Të padëgjuar dhe të përjashtuar: Konsultimet publike për ujësjellësin e Himarës

3 Mars, 11:04| Përditesimi: 3 Mars, 21:49

  • Share

Më 23 shtator 2020, Razip Denaj udhëtoi nga fshati Kuç drejt Bashkisë së Himarës për të marrë pjesë në një takim konsultimi me zyrtarët vendorë, ku kundërshtoi projektin e ujësjellësit në lumin Shushicë – dega kryesore e lumit të Vjosës. Sot 77 vjeç, Denaj është i shqetësuar për ndikimin që do të ketë ky projekt në jetën e tyre.

“Unë kam qenë në takimet e kryera si nga Bashkia Himarë, dhe në të tjera. Nuk kam pranuar kurrë dhe nuk kam folur kurrë pro këtij projekti që prek ujin tonë,” tha Denaj për BIRN.

Banorët e fshatrave që shtrihen buzë lumit të Shushicës po protestojnë kundër projektit të qeverisë që synon të devijojë ujin e lumit drejt bregdetit të Jonit, pasi shqetësimet e tyre ranë në vesh të shurdhër prej më shumë se tre vitesh.

Dokumentet e konsultimit publik të siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se banorët e fshatit Kuç, nga ku planifikohet edhe devijimi fillestar i ujit, i kanë kundërshtuar këto plane që në zanafillën e tyre. Ndërkohë, organizatat e mbrojtjes së mjedisit nuk janë bërë pjesë e takimeve dhe konsultimeve.

Lumi Shushicë është një prej degëve kryesore të lumit Vjosë, ky i fundit i shpallur Park Kombëtar në mars të vitit 2023. Një vit pas vendimit që u trumbetua nga qeveria, Shushica përballet me mundësinë e heqjes nga statusi i mbrojtur.

Projekti i ujësjellësit të Himarës, i financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim, “Kreditanstalt für Wiederaufbau” (KfW) dhe Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), planifikon të devijojë 140 litra ujë në sekondë nga lumit dhe rrezikon ta thajë plotësisht pjesën e sipërme të tij gjatë verës.

Dokumentet e konsultimit publik të siguruara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit tregojnë se pjesë e diskutimeve janë bërë një numër i limituar prej 23 banorësh nga fshatrat e prekur Kudhës, Pilur, Kuç dhe Buronjë në tre takime të mbajtura nga korrik-shtator 2020.

Disa takime të tjera janë mbajtur në bashkinë e Himarës, ku banorët janë shprehur dyshues pavarësisht këmFobdbënguljes së investitorëve dhe kryebashkiakut në detyrë, Jorgo Goro lidhur me impaktin pozitiv të këtij projekti.

“Fshatarët dëgjuan me vëmendje kryebashkiakun Goro dhe përfaqësuesit e FSHZH, por ishte e dukshme si shumë prej tyre mbetën të pabindur. Pyetjet e tyre treguan se ata kishin dyshime të vazhdueshme, sidomos për impaktin në terma afatgjatë të projektit në furnizimin e tyre me ujë dhe në praktikat e agrikulturës,” citon dokumenti që Bashkia Himarë i vuri në dispozicion BIRN.

Banorët kanë shprehur edhe dyshimet lidhur me kapacitetin e tubacioneve dhe frikën se volumi i ujit që do të merret do të jetë më i madh sesa ai i parashikuar zyrtarisht, 139 litra për sekondë.

“Një pjesë e banorëve shprehën shqetësimin se ky projekt po bëhet për të favorizuar resortet në Bashkinë Himarë, dhe jo për furnizimin me ujë të banorëve të fshatrave”, citon procesverbali.

Banorët gjithashtu i frikësohen ndikimit që devijimi i ujit prej burimit të Lëpushës mund të ketë në prurjet e kanaleve të ujitjes, të cilat janë jetësore për bujqësinë e tyre si i vetmi burim ekonomik. Një çështje tjetër që ka shqetësuar vazhdimisht fshatarët ka qenë nëse palët e prekura janë marrë në konsideratë në procesin e vendimarrjes.

Në një dëgjesë publike të mbajtur më 4 dhjetor 2023, përfaqësuesit e Fondit Shqiptar të Zhvillimit kanë shprehur shqetësimin e tyre për mosprezencën e organizatave mjedisore në takim. Por përfaqësuesit e organizatave mjedisore i thanë BIRN se nuk ishin njoftuar dhe as informuar në lidhje me projektin.

