Super skuadra që ‘flet’ me vepra! Pamjet kur qeni i policisë zbulon kokainë

7 Qershor, 17:47| Përditesimi: 7 Qershor, 19:23

  • Share

Steni, prej disa vitesh është pjesë e skuadrës policore të Kakavijës, në kërkim të parave të jashtëligjshme dhe drogës. Sot, gjeti me sukses kokainën në një prej valixheve, gjatë një demonstrimi në Parkun Rinia.

Njësoj si Steni, demonstrim bënë edhe qentë e tjerë të Policisë së Shtetit, përfshirë edhe nga Prishtina, Sarajeva, Shkupi dhe Podgorica.

Të stërvitësh një qen policie nuk është e lehtë. Ervini është kujdesur për Stenin që në vegjëli. Ai thotë se me kalimin e kohës gjërat bëhen më të thjeshta.

“Kam 3 vjet që jam shoqërues qeni në Pikën Kufitare të Kakavijës. Ky është Steni, e kam marrë që nga shkolla. Po kaloj një farë kohe nuk është më e vështirë, kur punon përditë krijohet lidhja me qenin. Steni në disa operacione ka zbuluar drogë dhe lekë cash”, shprehet Ervin Prifti, shoqërues Qeni.

Forca të ndryshme të policisë kanë në përdorim këta qen, të cilët angazhohen në operacione të ndryshme. Në total janë 92 skuadra, dhe një skuadër quhet një qen dhe shoqëruesi i tij.

“Aktualisht Policia e Shtetit ka 92 skuadra policore dhe janë të shpërndara në strukturat e sigurisë, në drejtoritë vendore dhe drejtoritë e kufirit dhe migracionit. Përdoren nga RENEA për kapjen e personave të rrezikshëm nëpër banesa, përdoren edhe nga njësia anti-eksploziv”, thotë Mirash Loci, shef në Institutin e Përgatitjes së Qenve

Por, cilat janë operacionet më të suksesshme të policisë në vitet e fundit, të cilat janë zgjidhur nga K9?

 “Janë sekuestruar 25 kilogramë kokainë në Durrës në një kontejner. Kemi pasur rast tjetër po në Durrës me sekuestrimin e 1.2 milionë eurove dhe 285 mijë pound”, thotë Loci.

Shefi i Institutit të Përgatitjes së Qenve në Policinë e Shtetit tregon për fillimet e trajnimit të qenve, ndërsa 2 muajt e parë qëndrojnë me nënën e tyre.

“Trajnimi i një qeni është i vështirë, fillon që në moshën 2 muajsh. Në institutin tonë ne kemi mbarështimin, pa qentë lindin në institut. Nga mosha 2 muaj merren nga specialistët e qenve që janë pranë institutit të policisë”, shprehet Mirash Loci.

Demonstrimi Rajonal për aftësitë e zbulimit të narkotikëve, parave dhe armëve të zjarrit u organizua për herë të parë në Tiranë, i organizuar nga Policia e Shtetit dhe Prezenca e OSBE në Tiranë. Qëllimi ishte të dëshmojë aftësitë e shoqëruesve të qenve të policisë dhe qenve të policisë për zbulimin e sendeve të paligjshme për të cilat janë trajnuar, ndërsa synon të rrisë aftësitë profesionale të tyre dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për rolin thelbësor që kanë.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?