Pas sulmeve gjatë natës, Izraeli ka nisur sërish goditjet ndaj Iranit. Shpërthime të reja u raportuan në Teheran. Forcat Izraelite të Mbrojtjes deklaruan se kanë shënjestruar selinë bërthamore të Iranit.
Ndërkohë, dhjetëra raketa iraniane u lëshuan edhe drejt Jerusalemit.
Objektivat e synuara përfshijnë objekte të lidhura me Gardën Revolucionare, sisteme mbrojtëse dhe depo armësh, me theks të veçantë në vendet ku ndodhen raketa balistike.
Sipas La Repubblica, sulmet u përqendruan në stadiumin Azadi, Chital, Pazarin e Madh Alaeddin, Taleghani, Niavaran, sheshin Fatemi (ku ndodhet Ministria e Brendshme) dhe zonat pranë Parlamentit.
Më herët, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi se 13 persona janë vrarë gjatë sulmeve iraniane që nga e premtja, ndërkohë që mbi 340 të tjerë janë plagosur. Mes viktimave është edhe një djalë 10-vjeçar. Në një ndërtesë të shembur në Bat Yam, ku u gjetën 6 trupa të pajetë, 20 rezultojnë ende të zhdukur.
Irani tha se në territorin e tij janë shënuar mbi 200 të vdekur dhe 650 të plagosur gjatë tre ditëve sulme izraelite.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump tha se është e mundur që SHBA të përfshihet në konfliktin midis Izraelit dhe Iranit.
'Është e mundur që ne të përfshihemi në konflikt', tha ai.
Në sulmin gjatë natës së djeshme ndaj Izraelit morën pjesë edhe rebelët Houthi të Jemenit, të cilët konfirmuan se janë koordinuar me Teheranin dhe ka qëlluar dy raketa drejt Tel Avivit. Tre dronë raportohet se u lëshuan në një bazë amerikane në Irak pas sulmeve izraelite ndaj Iranit, por u rrëzuan.
Ndërkohë, Irani njoftoi se ka arrestuar dy individë të dyshuar si anëtarë të agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad në provincën Alborz, ndërsa po përgatisnin bomba, kurthe shpërthyese dhe pajisje elektronike.
Ministri i Jashtëm izraelit, Izrael Katz paralajmëroi vazhdimin e sulmeve, duke thënë se “Teherani po shndërrohet në Bejrut”. Hapësira ajrore izraelite do të mbetet e mbyllur edhe sot, njoftuan autoritetet e aeroportit të Tel Avivit. Kalimet tokësore me Jordaninë dhe Egjiptin mbeten të hapura.
IDF njoftoi se në më pak se tre ditë, kanë sulmuar më shumë se 170 objektiva dhe mbi 720 objekte ushtarake të Iranit. Vetëm gjatë natës së kaluar, u shënjestruar 80 objektiva, duke përfshirë selinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit, selinë e projektit bërthamor Spand dhe objektiva të tjera.
Lajm në përditësim...
Irani ka humbur një tjetër person të profilit të lartë në sektorin e tij bërthamor pas sulmeve izraelite. Agjencia e lajmeve ISNA e Iranit raportoi se Ali Bagheri, një shkencëtar bërthamor nga Irani verior, u vra së bashku me familjen e tij në një sulm nga vendi rival.
Që nga fillimi i Operacionit Rising Lion, i nisur të premten (13 qershor) "të paktën 14 shkencëtarë bërthamorë janë vrarë në sulmet izraelite, përfshirë bomba makinash".
Më parë, agjencia e lajmeve IRNA e Iranit raportoi se "Izraeli shpërtheu pesë pajisje shpërthyese në zona të ndryshme të Teheranit".
Zëdhënësi Forcave të Mbrojtjes të Izraelit tha se Forcat Ajrore goditën një avion iranian që po furnizohej me karburant në aeroportin e qytetit Mashhad në verilindje të Iranit.
"Forcat Ajrore po punojnë për të arritur epërsi ajrore në të gjithë Iranin", thuhet në deklaratë.
