Kryetari i Partisë Demokratike përmes një postimi në Facebook ka shkruar për paketën fiskale të programit të demokratëve.
Ai thotë se taksa e sheshtë 9% është rruga që do të konsolidojë shtresën e mesme të shoqërisë dhe do jetë shtylla kryesore e ekonomisë.
Por zëvendëskryeministri Erion Braçe është shprehur me kritika për këtë program duke thënë se kjo taksë i heq barrën bizneseve të mëdha dhe ja ngarkon bizneseve të vogla
Postimi i plotë në Facebook:
Gjatë këtyre ditëve kam marrë mesazhe të shumta për paketën fiskale të programit tonë ekonomik prezantuar së fundi publikut. Prej tyre kuptova edhe më mirë nevojën e madhe që kanë punonjësit, inxhinierët, ekonomistët, mjekët, avokatët, profesionistët dhe sipërmarrësit për masa dhe lehtësi fiskale, që ju bëhen krah në këto kohë të vështira.
Taksa e sheshtë 9% është një rrugë përmes së cilës ne do të konsolidojmë shtresën e mesme të shoqërisë. Ajo është shtylla kurrizore e një ekonomie të shëndetshme dhe të qëndrueshme në qytet dhe fshat. Kjo është vetëm një nga mënyrat se si do të fuqizojmë të gjithë ata që punojnë. Puna dhe mundi juaj nuk duhet të mbitaksohen. Përkundrazi, sa më shumë para në xhepat tuaja, aq më mirë për ekonominë tonë. Këto 7 vite, qeveria Rama ka rritur taksat më shumë se çdo qeveri tjetër më parë, duke i keqmenaxhuar dhe shpërdoruar ato si asnjëherë më parë.
Shqipëria ka nevojë për frymëmarrje, shqiptarët duan mbështetje dhe lehtësi fiskale nga shteti, dhe jo një qeveri arrogante, që ju nxjerr vetëm pengesa. Ne do e rishikojmë të gjithë paketën e taksave aktuale për t’ia lehtësuar procedurat bizneseve dhe investitorëve vendas dhe të huaj. Unë e di që do na duhet të marrim vendime të rëndësishme dhe ne do t'i marrim ato së bashku.
Qëllimi ynë është që të kemi një shoqëri të qëndrueshme, me një shtresë të mesme solide në zemër të saj dhe me institucione që ju shërbejnë qytetarëve dhe jo partive. Bashkë do ta largojmë të keqen dhe do sjellim ndryshimin që duan të gjithë!