Liban-Rritet bilanci i viktimave nga shpërthimet e telekomanduara të mijëra biperave (pagers) dhe pajisjeve elektronike minicelularë me të cilët ishin pajisur anëtarët e Hezbollahut në rajonin Liban-Siri, mes 17 dhe 18 Shtatorit.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se numri total i viktimave ka shkuar në 31 persona dhe i të plagosurve mbi 4300 (shifrat e deritanishme), nga të cilët një pjesë në gjendje të rëndë, kurse mbi 500 humbën shikimin.
Gazeta amerikane "New York Times" zbardh skemën, firma hungareze "BAC Consulting" ishte 'guaskë', pas saj dy shoqëri të tjera 'fantazmë. fiktive, që fshihnin Izraelin si organizator. Plani nisi më 2022, kur Hezbollah nxori celularët nga përdorimi. Lideri i organizatës, Nasrallah kërkoi pajisjen me mjetet e reja elektronike, izraelitët u infiltruan deri në prodhimin e tyre dhe sigurimin që të mos gjurmoheshin dhe zbuloheshin.
Nga porosia, te fabrika e prodhimit dhe dorëzimit, gjithçka e kamufluar dhe fshehur mirë, si 'preludi' i spiunazhit botëror.
Mes të plagosurve që ka humbur shikimin edhe ambasadori i Iranit në Liban, kurse mes viktimave edhe djali i një deputeti, shkruan “La Repubblica”.
“Në hapësirën e pak minutave, mes të martës dhe të mërkurës, Izraeli shkaktoi të paktën 31 vdekje dhe mbi 4300 të plagosur në Liban, pa gjuajtur asnjë të shtënë: duke sabotuar zinxhirin elektronik të furnizimit të Hezbollahut, partia-lëvizja paraushtarake, aleate me Iranin, e cila kontrollon zona të mëdha të vendit dhe ulet në Parlament”, shkruan media në fjalë.
Edhe kompania japoneze "Icom", marka e të cilës u konstatua tek radiot 'walkie talkie' të shpërthyera dje (18 Shtator), me rreth 20 të vrarë dhe 450 të plagosur, mohoi përfshirjen, duke njoftuar se "këto radio nuk i prodhojnë më prej 10 vitesh!".
Nga ana tjetër ka nisur edhe përshkallëzimi me teknologji dhe logjistikë ushtarake, pasi prej ditës së djeshme Izraeli ka zhvendosur ushtrinë e tij nga Jugu i Gazës, drejt veriut, në kufi me Libanin, teksa pritet një front i ri lufte që të shpërthejë.
Nasrallah, Hezbollah dhe Teherani kanë paralajmëruar për hakmarrje, duke akuzuar Izraelin dhe Mossadin për sulm kibernetik terrorist dhe gjenocid, raporton “Reuters”.
Pas shpërthimeve të pagerëve të milicisë, dje kanë shpërthyer qindra pajisje elektronike (të quajtura edhe walkie-talkie), që funksiononin po si minicelularë komunikimi, ku orientoheshin anëtarët e Hezbollah për aktivitete të ndryshme.
Çudia sipas ekspertëve është fakti se si pas ditës së martë kur nisën shpërthimet masive të telekomanduara nëpërmjet programit spiun që aktivizoi baterinë, Hezbollah dhe anëtarët e saj nuk çaktivizuan pajisjet.
Këto të fundit rezultoi se ishin markë e kompanisë së Tajvanit, “Gold Apollo”, pronari i të cilës sqaroi opinionin botëror dhe mediat se ata kishin dhënë autorizim për prodhim e shitje ndaj një kompanie europiane “BAC Consulting”, me qendër në Budapest të Hungarisë, për rajone të caktuara, të cilën do e padisnin për keqpërdorim të imazhit dhe pasojës së shkaktuar.
Më 17 Shtator u raportua për të paktën 12 të vdekur, 2800 të plagosur, nga të cilët 500 me humbje shikimi dhe 200 më rëndë.
Kurse dje u regjistruan rreth 20 të vdekur dhe 450 të plagosur (numri i përgjithshëm i viktimave deklarohet 31 deri tani). Gjithashtu janë prekur edhe dy fëmijë. Shpërthyen edhe panele diellore, ku u dëmtua sistemi energjetik, banesa e dyqane, deri tek makinat dhe motorët ku ndodheshin pajisjet në fjalë. Pati shpërthime edhe në momentin e varrimit të viktimave të një ditë më parë.
Kombet e Bashkuara reaguan menjëherë, duke e dënuar sulmin kibernetik ndaj pajisjeve që përdorte Hezbollah:
“Mos i ktheni objektet civile në armë”, ishte reagimi i organizatës.
Edhe Këshilli i Sigurimit u mblodh për diskutime urgjente. Irani u ankua në OKB dhe akuzoi për gjenocid.
Ministri i Mbrojtjes së izraelit Yoav Gallant tha se tani nis një fazë e re e konfliktit, ndërsa Shefi i Shtabit të ushtrisë izraelite paralajmëroi Hezbollahun se ka shumë aftësi që ende nuk janë aktivizuar. Reagim pati edhe nga Benjamin Netanjahu i cili tha se do ta mbajë premtimin për t’i kthyer banorët e Veriut në shtëpitë e tyre.