Ky është sulmi më i largët që nga fillimi i operacionit afërsisht 2,300 kilometra larg Izraelit, dhe i pari kundër avionëve iranianë në tokë.
Pas sulmit të kryer nga Forcat Ajrore ndaj avionit që po furnizohej me karburant në qytetin Mashhad në verilindje të Iranit, televizioni shtetëror iranian raportoi se nuk u shkaktuan dëme të mëdha.
غارات عنيفة استهدفت مطار مشهد في ايران pic.twitter.com/vKZbHdlvCa
— عمر مدنيه (@Omar_Madaniah) June 15, 2025
Kabineti izraelit ka miratuar zgjatjen e emergjencës së jashtëzakonshme në të gjithë vendin, deri më 30 qershor, pas sulmeve nga Irani.
Presidenti i SHBA Donald Trump tha në rrjetin social Truth, se Irani dhe Izraeli duhet të arrijnë një marrëveshje. Sipas tij, falë ndërhyrjes së SHBA, së shpejti do të ketë paqe midis këtyre dy vendeve.
Po ashtu, presidenti amerikan, Donald Trump tha se parandaloi konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shkruan se paraardhësi i tij në detyrë, Joe Biden, i ka dëmtuar perspektivat e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
"Irani dhe Izraeli duhet të bëjnë një marrëveshje, dhe do të bëjnë një marrëveshje, ashtu siç detyrova Indinë dhe Pakistanin, në atë rast duke përdorur tregtinë me Shtetet e Bashkuara për të rikthyer zërin e arsyes dhe mendjen e shëndoshë në bisedime me dy udhëheqës të shkëlqyer të cilët ishin në gjendje të merrnin shpejt një vendim dhe të ndalonin luftën! Gjithashtu, gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përplaseshin forcërisht, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në luftë.
Unë e ndalova atë (Biden ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë idiote, por do ta rregulloj përsëri!). Një rast tjetër është Egjipti dhe Etiopia, dhe lufta e tyre për një digë masive që po ka një efekt në lumin madhështor Nil. Ka paqe, të paktën për momentin, për shkak të ndërhyrjes sime, dhe do të mbetet në këtë mënyrë! Po kështu, do të kemi paqe, së shpejti, midis Izraelit dhe Iranit! Shumë telefonata dhe takime po zhvillohen tani. Unë bëj shumë, dhe nuk marr kurrë merita për asgjë, por kjo është në rregull, populli e kupton. Bëjeni lindjen e mesme madhështore përsëri!”, shkruan presidenti i SHBA-së Donald Trump në rrjetin social Truth.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump për ABC Neës tha se është e mundur që SHBA të përfshihet në konfliktin e vazhdueshëm midis Izraelit dhe Iranit.
'Është e mundur që ne të përfshihemi', tha ai.
Ai gjithashtu përsëriti se Shtetet e Bashkuara "nuk janë të përfshira" në konflikt deri më tani.
Komanda e frontit të brendshëm e IDF ka njoftuar popullsinë se tashmë është e sigurt të dalin nga strehimoret. Më herët, sirenat e alarmit kishin rënë në pjesën më të madhe të Izraelit për shkak të lëshimit të raketave balistike nga Irani. Sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore kanë ndërhyrë për të interceptuar raketat, por ende nuk është përcaktuar me saktësi përqindja e tyre që është neutralizuar.
Sirenat e alarmit për raketa që vijnë nga Irani po bien në shumë zona të Izraelit, përfshirë rajonin e Golanit dhe Bregun Perëndimor. Raportohen shpërthime edhe në Jerusalemin e shenjtë.
Sipas burimeve ushtarake, Republika Islamike e Iranit ka lëshuar dhjetëra raketa në drejtim të Izraelit dhe sulmet nga Teherani po shfaqin një intensitet gjithnjë e më të lartë.
Mbi 200 të vrarë dhe 650 të plagosur nga sulmet izraelite në Iran. Burime të sigurisë në Teheran e bëjnë me dije këtë shifër që nga e premtja kur forcat izraelite nisën sulmet masive ndaj zonave të ndryshme të Iranit.
