Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla ka publikuar një dokument të ri në rrjete sociale krahas të cilit shkruan se është dëshmi se Serbia ka mbështetur politikisht, financiarisht e logjistikisht, grupin terrorist serb, të sulmit të së dielës. Ai nënvizon se ky dokument vërteton se ushtria e Serbisë, ka furnizuar me grantanata grupin që kreu sulmin në Veri të Kosovës në aksionin e 24 shtatorit. Tashmë, sipas tij ka prova se Beogradi qëndron pas sulmeve në Kosovë.
"Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës. Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit. Atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente të pakontestueshme se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht", shkruan ai.
Më 24 shtator, afër manastirit të Banjskës në Zveçan zonë e banuar me shumicë serbe ka ndodhur një përplasje e armatosur mes Policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur serb. Për pasojë janë vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe tre sulmues serbë. Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist të organizuar nga Beogradi.
Një ditë më parë Sveçla ka deklaruar se nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - Millan Radoiçiç ka qenë organizatori i sulmit dhe ka qenë pjesë e grupit që sulmoi policinë e Kosovës. Madje ai publikoi dhe pamje me dron, duke shtuar se se shihet Radoiçiç i armatosur, në mesin e një grupi burrash, po ashtu me armë në duar, dhe të veshur me uniforma. Kurse zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano ka refuzuar të komentojë pamjet ku shfaqet nënkryetari i Listës Serbe, duke thënë se BE-ja nuk nxiton të marrë një vendim bazuar vetëm me një video.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano ka refuzuar të komentojë pamjet ku shfaqet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç në Banjskë duke drejtuar një grup të personave të uniformuar e të armatosur.
Stano thotë se BE-ja nuk nxiton të marrë një vendim bazuar vetëm me një video.
“Ne nuk nxitojmë të dalim me përfundime bazuar në një video apo në diçka që është postuar aty këtu. Hetimi duhet bërë plotësisht, që BE-ja të ketë pamje të qartë se çfarë ndodhi dhe kush është fajtor”, ka deklaruar Stano.
Stano e ka konsideruar atë që ndodhi të dielën e zezë të 24 shtatorit në veri të Kosovës një sulm terrorist ndërsa shton se do të bëhet një hetim i plotë lidhur me këtë ngjarje,.
“Kemi pasur ndryshim shumë të madh të rëndësishëm, pas sulmeve terroriste të së dielës në veri të Kosovës. Për ne është me rëndësi që të bëhet hetim i plotë, të përfundohet hetimi. Kur kemi pamje të plotë e të qartë nga hetimi se çfarë ka ndodhur, kush ishte prapa kësaj, kush është përgjegjës, atëherë do të marrim vendimet e nevojshme. Në këtë moment është me rëndësi të qartësohen gjitha faktet”, ka thënë Stano.