Organizata kriminale e kryesuar prej vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja që ndodhen njëri në Belgjikë e tjetri në Dubai, sipas SPAK pas fuqizimit në tregun ndërkombëtar të drogës kanë investuar në ndërtim në Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
Nëpërmjet personave të tretë vëllezërit Çopja kanë investuar në ndërtimin e godinave dhe komplekseve të banimit fillimisht.
Por edhe kanë investuar në çeljen e operatorëve ekonomikë në emrat të të tjerëve dhe përdorimin e tyre për fshehjen e natyrës së vërtetë të burimit dhe aktivitetit, me qëllim pastrimin e parave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
'Evidentohet përdorimi i sektorit të ndërtimit nga organizata kriminale, ku nëpërmjet personave të tretë ka injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme cash për realizimin e punimeve të godinave të banimit në proces ndërtimi si dhe në ndërtimin e godinave/komplekseve të banimit prej fillimit.
Rezulton se, organizata kriminale ka investuar në çeljen e operatorëve ekonomik si dhe përdorimin e operatorëve ekonomik ekzistues me aktivitet në Shqipëri, të cilët “de jure” janë regjistruar në emër të lidhjeve të tyre shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese, duke mos ekspozuar poseduesit “de facto” dhe përdorimin e tyre si kamuflim/fshehje të natyrës së vërtetë të burimit dhe aktivitetit, me qëllim pastrimin e parave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal.', thuhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK.
Lajmi kryesor:
SPAK zbulon aktivitetin e organizatës kriminale të vëllezërve Çopja në Elbasan: Kryen 4 vrasje, 14 i porositën, vodhën 4.6 mln euro në Rinas! Sekuestrohen 1 mln euro cash
G.K//ReportTv.al