Zvërneci, vetëm 10 kilometra nga qyteti i Vlorës të ofron një pamje të trishtë. Të gjesh të rinj në këtë zonë, është thuajse e pamundur. Qindra prej tyre, kanë braktisur familjet e tyre dhe i janë drejtuar emigracionit, si mënyra e vetme për të siguruar të ardhura për familjarët e tyre.
'Kanë ikur të gjithë të rinjtë janë nja tre katër veta që janë peshkatarë.'- tha një banor.
Të moshuarit presin në pragun e derës me shpresën që do të takojnë dikë, qoftë edhe për të shkëmbyer disa fjalë. Ata thonë se kufizimet e vendosura nga pandemia, i kanë penguar që të vizitojnë fëmijët e tyre.
'Kam dy vite pa i parë fëmijët, kanë ikur në Angli në Gjermani. Pandemia nuk na lejon ti shohim'- u shpreh një banore.
'Do të na gjejnë të vdekur brenda pas pesë ditësh...'- tha një tjetër.
'Kemi bahçe pemë, ullinj, por duhet të marrim njerëz me lekë të na punojnë, punëtorë.'- u shpreh një banore.
Zvërneci po kthehet tashmë në një fshat të moshuarish, të cilët i kanë drejtuar sytë nga bujqësia dhe blegtoria. Edhe shumë fshatra të tjera të Vlorës po vuajnë mungesën e të rinjve, shumica e të cilëve, në mungesë të punësimit, kanë zgjedhur emigracionin.