Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që kërkon që tarifat e reja të hyjnë në fuqi për dhjetëra vende brenda shtatë ditësh.
Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të ‘modifikuar’ tarifat doganore të ndërsjella, që variojnë nga 10% në 41% për rreth 70 vende.
Trump konfirmoi edhe tarifën doganore ekzistuese 15% për Bashkimin Europian, siç edhe u ra dakord gjatë takimit dypalësh midis tij dhe Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Skoci.
Masat e reja do të hyjnë në fuqi më 7 gusht. Një nga rritjet më të larta të njoftuara ishte për Kanadanë: nga 25% në 35% (dhe deri në 40% për mallrat që përpiqen të shmangin këtë tarifë doganore). Sipas Shtëpisë së Bardhë, kjo është një përgjigje ndaj “mungesës së veprimeve dhe hakmarrjeve të vazhdueshme” nga ana e Kanadasë. Më herët Trump shkroi në rrjetin Truth se, pas deklarimit të gatishmërisë nga kryeministri kanadez Carney për të njohur shtetin e Palestinës, “do të jetë shumë e vështirë për ne të arrijmë një marrëveshje tregtare me ta”.
India u godit me tarifa doganore 25%, pasi vendi ka refuzuar t’u japë akses SHBA-ve në sektorin e saj bujqësor. Për më tepër, Trump kishte kërcënuar në rrjetet sociale me masa shtesë për ta ndëshkuar New Delhin për blerjen e naftës ruse.
“Nuk më intereson çfarë bën India me Rusinë. Le të shembin së bashku ekonomitë e tyre të vdekura”, shkroi Trump në Truth.
Tarifa të tjera përfshijnë:
39% për Zvicrën, e cila deri në fund përpiqej të diskutonte me presidentin një propozim të dërguar disa javë më parë;
30% për Afrikën e Jugut;
15% për Izraelin, po aq për Turqinë, Lesoton, Venezuelën, Kamerunin dhe Çadin (Shtëpia e Bardhë sqaroi se kjo është tarifa doganore standarde në rastet e bilancit tregtar me deficit të ulët);
20% për Tajvanin, Vietnamin dhe Bangladeshin;
19% për Pakistanin.
Trump sqaroi se vendet që nuk janë përmendur në urdhrin ekzekutiv të firmosur, do t’i nënshtrohen një tarife doganore të përgjithshme prej 10%. Një burim tha për Reuters se kjo është zgjidhja e ndjekur nga Shtëpia e Bardhë në rastet kur bilanci tregtar është në favor të SHBA-ve. Administrata e Trump priti deri rreth 5 orë para mesnatës për të shpallur konkretisht përqindjet e tarifave të reja doganore, ndërsa liderë të huaj përpiqeshin gjatë gjithë ditës ta kontaktonin me telefon për të finalizuar marrëveshje apo për të kërkuar përjashtime.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e përshkroi marrëveshjen me BE-në si “më me ndikim në histori” dhe shtoi se ajo ishte e pranishme kur Trump negocioi në Skoci me Ursula von der Leyen: presidenti “e shtrydhi sa më shumë që mundi”. Lidhur me përjashtimet e mundshme, Leavitt tha se “liderët e huaj po e telefonojnë Trumpin… dhe po sjellin oferta të reja në tryezën e tij”.
Trump ka ushtruar presion ndaj shumë partnerëve tregtarë duke i kërcënuar me tarifa doganore edhe më të ashpra dhe deri më tani ka shmangur pasojat negative për ekonominë amerikane që shumë ekspertë kishin parashikuar. Megjithatë, indeksi i çmimeve të shpenzimeve për konsum personal - një tregues kyç i inflacionit për Rezervën Federale që mat ndryshimet e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të blera nga konsumatorët në SHBA, përjashtuar ushqimin dhe energjinë – u rrit në 2.6% në qershor (nga 2.4% në maj).
