketave dhe nëse ti nuk ke sistem ngritës të raketave, ti nuk ke me se ta ngresh raketën dhe nuk ka për çfarë të duhet raketa fare. Të bësh një luftë të tillë disbalanca është e madhe mes palëve. Irani bënë propagandë që do shkatërrojmë Izraelin dhe ti nuk ke fuqi që ta bësh këtë gjë’, tha ai.

Por për Marlind Laçin lufta sapo ka nisur dhe do të vijojë.

‘Në këtë sulm Izraeli ka mbështetjen e SHBA, dhe e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Izraeli ka bërë një sulm spektakolarë, por edhe raketat që po përdoren nga Iranit janë të frikshme, janë Haiber, ajo ka një shpejtësi 8800 km në orë. Për mua lufta sapo ka nisur. Kjo luftë mendoj se do të vijojë’, tha ai.

Ambasadori Agim Nesho tha se Irani është sponsorizues i terrorizmit. Nesho komentoi edhe largimin e stafit të Ambasadës iraniane nga Shqipëria pas sulmeve kibernatike ndaj shërbime online.

‘Irani njihet nga bota si sponsorizuesi i terrorizmit dhe dihet aktet e bëra deri tani për të destabilizuar rajone të caktuara dhe shtete të ndryshme. Pastaj edhe largimi i ambasadës së Iranit nga Shqipëria, sepse ka ndodhur ne vende të tjera që janë larguar diplomat të caktuar, por jo që të largohet e gjithë selia dhe nuk kishte ndodhur që ambasadori i një vendi të largohej për arsye të bashkëpunimit me forca të ashtëquajtuara terroriste’, tha ai.

Gazetari Arlind Isa, teksa foli për zhvillimet e fundit nga sulmeve Iran-Izrael, tha se Irani po kërkon të ulet në bisedime.

‘Irani kërkon negociata, i është kërkuar Omanit dhe Katarit që të ushtrojnë presion tek SHBA që të ulen në negociata sa i takon programit bërthamor. Në natën e parë të sulmeve u hodh poshtë se do të bëheshin takime të tjera dhe kjo ka rënë thanë autoritet e Iranit. Është shprehur hapur ambicia për të vrarë Ali Khamenei dhe kjo është analizuar si një krisje mes Netanyahut dhe Trump, që nuk ka dhënë pëlqim që të bëhet kjo’, tha ai.

Ora 22:37
Konflikti Izrael-Iran/ Ekspertja e Ekonomisë: Përshkallëzimi i luftës do rrisë çmimin e naftës dhe mallrave të konsumit

1750104710_5pyetjetngababaramo.JPG

Ekspertja e Ekonomisë Zana Guxholli tregoi edhe efektet e mëdha që mund të ketë në ekonominë e vendeve, nëse konflikti Izrael-Iran përshkallzohet dhe përfshihen edhe vende të tjera.

Sipas saj, nëse kjo ndodh pritet që të jetë një rritje të ndjeshme e çmimit të naftës dhe të mallrave të konsumit.

'Efekti është i madh sepse është një zonë qëndrore për naftën dhe gazin dhe është nyje e rëndësishme për transportin e tyre dhe janë këto që japin menjëherë efekt në ekonominë globale. Frika është se do të pakësohet prodhimi i naftës. Pra kjo bënë që të rritet çmimi i naftës dhe gazit dhe e mallrave të konsumit dhe ky ndryshim në çmime lidhet direkt me inflacion dhe rrija e tij bënë që efekti të kalojë në buxhete. Kështu më pas ne do të kemi ulje të të artdhurave dhe shpenzimeve dhe më pas fillohet që të mendohet për një lloj rezerve.

Tani nuk është ndjerë shumë sepse sapo ka nisur lufta, por me kalimin e kohës nëse vijon me intensitet do të kemi rritje çmimesh. Nëse lufta mbaron shpejt kthehet ekonomia shumë shpejt ku ishte. Skenari më i frikshëm është konflikti të marr përmasa të mëdha dhe të përfshihen edhe vende të tjera, kjo do të ishte një shok që merr ekonomia e vendeve, sepse çmimi i naftës dhe gazit do të rriten shumë shkon në qiell’, tha ajo.

Ora 22:20
Shqiptarja Jeta Gani nga Izraeli: Kemi 20 vite që vuajmë nga Irani, situata është e vështirë, çdo gjë është mbyllur këto ditë

 

Shqiptarja që jeton në Izrael Jeta Gani, tha se situata në Izrael është vërë e vështirë pas sulmeve të fundit nga Irani.

Ajo theksoi se spitalet dhe supermarketet vazhdojnë të qëndrojnë të hapura, ndërsa shkollat dhe institucionet e tjera janë të gjitha të mbyllura.

‘Po kanë filluar sot pasdite dhe kishim njoftim që të ishim afër dhomave të strehimit. Ndërsa në veri të vendit ka pasur dy herë. Spitalet janë të hapura dhe funksionojnë dhe supermarketet, ndërsa shkollat dhe institucionet e tjera janë të mbyllura. Është një nga gjendjet më të vështira që kemi kaluar në 20 vitet e fundit. Kemi kaluar shumë luftra dhe bërryli kryesor ka qenë Irani’, tha ajo.

Ajo tha se qëllimi i Izraelit është që të mbrojë popullin e tij.

‘Qëllimi i luftës së Izraelit është që të mbrojë popullin e tij. Në Izrael populli qëndron këtu sepse jemi të siguruar nga ana e raketa dhe ne kemi një pjesë të madhe të Izraelit që janë jashtë vendit dhe duan që të kthehen këtu, sepse është vendi më i sigurt. Kjo luftë ndryshon nga të tjerat sepse kemi të bëjmë me një shtet të fuqishëm si është Irani, po ne gjithë kohës kemi qenë në luftë. Nuk kemi pasur qetësi asnjëherë dhe asnjëri s’na ka mbrojtur. Ne jemi mësuar me lufta dhe dimë si ti përballojmë’, tha ajo.

Një koment e pati edhe për qëndrimin e Shqipërisë në këtë konflikt.

‘Unë di që Shqipëria gjithmonë na mbështet dhe di që është pro Izraelit’, tha ajo.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?