Pajisjet radio 'walkie talkie' të Hezbollah të shpërthyera, të markës japoneze 'Icom'
Tokio- Kompania japoneze “Icom” thotë se ka ndaluar së prodhuari modelin e telekomunikacionit që dyshohet se është përdorur në shpërthimet e fundit në Liban, rreth 10 vjet më parë.
"IC-V82 është një radio portative (walkie talkie) që është prodhuar dhe eksportuar, duke përfshirë Lindjen e Mesme, nga 2004 deri në tetor 2014. Ajo u ndërpre afërsisht 10 vjet më parë dhe nuk është dërguar nga kompania jonë që atëherë", thotë ‘Icom’ në një deklaratë, raporton "La Repubblica".
Një valë e re shpërthimesh shkatërruan Libanin pasditen e djeshme, kryesisht duke përfshirë telekomandë të përdorur nga anëtarët e Hezbollahut, një ditë pasi mijëra njerëz u plagosën kur biperat (pagers) e tyre shpërthyen në një sulm të koordinuar, për të cilin fajësohet gjerësisht Izraeli.
Nga sulmet e organizuara të 17 dhe 18 Shtatorit në Liban dhe Siri, duke shpërthyer me telekomandë nga distanca mijëra pajisje elektronike që përdoreshin nga anëtarët e Hezbollah, deri tani raportohen 31 të vdekur, mbi 4 mijë të plagosur dhe 500 të verbuar.
Gazeta amerikane “New York Times” raporton se Izraeli është pas sulmit dhe prodhimit të pajisjeve, duke përdorur kompaninë guaskë “BAC Consulting” në Budapest të Hungarisë dhe dy shoqëri të tjera fiktive ‘fantazmë’, për të manipuluar liderët e Hezbollah në porosinë e bërë.
Organizata e drejtuar nga Nasrallah kishte dhënë urdhër për heqje e celularëve, pasi Izraeli i gjurmonte dhe zëvendësimin me pajisje komunikimi si biper apo radio.
Nga sulmet me raketa në Izraelin verior
Izrael- Dy ditë pas sulmit kibernetik të organizuar me shpërthime të mijëra pajisjeve elektronike të komunikimit të anëtarëve të saj, Hezbollah duket se ka nisur hakmarrjen me sulme ndaj Izraelit, që e cilëson edhe përgjegjës të “aktit terrorist dhe gjenocidit” të 17-18 Shtatorit, në Liban dhe Siri.
Raketa janë lëshuar në zona kufitare drejt Izraelit verior, teksa ky i fundit i është përgjigjur po me të njëjtën shkallë nëpërmjet forcave të IDF-së.
Zëdhënësi i IDF-së informoi se avionët luftarakë të Forcave Ajrore sulmuan ndërtesat ushtarake të Hezbollahut dje në zonat Shekhin, A-Taiba, Balida, Mis al-Jabal, Eitaron dhe Kfar Kila në Libanin jugor.
Për më tepër, avionët sulmuan një magazinë Amalah në zonën Hayam dhe nisën bastisje të reja mëngjesin e sotëm (19 Shtator).
Kurse Hezbollahu sulmoi në Galilenë e Epërme, në veri të Izraelit, duke shkaktuar lëndime të shumta, raporton “Ynet”.
Sipas raporteve të mediave izraelite, disa persona u plagosën në një sulm me raketa antitank në veri të Izraelit, në një zonë pranë Menarës, në Galilenë e Epërme. Të paktën dy do të ishin raketa antitank të lëshuara nga Libani jugor.
Pajisjet biber (pagers) minicelularë dhe radio 'walkie talkie' të shpërthyera
Dy ditë pas sulmit kibernetik të telekomanduar me shpërthimin e mijëra pajisjeve biper (pagers) apo minicelularë “walkie talkie” ndaj anëtarëve të Hezbollah, më 17-18 Shtator në Liban e Siri, që ka lënë deri tani të paktën 31 të vrarë dhe mbi 4 mijë të plagosur, po bëhet e qartë edhe dora e autorit të dyshuar.
“Bac Consulting”, kompania hungareze që prodhoi pagerët që shpërthyen në Liban, ishte një kompani izraelite e cilësuar edhe si “guaskë”, pra e fshehur mirë.
Lajmin e ka publikuar “New York Times” sot më 19 Shtator dhe gjithashtu i raportuar nga “La Repubblica”, duke cituar tre oficerë të inteligjencës izraelite, të informuar mbi operacionin, të cilët i thanë gazetës se të paktën dy kompani të tjera fiktive u krijuan për të fshehur se prodhuesit e pagerëve ishin pjesë e shërbimit sekret izraelit.
Sipas raportit, pagerat filluan të dërgoheshin në Liban në vitin 2022 (një vit para nisjes së luftës me Hamas, 7 Tetor 2023), por furnizimi u rrit kur udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, deklaroi përdorimin e telefonave celularë si të rrezikshëm, duke u orientuar tek minicelularët dhe biperat, si më të sigurtë.
Pra sipas hetimeve të deritanishme, Izraeli dhe inteligjenca e spiunazhit Mossad, kanë rritur infiltrimin e tyre menjëherë pas luftës dhe në momentin që Hezbollah ka porositur pajisjet e reja elektronike, në punë janë vendosur shoqëritë “fantazmë”, duke operuar deri në zemër të firmës hungareze në Budapest.