Në sulmet e natës, përveç depove të naftës Shahran dhe rafinerisë Shahr-e Rey, u godit edhe distrikti Narmak në Teheran, ku banojnë oficerë dhe institute kërkimore të Pasdaran.
U sulmuan gjithashtu një rafineri gazi në Asaluyeh, baza ushtarake dhe vende në provincat Kirmashan, Azerbajxhan Perëndimor dhe Kermansha.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Irani do të paguajë çmimin për vrasjen e civilëve.
"Ushtarët tanë, pilotët tanë, janë në qiellin mbi Iranin. Irani do të paguajë një çmim të lartë për vrasjen e qëllimshme të civilëve, grave dhe fëmijëve. Ne do t'i arrijmë objektivat tona dhe do t'u japim një goditje shkatërruese. Ata do ta ndiejnë forcën e plotë të krahut tonë", tha Netanyahu gjatë një vizite në Bat Yam.
Në Bat Yam u godit një ndërtesë nga një raketë dhe gjashtë civilë u vranë.
"Qytetarë të Izraelit: dëgjoni udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm. Kujdesuni shumë për jetën tuaj. Ne jemi në rrugën e fitores", përfundoi ai.
Shpërthime të reja të forta u dëgjuan në Teheranin veriperëndimor, i cili u godit nga sulmet ajrore izraelite. Uebsajti Khabar Online raportoi se Instituti i Kërkimeve Niroo, në veriperëndim të kryeqytetit, u sulmua nga Izraeli.
Qendra që u godit është një institut gjigant kërkimor i Ministrisë së Energjisë që përfshin laboratorë, departamente dhe staf të përqendruar në zhvillimin e qëndrueshëm. Ai luan një rol kryesor në zhvillimin e teknologjive të reja për industrinë e energjisë elektrike të vendit. Videot po shpërndahen në mediat sociale që tregojnë kolona tymi në qiell, si dhe zhurmën e dronëve në fluturim dhe sulmet e vazhdueshme.
Mediat iraniane raportuan gjithashtu se katër anëtarë të Gardës Revolucionare u vranë në sulmet izraelite ndaj garnizonit al-Mahdi në Urmia. Meysam Khalili, Ramin Valizadeh, Saeed Rezaei dhe Akbar Fatin janë emrat e katër anëtarëve të IRGC-së të vrarë. Departamenti i çështjeve publike i ITGC njoftoi se shtatë komandantë dhe anëtarë të Forcave Ajrore u vranë në sulmet ajrore izraelite më 13 qershor, së bashku me Amir Ali Hajizadeh.
Izraeli kishte thënë më parë se disa komandantë të lartë të Forcave Ajrore ishin të pranishëm në një bazë nëntokësore në kohën e sulmit, por mungonte konfirmimi iranian, i cili ka ardhur tani.
Forcat Izraelite të Mbrojtjes konfirmojnë se kanë sulmuar selinë bërthamore të Iranit.
"Ne sulmuam selinë bërthamore të Iranit. Regjimi terrorist iranian po synon civilët tanë në vend të kësaj", tha zëdhënësi i Forcave të Armatosura të Izraelit, gjenerali Effi Defrin, në një konferencë për shtyp .
Pamjet tregojnë sulmin izraelit ndaj një strukture që dyshohet se përdorej për prodhimin e dronëve Shahed, në qytetin Isfahan. Lajmin e konfirmoi zëvendësguvernatori i përgjithshëm i provincës Isfahan, Akbar Salehi, i cili sqaroi se sulmi shkaktoi dëme të lehta në ndërtesat përreth.
“Nuk raportohet për viktima”, shtoi ai, sipas agjencisë iraniane të lajmeve ISNA.
Irani pohon se ka përdorur një lloj të ri rakete balistike gjatë sulmeve të fundit ndaj Izraelit. Sipas agjencisë shtetërore iraniane Fars, raketa e quajtur "Haj Qassem" është përdorur për të goditur Izraelin gjatë valës së sulmeve të natës së kaluar. Lajmin e ka raportuar edhe CNN.