Organizata mjedisore EcoAlbania, e cila prej vitesh merret me kauzën e mbrojtjes së lumit të egër të Vjosës dhe degëve të saj, si edhe lumenjve të tjerë në Shqipëri, nuk figuron në listën e palëve të prekura nga organizatat e shoqërisë civile me interes për t'u konsultuar mbi impaktin e këtij projekti.

“Ne nuk na kanë njoftuar dhe as nuk na ka përfshirë njeri në këto takime,” i tha BIRN Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania.

Qendra për Ruajten dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA dhe Qendra Mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim, EDEN, janë të listuara në dokumente si grupe të interesuara, por nuk janë përfshirë më pas në konsultime publike.

“Ne nuk jemi kontaktuar asnjëherë lidhur me këtë projekt. Nuk na është kërkuar prezenca në konsultime dhe nuk kemi patur asnjë dijeni për konsultime lidhur me të,” i tha BIRN Aleksandër Trajçe, drejtor ekzekutiv i PPNEA.

Ngjashëm edhe Ermelinda Mahmutaj nga qendra EDEN tha se nuk ishin kontaktuar asnjëherë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit apo Bashkia e Himarës.

“Nuk kemi patur asnjë komunikim prej tyre”, tha Mahmutaj, drejtore ekzekutive e qendrës mjedisore EDEN.

Reporter

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 04/03/2024 00:25

    Ne qytetin ku jetoj,nje nga universitetet e zones donte te shembte nje nga konviktet,prone e tija dhe te ndertonte ne vend te tij nje te ri.Konvikti i vjeter eshte 4 katesh dhe donin te benin nje 7 katesh ne vend te tij,kurse ne nje zone tjeter te qytetit,ku eshte nje truall i hapur,bashkia me ane te nje investitori privat donte te ndertonte nje kompleks apartamentesh meqe ne shtetin tone eshte nje krize e madhe strehimi.Per te dyja projektet,bashkia njoftoi mbledhje te hapur konsultimi, ku mund te vinte kush te donte.Ne te dyja mbledhjet vec e vec, nuk morren pjese me shume banore se sa jetojne ne pallatin 5 katesh ku kam banuar dikur ne Tirane, por vullneti i tyre ishte percaktues ne fatin e dy projekteve.Pasi degjuan argumentet,banoret e zonave perkatese qe morren pjese ne mbledhje rane dakord qe konvikti te ringrihej,por vetem me 6 kate,kurse per projektin e dyte per kompleks pallatesh, i thane zhvilluesit literalisht, /qe te ndertonte diku tjeter,jo aty/,sepse nuk donin banore te perkohshem,pasi zona ka kryesisht banesa 1-2-3 kateshe,kurse banoret e pallatave nderohen me shpesh dhe pervec kesaj nuk donin ngarkim trafiku rrugor qe eshte i pritshem ne kesi rastesh.Kaq mjaftoi qe bashkia t'i bindej pike per pike vullnetit te ketij grushti banoresh qe perfaqesuan zerin e te gjithe banoreve.Por sigurisht kur behet fjale per Shqiperine, ku korrupsioni,lakmia dhe mungesa e kultures demokratike dhe respektit ndaj vullnetit dhe opinionit te qytetareve jane te zakonshme,gjera te tilla jane te pamundura si ne rastin e Shushices,ne mes shume ceshtjeve te tjera.

    Përgjigju
  • Besi: 03/03/2024 11:36

    normal qe nuk jane thirrur sepse po pergatitet studimi i integruar i fizibilitetit pa te cilin nuk bashkepunon fondi shqiptar i zhvillimit, kete e di mire edhe birn

    Përgjigju
  • Sofokliu: 03/03/2024 11:24

    Himara e Dhërmiu me Palasë e Oligarkët e Hajnisë Qeverisë Së korrupsionit,le t'a pompojë ujin e Detit e t'a DeSalifikojë(Distilojë)...!si në Dubai a Israel! Shushica është degë e virgjër e Vjosës...,Pasuri E Park Kombëtar! Lumenjëve janë të Shenjtë edhe respektoheshin e siguroheshin si Deus(Zot)në Lashtësi (Shiko Mitologjinë!)

    Përgjigju
    • Besi: 03/03/2024 12:33

      po dhe ta paguash faturen zotrote jo nga borxhi i shtetit i financuar me taksat tona

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?