Fitorja e Shqipërisë në miqësoren ndaj Gjibraltarit, edhe pse me rezultatin minimal 0-1, i ka shërbyer trajnerit Sylvinho për të përmirësuar statistikat në drejtimin e kuqezinjve.
Në atë që ishte ndeshja e tij e 27-të në pankinën kuqezi, braziliani regjistroi fitoren e 11-të, duke pasur gjithashtu në bilanc 7 barazime dhe 9 humbje. Ky ishte gjithashtu suksesi i katërt në miqësore për Shqipërinë nën drejtimin e tij.
Me këtë arritje Sylvinho barazoi numrin e fitoreve të ish-trajnerit gjerman të kuqezinjve, Hans-Peter Briegel, duke u ngjitur në vendin e tretë të podiumit të trajnerëve më fitimtarë në historinë e kombëtares. Diferenca është se braziliani e ka realizuar këtë kuotë me katër ndeshje më pak sesa Briegel.
Tashmë, përpara tij mbeten dy emra, italianët Edy Reja me 14 fitore dhe Gianni De Biasi, që mban rekordin historik me 21 suksese.
Komente
