Takimi në Vlorë, Rama shtyn ndryshimet në qeveri, planifikon fushatën e Bashkive

26 Gusht 2018, 07:41| Përditesimi: 26 Gusht 2018, 14:03

  • Share

As gjatë kësaj vjeshte politike duket se nuk do të ketë ndryshime në qeverinë ‘Rama 2”. Pavarësisht paralajmërimeve të kryeministrit Edi Rama, gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, në fund të muajit prill 2018, për ndryshimet të mundshme në shtator, pasuar me aludime në rrethet politike dhe mediatike, kabineti qeveritar pritet të ketë të njëjtën përbërje edhe gjatë zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Sipas burimeve të “Shqiptarja.com” gjatë mbledhjes dyditore në Vlorë, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takime kokë më kokë me secilin ministër, për përcaktimin e objektivave për 300-ditëshin e dytë të mandatit si dhe për planin për zgjedhjet lokale. Kjo nënkupton se kryeministri do t’i besojë këtij kabineti qeveritar, me po të njëjtën përbërje ministrash, zbatimin e planit të qeverisjes së vendit edhe për 300 ditët e ardhshme, afat i cili shkon përtej zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Përpos objektivave në lidhje me qeverisjen e vendit, kryeministri Edi Rama u ka besuar ministrave edhe detyra konkrete që kanë të bëjnë me përgatitjet për zgjedhjet lokale, ku që të dy elementet lidhen ngushtë me projektin e bashkëqeverisjes. Diçka e tillë vjen vetëm pak ditë para Asamblesë së Përgjithshme të Ps-së më 7 shtator, ku përflitej se Rama do të lajmëronte ndryshimet në qeveri, sjellin në përfundimin logjik që kreu i ekzekutivit ka vendosur që të shtyjë ndryshimet e mundshme në ekipin qeverisës.

Nuk ka logjikë që Rama vetëm pak ditë pasi ka hartuar e diksutuar në detaje strategjinë e një ministrie me kreun e saj aktual ta ndryshojë atë. Gjithsesi kjo nuk do të thotë se kryeministri nuk ka vërejtje për punën e disa ministrave.

Burime nga stafi pranë kryeministrit bënë me dije për "Shqiptarja.com" se Rama mund të ketë shumë arsye për të shkarkuar një ministër, por ka po aq shumë arsye për të mos ta ndryshuar, derisa nuk ka një kandidat potencial në lartësinë e ministrit në detyrë. Po ashtu, gjatë mbledhjes dyditore në Vlorë, kryeministri Rama nuk ka artikuluar asnjë kritikë apo preferencë personale për asnjë prej anëtarëve të kabinetit. Nga ana tjetër, nuk ka të dhëna që ndonjë figurë e Partisë Socialiste të ketë marrë ndonjë sinjal për t’u bërë pjesë e kandidatit qeveritar, çka përjashton mundësinë për ndryshime në qeveri, të paktën deri pas zgjedhjeve lokale.

Dy shtyllat e aksionit

Gjatë mbledhjes dyditore në Vlorë janë përcaktuar dy shtyllat ku socialistët do të vijojnë aksionin e tyre qeverisës. E para lidhet me strategjinë politike të PS-së, për të maksimizuar votat në zgjedhjet e ardhshme lokale, dhe e dyta në ofertën që socialistët pritet t’i ofrojnë opozitës për një bashkëpunim me fokus në realizimin e reformave për të dalë para BE-së me një qëndrim të përbashkët se vendi është gati për hapjen e negociatave.

Për zyrtarizimin e këtyre dy shtyllave, pritet të mblidhet Asambleja e Partisë Socialiste në datën 7 shtator. Gjatë mbledhjes së Asamblesë pritet të identifikohen edhe kryetarët e bashkive, të cilët mund të mos konfirmohen për të garuar për një tjetër mandat.

Veliaj merr pjesë në mbledhje

Mbledhja e qeverisë në Vlorë, më shumë se një mbledhje qeverie pati tiparet e një mbledhjeje të PS-së, ku morën pjesë ministrat, por nuk munguan tre eksponentë shumë të rëndësishëm në PS. Në mbledhjen dyditore të qeverisë në Vlorë ka marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Gjithashtu në mbledhje kanë marrë pjesë kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla dhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi. Në mbledhje gjithashtu u diskutua për një strategji politike për komunikimin me publikun. Mbledhja u zhvillua nën masa të shumta sigurie. Edhe në baret dhe restorantet pranë rezidencës u vendosën roje të Gardës së Republikës.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?