Në të njëjtën kohë, ai përballet me një sfidë ligjore: gjykata e apelit, e cila dëgjoi dje argumentet e administratës që Trump ka autoritetin të vendosë tarifa doganore në bazë të ligjit për “Pushtetin Ndërkombëtar të Emergjencës Ekonomike” (International Emergency Poëer Act), shfaqi dyshime dhe vërejti se ligji nuk përmend tarifat doganore dhe se ekzekutivi po pretendon një pushtet të pakufizuar.
Mëngjesin e djeshëm, presidenti amerikan njoftoi një shtyrje për Meksikën: presidentja Claudia Sheinbaum e bindi atë që të shtyjë me 90 ditë afatin. Si rrjedhojë, do të vazhdojnë të jenë në fuqi tarifat doganore 25% për makinat meksikane dhe 50% për metalet, ndërsa Meksika do të shmangë tarifën doganore 30% për produkte të tjera të përfshira në marrëveshjen NAFTA. Të mërkurën, Koreja e Jugut pranoi tarifën doganore 15% për të gjitha produktet, përfshirë makinat, dhe u zotua të investojë 350 miliardë dollarë në projekte ende të papërcaktuara, të zgjedhura nga Trump.
Ndërkohë, Brazilit iu vendos një tarifë doganore prej 50% (me përjashtime për avionët, energjinë dhe lëngun e portokallit), si dhe sanksione për një gjyqtar të Gjykatës Supreme që po merret me çështjen kundër ish-presidentit Bolsonaro. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi gjatë një interviste, pavarsisht se tarifat doganre hyjnë në fuqi sot, do të ketë ende hapësirë për negociata për ata që nuk kanë arritur ende një marrëveshje.
Administrata gjithashtu ka njoftuar se i ka dërguar letra 17 kompanive farmaceutike amerikane, duke i urdhëruar që brenda 60 ditësh të ulin çmimet e ilaçeve, të cilat në disa raste në SHBA “kushtojnë trefishin” krahasuar me çdo vend tjetër.
Foto: Donald Trump
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që vendos tarifa doganore reciproke që variojnë nga 10% në 41% për importet nga dhjetëra shtete.
Siria kryeson listën me një normë të re tarife prej 41% - një shifër e jashtëzakonshme për një vend që ende po përpiqet të rikuperohet nga një luftë civile 14-vjeçare që sapo ka përfunduar.
Laosi dhe Myanmari vijnë më pas në listë, secili me tarifa prej 40%. Ekspertët kishin paralajmëruar më parë se tarifat e reja të Trump pritej të godisnin veçanërisht rëndë ekonomitë aziatike.
Edhe Serbia është mes vendeve me tarifën më të latë doganore, 35%. Ndërkohë, Shqipëria nuk është në këtë listë, pasi ndaj vendit tonë është aplikuar tarifa doganore 10% që është futur në fuqi më datë 5 prill.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, është shprehur i zhgënjyer nga vendimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të rritur tarifat doganore ndaj mallrave kanadeze nga 25% në 35%, për produktet që nuk përfshihen në kuadër të marrëveshjes tregtare mes SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë.
Megjithëse ka firmosur urdhrin ekzekutiv për vendosjen e tarifave doganore ndaj vendeve të mbarë botës, Donald Trump është shprehur se mbetet i hapur për të negociuar. Në një intervistë për NBC, presidenti amerikan siguroi se dera e tij është e hapur për oferta bindëse: “Kjo nuk do të thotë që dikush nuk mund të vijë pas katër javësh dhe të thotë se mund të arrijmë një marrëveshje,” tha ai. Trump deklaroi se është i gatshëm të negociojë edhe me Kanadanë. Sa i përket mundësisë së rritjes së çmimeve për mallrat, Trump nuk u shfaq i shqetësuar. “Çmimi i vetëm që është rritur është fakti që po hyjnë qindra miliarda dollarë,” u shpreh ai.
Komente

Shba eshte shteti me qesharak ne kete planet, ku kane perfunduar.
Përgjigju