Politikë

Të pavarur, por ende pa firma mbështetëse nga zgjedhësit! Celibashi për Report Tv: Asnjë kandidat opozitar s’ka tërhequr formularët (VIDEO)

11 Tetor, 10:52| Përditesimi: 11 Tetor, 15:22

  • Share

Kandidatët e pavarur që mbështeten nga opozita për zgjedhjet e 9 nëntorit në 5 bashkitë që janë pa kryetar, duhet të mbledhin firma mbështetëse nga zgjedhësit e zonës së tyre, si e vetmja formë që të regjistrohen në zgjedhje.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha për Report TV se deri më tani, asnjë nuk është paraqitur në KQZ dhe bën thirrje që të vijnë të marrin formularin.

“Kandidati i pavarur duhet të marrë firma mbështetëse nga jo më pak se 1 % e zgjedhësve të bashkisë përkatëse. Deri më tani nuk kemi asnjë kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga Komitete Nismëtare apo kandidatë të pavarur që përfaqësohen nga këto Komitete Nismëtare për tu regjistruar si i tillë për zgjedhjet për 5 bashkitë e tjera”, - tha Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve

Ndonëse kandidatët e Matit, Cërrikut, Beratit, Vlorës dhe Tepelenës mund ta bëjnë këtë që tani, Florjan Binaj në Tiranë, nuk mund ta nisë mbledhjen e mbi 7000 firmave, pasi KQZ nuk i jep formularët zyrtarë për sa kohë pas vendimit të Kushtetueses, pezulloi të gjitha procedurat për kryeqytetin.

“Për Tiranën, aktualisht, askush nuk mund t’i mbledhë nënshkrimet sipas formularit që duhet t’i vendosë në dispozicion KQZ, dokument sipas kërkesave të Kodit Zgjedhor, as nuk mund të plotësojnë dhe as ta dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, u shpreh kreu i KQZ.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk do ta kenë emrin dhe logon në fletën e votimit në këto zgjedhje të pjesshme.

“Emrat e partive politike që e mbështesin politikisht këtë kandidat nuk ka asnjë arsye të jenë në fletën e votimit, pasi kandidati ose është i pavarur (i mbështetur nga zgjedhësit), ose i mbështetur nga një parti politik apo koalicion”, theksoi kreu i KQZ.

Gjithsesi demokratët do të jenë ata që do të numërojnë votat, bashkë me socialistët, duke mbrojtur kështu edhe interesat e kandidatëve të pavarur.

“Kandidati i pavarur ka të drejtë të caktojë vëzhgues, por jo komisionerë apo numërues. Kjo e drejtë ju ngel partive politike që e kanë fituar këtë nga Kodi Zgjedhor për shkak të rezultatit të mëparshëm. Por kandidatët e pavarur nuk kanë të drejta administruese në procesin zgjedhor, përtej vëzhguesve” tha për Report Tv, Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve

Këtë sfidë nuk e kanë 5 kandidatët socialistë për krye bashkiakë të cilët për shkak se mbështeten nga Partia, mund të regjistrohen lehtësisht.

FIRMAT E NEVOJSHME SIPAS BASHKIVE
TIRANË                  7 200
VLORË                   1 719
BERAT                       822
CËRRIK                      388
MAT                            291
TEPELENË                 127

G.M./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • adil: 11/10/2025 11:13

    Gjithe kjo akrobaci behet me qellimin "me ndalu lalin me kandidu" duke shfrytezuar minutat e fundit. skenari im (per te cilin vej bast qe do ndodhi) eshte: ne date 31 gjykata kushtetuse shkarkon kryebashkiakun, dhe KQZ rikativizon dekretin e pezulluar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kualifikueset e Botërorit, si e parashikoni ‘finalen‘ Serbi-Shqipëri?