Sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse

Bota

Sulmet ndaj objekteve të naftës, strategjia që po ndjek Kievi për ta detyruar Putinin të pranojë një armëpushim

27 Gusht, 09:36| Përditesimi: 27 Gusht, 09:41

  • Share

Djegia e thesarit të Putinit për ta detyruar të pranojë armëpushimin. Ofensiva e dronëve ukrainas zbulon një projekt strategjik: sulmet e lëshuara mbi impiantet e naftës ruse synojnë të kompensojnë vështirësitë në terren të ushtrisë së Kievit dhe ta bindin Kremlinin të pezullojë luftimet. Sepse është Moska ajo që së shpejti mund të ketë interesin më të madh për – fjalë për fjalë – të ndalur zjarrin. Që nga fillimi i gushtit janë përfshirë nga flakët dhjetë rafineri, më të mëdhatë e vendit, dhe efektet kanë nisur të ndihen.

Çmimi i karburantit në tregun kombëtar ka arritur nivelet historike dhe shumë stacione furnizimi kanë mbetur bosh, sidomos në Krime dhe në Siberi, ku raportohen radhë makinash në pompa dhe rritje çmimesh deri në 50 për qind. Analistët e Reuters vlerësojnë se bombardimet kanë ulur me 17 për qind kapacitetin për të shndërruar naftën bruto në benzinë dhe naftë, në një moment kërkese shumë të lartë: periudha e fundit e pushimeve nxit udhëtimet, duke iu shtuar nevojave të mjeteve bujqësore për korrjen e drithërave dhe kërkesës për ngrohje dimërore.

Inkursioneve po u shtohet saktësia dhe fuqia shkatërruese. Teknikët e Kievit kanë përsosur sistemet e drejtimit të dronëve, të cilët falë motorëve të fuqizuar mbajnë më shumë eksploziv. Pamjet ruse tregojnë mjetet pa pilot që pas fluturimeve prej shtatëqind deri në një mijë kilometra godasin strukturat më delikate dhe i shkatërrojnë. Një vit më parë mjaftonin shtatë deri në dhjetë ditë për t’i rivënë në punë pas një sulmi: tani vlerësohet se riparimet do të kërkojnë të paktën një muaj, ndoshta dy, duke ndikuar prodhimin e karburantit. Fotot satelitore tregojnë dëme të rënda në impiantet e Ryazan, Novokuibyshevsk dhe Saratov që sigurojnë të vetme 14 për qind të karburantit, ndërsa ajo e Novoshankhtinsk vazhdon të digjet prej gjashtë ditësh.

Kremlini ka pak masa për të frenuar krizën. Në fund të korrikut u vendos ndalimi i eksportit të benzinës dhe naftës, një masë që do të shtyhet për gjithë shtatorin: sipas portalit Bell, ky vendim bllokon nisjen e 50-60 mijë tonëve në javë, të pamjaftueshme për të kompensuar humbjet e shkaktuara nga dronët. Nuk përjashtohet ndalimi edhe i furnizimeve për vendet mike, me pasoja diplomatike, ose rritja e importeve nga Bjellorusia.

Ukrainasit nuk mjaftohen me goditjen e rafinerive, por synojnë edhe infrastrukturat që 'ushqejnë' shitjet e naftës dhe gazit jashtë vendit: burimi që mban gjallë ekonominë e luftës ruse. Sulmi më serioz ndodhi të dielën në Baltik kundër impiantit të lëngëzimit të gazit në Ust-Luga, që prodhon njëzet milionë ton në vit. U shkatërrua kulla e fraksionimit kriogjenik, zemra e strukturës, dhe nuk dihet kur aktiviteti do të rifillojë. Sulme të tjera kanë goditur depot më pranë frontit – një dje në Krime – për të ngadalësuar përparimin e trupave të Moskës.

Kremlini po bën gjithçka për të kundërshtuar veprimet e dronëve: në qytetet industriale antenat e celularëve fiket për dymbëdhjetë orë në ditë, duke u përpjekur të “verbojnë” aparaturat drejtuese të robotëve fluturues që gjejnë rrugën falë ripetitorëve të telefonisë. Shumë prej dronëve ukrainas megjithatë janë të pajisur tashmë me navigatorë të bazuar në inteligjencën artificiale, që identifikojnë profilin e terrenit dhe nuk tremben nga kundërmasat elektronike. Bateritë kundërajrore ruse janë forcuar me skuadrilje helikopterësh Hind dhe Aligator, që patrullojnë qiellin për të ndalur mjetet e vogla prej fibrash xhami, praktikisht të padukshëm për radarët.

Kievi ndërkohë ka shfaqur dy modele raketash cruise – Flamingo dhe Super-Neptune – që mund të shkaktojnë dëme edhe më të mëdha, sepse mbajnë koka shpërthyese tre herë më të fuqishme se ato të dronëve. Si pjesa tjetër e arsenalit të hedhur mbi Rusinë, ndërtohen në vend dhe i lejojnë qeverisë së Zelenskyt të injorojë veton e Pentagonit mbi përdorimin e armëve amerikane. Analistët pyesin se cila do të jetë përgjigjja e Moskës.

Kremlini nuk i ka ndërprerë bombardimet mbi fabrikat ukrainase, por mund të konkretizojë hakmarrjen me raketat gjigante Oreshnik, të përfolura disa herë. Putini duhet të kalibrojë me kujdes lëvizjet e tij, sepse administrata Trump ka vendosur mbi tryezën e negociatave një kërcënim vdekjeprurës: rritjen e tarifave ndaj Indisë për ta detyruar të ndalojë importet e naftës ruse. Vetëm shitjet e naftës për New Delhi gjenerojnë 90 miliardë dollarë në vit: burimi thelbësor i domosdoshëm për përpjekjen luftarake të carit./La repubblica

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?