Foto ilustruese

Bota

Tarifat doganore të Trump: Çfarë ndodh pas vendimit që i shpalli të paligjshme?

30 Maj, 12:05| Përditesimi: 30 Maj, 13:24

  • Share

Çfarë është saktësisht Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare (CIT) e Shteteve të Bashkuara, e cila i ka shpallur të paligjshme tarifat doganore reciproke të administratës Trump?

Është një gjykatë federale, e krijuar në vitin 1980 me seli në New York, me juridiksion kombëtar mbi tarifat doganore; importet dhe eksportet; çështjet e tregtisë ndërkombëtare, si ligjet antidumping ose masat mbrojtëse; veprime kundër agjencive federale, për shembull Departamentit të Tregtisë ose Komisionit Amerikan për Tregtinë Ndërkombëtare. CIT nuk merret me mosmarrëveshje mes privatëve, por me konflikte mes operatorëve tregtarë dhe shtetit federal ose raste kur kundërshtohet ligjshmëria e politikave tregtare.

Çfarë thotë vendimi i CIT?

Gjykata ka urdhëruar anulimin e menjëhershëm të tarifave të vendosura sipas “International Emergency Economic Powers Act” (IEEPA) dhe i ka kërkuar administratës që brenda 10 ditësh të nxjerrë urdhrat administrative të nevojshme për të zbatuar ndalesën e përhershme. Por Gjykata e Apelit e Shteteve të Bashkuara për Qarkun Federal, me seli në Uashington, ka pranuar ankesën e qeverisë duke “pezulluar përkohësisht” vendimin. Pra gjithçka, për momentin, mbetet si më parë.

Cilat tarifa janë shpallur të paligjshme nga CIT?

Gjykata ka shpallur të pavlefshme: tarifën universale prej 10% mbi pothuajse të gjitha importet; tarifat “reciproke” më të larta për rreth 60 vende, me përqindje që shkonin deri në 50%; tarifat prej 25% mbi produkte nga Kanadaja dhe Meksika, të justifikuara nga shqetësime për emigracionin dhe trafikun e drogës; tarifat prej 20% mbi mallrat kineze, të lidhura me krizën e fentanilit; heqjen e përjashtimit nga detyrimi doganor për dërgesat me vlerë të ulët nga Kina. Tarifat universale prej 25% për çelikun, aluminin dhe makinat, të vendosura përmes ligjeve të tjera (seksionet 232 dhe 301), mbeten në fuqi.

Pse i ka shpallur të paligjshme këto tarifa CIT?

Gjykata ka vendosur se presidenti ka tejkaluar kufijtë e ligjit “International Emergency Economic Poëers Act” (IEEPA) të vitit 1977. Sipas këtij ligji, fuqitë e jashtëzakonshme mund të përdoren vetëm në prani të kërcënimeve “të pazakonta dhe të jashtëzakonshme”. Gjykata ka vlerësuar se deficitet tregtare dhe praktikat e padrejta tregtare nuk përbëjnë kërcënime të tilla. Për më tepër, ajo ka deklaruar se vendosja e tarifave pa miratimin e Kongresit cenon ndarjen e pushteteve të parashikuar nga Kushtetuta.

Kush e ka ngritur padinë në CIT?

Padia është ngritur nga pesë biznese të vogla amerikane, përfshirë V.O.S. Selections, dhe nga dymbëdhjetë shtete të drejtuara nga demokratët, përfshirë Oregonin, Nju Jorkun dhe Illinois-in. Rasti është mbështetur nga Liberty Justice Center dhe profesori i drejtësisë Ilya Somin.

Cilat janë pasojat e vendimit?

Vendimi përfaqëson një kufizim të rëndësishëm ndaj përdorimit të kompetencave presidenciale për të vendosur tarifa pa miratimin e Kongresit. Edhe pse administrata Trump ka njoftuar synimin për të apeluar, vendimi mund të ndikojë në politikat tregtare të ardhshme dhe të forcojë rolin e Kongresit në rregullimin e tregtisë ndërkombëtare.

A mund të vazhdojë administrata të vendosë tarifa në pritje të apelimit?

Po, sepse një Gjykatë Federale Apeli ka pranuar kërkesën urgjente të Shtëpisë së Bardhë dhe ka “pezulluar përkohësisht deri në njoftim të ri” vendimin. Prandaj tarifat reciproke mbeten në fuqi. Sipas këshilltarit për tregtinë të Trump, Peter Navarro, administrata “do të reagojë me forcë” ndaj vendimit të gjykatës dhe “do të gjejë mënyrën për të vendosur tarifat edhe nëse humbet betejën ligjore”.

A mund të kërkojnë importuesit rimbursim për tarifat e paguara tashmë, nëse ankesa e qeverisë rrëzohet?

Sipas Ilya Somin, jurist dhe profesor universitar i përfshirë në çështje, pezullimi i përkohshëm i urdhëruar nga Gjykata e Apelit i lejon administratës të vazhdojë të mbledhë tarifat gjatë pritjes së vendimit përfundimtar. Megjithatë, nëse qeveria humb në apel, ajo do të duhet t’ua kthejë importuesve tarifat e mbledhura ndërkohë. Somin thekson se “në këtë fazë kalimtare kompanitë duhet patjetër t’i drejtohen juristëve të specializuar, sepse ka kompleksitete teknike ende të paqarta, veçanërisht për afatet dhe mënyrat e mundshme të rimbursimit”.

A mund ta përdorë Trump sërish IEEPA ose ligje të tjera për të vendosur tarifa?

Nuk përjashtohet, edhe pse vendimi sugjeron që IEEPA mund të përdoret vetëm për tarifa me përmasa të kufizuara.

Cilat janë tani afatet për zgjidhjen e çështjes, pas apelimit të qeverisë kundër vendimit?

Somin mendon se procesi i apelimit mund të përfundojë më shpejt se zakonisht dhe të zgjasë “disa javë, por mund të kërkojë më shumë kohë, pasi Gjykata e Apelit ka diskrecion të madh për kohën”. Kushdo që humbet në apel do t’i drejtohet më pas Gjykatës së Lartë, e cila do të vendosë nëse do ta shqyrtojë apo jo rastin. “Pritshmëria ime — dhe mund të jem gabim — është që do të veprojnë më shpejt se zakonisht për shkak të ndikimit të madh në ekonominë globale, por ajo që është e shpejtë për ta, është e ngadaltë për botën normale”.

Çfarë ndodh me marrëveshjen e firmosur tashmë mes SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar?

Për momentin nuk ndryshon asgjë. Por nëse administrata Trump humbet betejën ligjore në apel, do të bjerë baza ligjore mbi të cilën u mbështet marrëveshja, edhe pse ajo nuk do të anulohet automatikisht. Pjesë të marrëveshjes mund të bëhen të pavlefshme ose të kërkojnë rishikim. Prandaj është e pritshme që të ketë konsultime diplomatike mes Uashingtonit dhe Londrës. Gjithçka do të varet gjithashtu nga rezultati i apelimit të paraqitur nga administrata amerikane.

Çfarë ndodh tani me negociatat mes Bashkimit Europian dhe SHBA?

Negociatat nuk ndalen. Përkundrazi, hapet hapësirë për një dialog më konstruktiv. Megjithatë, mbetet si faktor ndikues edhe ankesa e paraqitur nga administrata amerikane./Corriere della Sera

 

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?