Ministri iranian i Mbrojtjes, gjenerali Aziz Nasirzadeh, kishte deklaruar që në fillim të majit në televizionin shtetëror iranian se kjo raketë e re është në gjendje të kapërcejë sistemet mbrojtëse si THAAD (Terminal High Altitude Area Defense) të ushtrisë amerikane, të vendosura në Izrael, si dhe sistemet Patriot dhe të tjera që përdoren nga vetë Izraeli.
Sipas një tjetër agjencie shtetërore iraniane, Tasnim, Irani e prezantoi këtë raketë në fillim të muajit të kaluar, duke deklaruar se ajo funksionon me karburant të ngurtë, ka një rreze veprimi prej 1.200 kilometrash dhe është e pajisur me një kokë lufte manovruese, e aftë të depërtojë në sistemet e mbrojtjes raketore.
Tasnim shtoi gjithashtu se kjo raketë e re ka një sistem të avancuar navigimi, që i mundëson të godasë objektivat me saktësi të lartë dhe të rezistojë kundër luftës elektronike.
Raketa mban emrin e Qassem Soleimani, ish-komandant i forcës elitare Quds — njësia për operacione speciale e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit — i vrarë nga një sulm amerikan në Irak gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump.
Israel Katz
Sulmet izraelite ndaj Iranit do të vazhdojnë dhe Teherani po shndërrohet në një Bejrut të dytë. Kështu ka deklaruar ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, sipas asaj që raportojnë mediat izraelite.
Forcat e armatosura izraelite, tha ai, “do të godasin objektivat (instalimet ushtarake) dhe do të vazhdojnë t’i heqin lëkurën gjarprit iranian në Teheran dhe kudo tjetër, duke e privuar nga aftësitë e tij bërthamore dhe sistemet e armatimit”.
“Diktatori iranian po e kthen Teheranin në një tjetër Bejrut dhe banorët e tij në pengje për hir të mbijetesës së regjimit të tij”, shtoi më tej Katz.
Irani ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona të akuzuar si pjesë e shërbimit të inteligjencës izraelite, Mossad.
Sipas një raporti të agjencisë së lajmeve Tasnim, të dy personat u ndaluan në provincën Alborz ndërsa po përgatisnin eksplozivë dhe pajisje elektronike.
Ky zhvillim vjen një ditë pasi faqet iraniane të lajmeve raportuan se pesë persona të tjerë ishin arrestuar për “bashkëpunim me Izraelin”.
Ata u ndaluan në qytetin qendror të Yazdit dhe sipas raportimeve, janë parë duke bërë fotografi.
Irani nuk ka dhënë ende një numër të përgjithshëm të të vdekurve në vend.
Të premten — ditën kur Izraeli filloi sulmet ndaj Iranit — përfaqësuesi i Teheranit në OKB deklaroi se ishin vrarë 78 persona. Ai shtoi gjithashtu se mbi 320 persona ishin plagosur.
Dje, autoritetet iraniane bënë të ditur se 60 persona, përfshirë 29 fëmijë, u vranë pasi një raketë rrëzoi një pallat 14-katësh në kryeqytet.
Në një zhvillim tjetër, guvernatori i provincës Azerbajxhani Lindor në veri të vendit tha se 30 ushtarë dhe një punonjës i shpëtimit janë vrarë, ndërsa 55 të tjerë janë plagosur.
Nuk është e qartë nëse këto shifra përfshihen në numrat e dhënë më herët apo përbëjnë një total të veçantë.
Po ashtu, ende nuk ka informacion nëse ka viktima të tjera nga sulmet e natës së fundit.
Natën e kaluar, Irani ka lëshuar rreth 80 raketa ndaj Izraelit në dy valë të ndara sulmesh. Lajmi është konfirmuar nga forcat e armatosura izraelite.
Në valën e parë, dyzet raketa janë drejtuar ndaj rafinerisë në Haifa, duke shkaktuar dëme në tubacionet e naftës dhe linjat e transmetimit, por pa e ndërprerë plotësisht funksionimin e saj, përveç në disa sektorë. Një nga raketat goditi një shtëpi në qytetin fqinj të Tamra, ku humbën jetën katër persona.
