Vdekja e 65-vjeçarit Gjergj Tusha në Lezhë mbrëmjen e së premtes (3 tetor 2025), i cili u gjet i pajetë pranë hidrovorit në Tale, ka marrë një tjetër rrjedhë.
Pavarësisht se Policia e Lezhës njoftoi fillimisht se viktima ka në trup plagë të dyshuar të shkaktuar nga arma e zjarrit, dyshohet që 65-vjeçari të jetë vrarë nga demi.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka përcaktuar se plaga e gjetur në trupin e viktimës Gjergj Tusha nuk është shkaktuar nga armë zjarri, por nga një goditje e fortë që ka sjellë thyerje të brinjëve dhe dëmtime të brendshme. Sipas burimeve nga hetimet, në momentin që dyshohet se ka ndodhur ngjarja, viktima ndodhej në kullotë, duke u kujdesur për bagëtitë.
Hetuesit po analizojnë mundësinë që viktima të jetë goditur nga demi që ruante, pasi në brirët e kafshës janë konstatuar njolla gjaku.
Në dëshminë e saj, bashkëshortja e viktimës ka pranuar se demi ishte i egër dhe se e kishte paralajmëruar të shoqin për rrezikun që mund t’i kanosej. Aktualisht po pritet përfundimi i analizave laboratorike, të cilat do të përcaktojnë nëse gjurmët e gjakut në brirët e demit përputhen me ato të viktimës.
65-vjeçari Gjergji Tusha ishte pajisur 3 herë me urdhra mbrojtje nga i biri, i cili dyshohet se e dhunonte. Për shkak të problemeve me të birin, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë e një krimi në familje, por për këtë pistë nuk ka ende prova. Familjarë të tij po merren në pyetje. Ishte vajza e tij e cila kërkoi ndihmën e policisë për të gjetur babanë e saj më te cilin nuk kishte kontakte. Gjergji Tusha nuk kishte asnjë precedent penal, merrej me bujqësi dhe blegtori dhe nuk kishte shkaktuar probleme me të afërmit e fqinjët.
Familja Tusha me origjinë nga Bushkashi i Matit, prej vitesh jetojnë në fshatin Pllanë të Lezhës.
Njoftimi i Policisë së Lezhës:
Përfundon ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e plagëve në trupin e shtetasit Gj. T., i cili u gjet i pajetë pasditen e djeshme, në afërsi të lumit Mat.
Nga ekspertiza mjeko-ligjore në trupin e 65-vjeçarit nuk janë konstatuar plagë të shkaktuara nga armë zjarri apo mjete prerëse.
Në vijim të informacionit të dhënë për gjetjen e trupit të pajetë të shtetasit Gj. T., banues në fshatin Pllanë, Lezhë, në afërsi të lumit Mat, ku nga këqyrja paraprake u dyshua se në trupin e tij kishte plagë të shkaktuara nga armë zjarri, sqarojmë se:
Nga veprimet e para hetimore të kryera ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur në fshatin Pllanë, Njësia Administrative Zejmen, Bashkia Lezhë, ku shtetasi Gj. T. ka qenë duke kullotur bagëtitë.
Grupi i posaçëm hetimor ka kryer një sërë veprimesh hetimore e procedurale, si këqyrjen e vendit të ngjarjes, këqyrjen e kufomës, këqyrjen e pamjeve filmike, marrjen e deklarimeve, vendimet e ekspertimit, etj.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të deritanishme, dhe veçanërisht nga këqyrja e kufomës, ka rezultuar se dëmtimet e konstatuara në trupin e shtetasit Gj. T. nuk janë shkaktuar nga armë zjarri apo mjete prerëse.
U kryen veprimet e para hetimore dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për hetime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje, e dyshuar aksidentale.
Komente

O zot cfare niveli. Kaq e veshtire exhte te percaktohet. Gjeja me e lehte per policine shkencore..a mjeksine ligjore.
Përgjigju