Më pas është konfirmuar se gjashtë persona kanë vdekur dhe mbi 200 janë plagosur në valën e dytë, e cila goditi pjesën qendrore të Izraelit. Një ndërtesë banimi në Bat Yam u godit, ku numri i personave të zhdukur ka rënë në tre.
Një tjetër raketë goditi qytetin Revohot, duke shkaktuar plagosjen e 40 personave.
Johann Wadephul
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka theksuar se Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë të gatshme të nisin një dialog me Iranin lidhur me programin bërthamor të Teheranit.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Seyyed Abbas Araghchi, ka deklaruar se “Amerika është bashkëfajtore” në sulmet izraelite kundër objekteve bërthamore të Iranit dhe se SHBA-të “duhet të marrin përgjegjësi për veten”.
Ai i bën thirrje SHBA-ve që të dënojnë sulmet e Izraelit, duke theksuar se këto sulme nuk do të kishin ndodhur kurrë pa “dritën jeshile” dhe mbështetjen nga ana e Uashingtonit.
“Kemi marrë mesazhe nga disa kanale që SHBA nuk ka qenë e përfshirë në këtë sulm, megjithatë ne nuk e besojmë këtë pretendim dhe kemi prova që e kundërshtojnë atë,” shkroi Araghchi në Telegram.
Ai shtoi se raundi i ardhshëm i bisedimeve bërthamore me SHBA-të mund të kishte hapur rrugën për një marrëveshje, por akuzoi Izraelin për sabotimin e këtij procesi.
Operacioni ushtarak i Izraelit kundër Iranit pritet të zgjasë “javë, jo ditë” dhe po zhvillohet me miratimin e Shteteve të Bashkuara. Kështu raporton CNN, duke cituar burime nga Shtëpia e Bardhë dhe burime izraelite.
Sipas asaj që ka deklaruar për CNN një zyrtar izraelit, administrata Trump, në biseda joformale, nuk ka kritikuar faktin që operacioni mund të zgjasë për disa javë. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka konfirmuar gjithashtu se administrata është e informuar për planet e Izraelit dhe i mbështet ato në mënyrë të tërthortë.
I pyetur se sa mund të zgjasë konflikti, zyrtari amerikan është përgjigjur se kjo varet nga reagimi i Iranit.
“Administrata Trump beson fuqishëm se kjo çështje mund të zgjidhet përmes vazhdimit të negociatave me Shtetet e Bashkuara,” ka shtuar zyrtari, sipas asaj që raporton CNN.
Sulmi izraelit ndaj centraleve bërthamore iraniane shënon kalimin e një "vije të re të kuqe". Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi në një takim me diplomatë të huaj.
"Regjimi sionist ka kaluar një vijë të re të kuqe në të drejtën ndërkombëtare dhe e ka bërë këtë duke sulmuar infrastrukturën bërthamore", tha Araghchi.
Dje, ish-drejtori i IAEA-s, Mohamed ElBaradei, kujtoi në rrjetin social X se sulmet ndaj centraleve bërthamore janë të ndaluara nga Neni 56 i Protokollit Shtesë të Konventës së Gjenevës.
Tre dronë janë lëshuar ndaj një baze ushtarake amerikane në Irak pas sulmeve izraelite ndaj Iranit. Këtë e kanë bërë të ditur të shtunën një zyrtar ushtarak amerikan dhe një tjetër zyrtar i SHBA-së, duke shtuar se dronët janë rrëzuar.
Baza ajrore që ishte në shënjestër është ajo e Ain al-Asad, në perëndim të Irakut, dhe asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Një rrjet milicish të fuqishme të mbështetura nga Irani në Irak ka qëndruar kryesisht i heshtur, pavarësisht përshkallëzimit të situatës mes Izraelit dhe Iranit.
Në të kaluarën, këto milici kanë sulmuar herë pas here bazat amerikane në Irak dhe Siri, si hakmarrje ndaj mbështetjes që Uashingtoni i jep Izraelit në luftën e tij në Gaza kundër Hamasit, i cili është aleat i Iranit.
Të paktën 13 persona janë vrarë nga sulmet iraniane që nga e premtja, ka konfirmuar kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu.
Sipas një deklaratë të lëshuar nga zyra e Netanyahut, mes viktimave janë tre fëmijë. Të plagosur rëndë janë 9 persona ndërsa 341 janë të plagosur lehtë.
Rebelët Huthi të Jemenit kanë marrë përgjegjësinë për lëshimin e dy raketave balistike në Izrael në 24 orët e fundit në koordinim me Iranin, duke thënë se ato shënjestruan "objektiva të ndjeshëm armik izraelitë" në zonën e Tel Avivit.
Gazeta "Times of Israel" raporton se pavarësisht këtij pretendimi, burime ushtarake izraelite i kanë konfirmuar medias se IDF nuk është në dijeni të ndonjë lëshimi rakete balistike nga Jemeni në 24 orët e fundit.
Presidenti amerikan Donald Trump bëri sërish të qartë se Uashingtoni nuk ka asnjë përfshirje në sulmin ndaj Iranit, ndërsa në të njëjtën kohë, lëshoi një paralajmërim të ashpër ndaj Teheranit se çdo sulm ndaj SHBA-ve do të provokojë një përgjigje ushtarake dërrmuese dhe në një nivel të paparë ndonjëherë më parë.
Presidenti amerikan përsëriti edhe njëherë se është i hapur për një marrëveshje midis Iranit dhe Izraelit, me qëllim përfundimin e konfliktit të përgjakshëm.
"Shtetet e Bashkuara nuk kishin absolutisht asnjë lidhje me sulmin ndaj Iranit sonte. Nëse sulmohemi nga Irani, në asnjë mënyrë, formë apo mjet, forca dhe fuqia e plotë e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara do të bjerë mbi ju në nivele të papara më parë. Megjithatë, ne mund të arrijmë lehtësisht një marrëveshje midis Iranit dhe Izraelit dhe t'i japim fund këtij konflikti të përgjakshëm!", ka deklaruar presidenti amerikan.
Disa izraelitë janë filmuar duke “festuar” teksa raketat iraniane ngatërrojnë objektiv dhe bien në një vend arab jo në qytetin e tyre.
Videoja është publikuar në rrjete sociale, krahas së cilës shkruhej: "Në këtë video, një numër izraelitësh brohorasin nga gëzimi. Sepse raketat iraniane po shkojnë drejt një qyteti arab, jo drejt tyre."
Mbrëmjen e djeshme, Izraeli dhe Irani kryen sulme ndaj njëri-tjetrit mbrëmjen e djeshme. Irani lëshoi të paktën 100 raketa kundrejt tokës izraelite në shenjë hakmarrjeje për goditjen e objekteve bërthamore dhe ushtarake.
Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 200 të tjerë janë plagosur në Izrael.
Sulmet e fundit me raketa iraniane në Izraelin qendror dhe Jerusalem kanë lënë të paktën 8 persona të vdekur dhe të paktën 200 të plagosur, sipas mediave izraelite. Të paktën katër persona, përfshirë një djalë 10-vjeçar, u vranë dhe rreth 100 të tjerë u plagosën në një sulm me raketa në rajonin qendror të vendit, sipas Magen David Adom, ekuivalentit të Kryqit të Kuq të Izraelit.
Në rajonin Shfela, 37 persona të tjerë u plagosën. Policia izraelite konfirmoi në një postim në X se një sulm përgjatë bregdetit qendror në distriktin e Tel Avivit vrau disa persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë.
Pasi një sulm i mëparshëm shkatërroi një ndërtesë trekatëshe në rajonin e Galilesë Perëndimore të Izraelit, MDA tha se tre gra u vranë.
"Dy gra u shpëtuan pa shenja jete dhe u shpallën të vdekura në vend", tha shërbimi i urgjencës. Një grua e tretë vdiq në spital.
Një raketë iraniane goditi një shtëpi në rajonin e Haifës, duke vrarë një grua dhe duke plagosur 14 të tjerë.
Komente
