Temperatura deri në -16 gradë, ngricat 'mbërthejnë' Dibrën! Zona të thella të Lurës, Selishtës, Reçit, Luznisë, Sllovës e Kalasë së Dodës të izoluara nga dëbora! Një pjesë prej tyre pa energji elektrike

23 Janar 2022, 09:37| Përditesimi: 23 Janar 2022, 16:48

  • Share

DIBËR- Gjatë natës së mbrëmshme termometri në qytetin e Peshkopisë ka shënuar vlerën më të ulët -16 gradë nën zero, ndërsa në zonat e thella temperaturat kanë shënuar edhe më shumë. Ngricat dhe akulli në rrugë ka bërë që të shtohen problemet. Zonat e thella të Lurës, Selishtës, Reçit, Luznisë, Sllovës, dhe Kalasë së Dodës janë të izoluara, dhe prej 72 orësh një pjesë e tyre janë edhe pa energji elektrike.

Pa energji elektrike vijojnë prej 72 orësh edhe 3 Njësi Administrative në Bulqizë, Krasta, Trebishti dhe disa fshatra në Tërnovë. Një pjesë e qytetit të Peshkopisë është pa ujë të pijshëm, për shkak se tubacionet kanë ngrirë si pasojë e temperaturave shumë të ulëta.

Situata rrugore është përmirësuar, por gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, drejtuesit e mjeteve duhet të jenë më të kujdesshëm, pasi ka ngrica. Policia apelon për përdorimin e gomave të dimrit dhe zinxhirëve. Drejtuesit e mjeteve duhet të shmangin lëvizjet e panevojshme, dhe të reduktojnë shpejtësine.

Aksi Peshkopi - Tiranë kalohet pa probleme, por duhet të tregohet kujdes në baypasin e Murrizit gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit.
Aksi Ura e Çerenecit - Librazhd kalohet me zinxhirë.
Aksi Peshkopi - Kala e Dodës - Kukës kalimi me zinxhirë nga Ura e Veleshicës drejt Vasies.
Aksi Peshkopi - Draj Reç - Kukës kalimi pjesërisht me zinxhirë.

Burime nga spitali Rajonal bëjnë me dije se nuk ka pasur thirrje për emergjenca shëndetësore nga zonat e thella.

Në rrugën e Arbrit qarkullohet me zinxhirë. Më problematike situata në Korçë, Dibër dhe Shkodër. E bllokuar është rruga Peshkopi-Lurë, por lëvizet në aksin Lurë-Rrëshen dhe Xibër-Klos me zinxhirë. Po ashtu prezencë akulli ka në rrugën e Qaf Shtamës. Në këtë aks vërehen shenjat e mjeteve që kanë rrëshqitur dhe ku duket se Bashkia e Krujës nuk ka marrë masat për kriposjen e rruges.

Reshje borë dhe breshëri kanë përfshirë mbrëmjen e djeshme edhe qytetin e Fierit, ndërsa raportohet se nuk ka probleme me rrugët dhe qarkullimin e mjeteve. Reshjet e dëborës kanë zgjatur shumë pak, ndërkohë që temperaturat janë ulur ndjeshëm ditën e sotme. Megjithëse dita e sotme në Fier është e kthjellët, temperaturat ne Fier zbresin në -4 gradë.

 

Pamje nga qyteti i Dibrës

Ora 16:44
Reshje dëbore dhe temperatura të ulëta, Ministria e Infrastrukturës: Akset rrugore të kalueshme! Kukësi pa ujë, çahet linja për shkak të ngricave

Pas reshjeve të dendura të dëborës dhe temperaturave të ulëta që kanë përfshirë vendin tonë, Ministria e Infrastrukturës njoftoi se të gjitha akset rrugore janë të hapura për qarkullim.

Në të gjithë akset e vendeve malore, apelohet për përdorimin e gomave  të dimrit në makinë. Me zinxhirë kalohet vetëm në aksin Ura e Çerencit-Klenjë.

Problematika me furnizimin e ujit ka pasur në Kukës, ku është carë linja kryesore për shkak të ngricave.

Ndërkohë për sa u përket temperaturave, Ministria e Infrastrukturës raporton se zona me e ftohtë do të jetë në Shishtavec ku temperatura do shkojnë deri në -16 gradë celsius. Të ulëta do të jenë temperaturat edhe në Ersekë dhe në Dardhë përkatësisht -12 gradë celsius.

Për sa i përket energjisë elektrike 11 defekte kanë ndodhur gjatë natës në rrjetin e tensionit të mesës.  

Ora 13:55
I ftohti polar në Shqipëri, ISHP këshilla qytetarëve: Vishuni trashë dhe dilni të shoqëruar

Teksa vendi është përfshirë nga temperaturat nën zero Instituti i Shëndetit Publik u bën apel qytetarëve të kenë kujdes, të vishen trashë, të pastrojnë zonat ku ka ngricë duke hedhur rërë ose kripe si dhe të dalin të shoqëruar në ambiente të jashtme. Instituti i Shëndetit Publik përmes një postimi në rrjetet sociale ka dhënë disa këshilla për të gjithë në këto ditë acari, për të mbrojtur veten nga të ftohtët.

“Përdorni veshje të ngrohta, pulovra të trasha, xhupa rezistente ndaj erës dhe shiut, kapele, doreza, këpucë kundër ujit.

Hidhni rërë ose materiale të tjera të rekomanduara në zonat ku ka ngricë.

Lexoni rregullat e sigurisë për ambientet e jashtme.

Lëvizni ngadalë kur kryeni punë dhe detyra në ambiente të jashtme.

Dilni të shoqëruar dhe merrni një kuti të ndihmës së shpejtë kur merrni pjesë në aktivitete të jashtme.

Mos harroni të merrni celularin”, thuhet në postimin e ISHP-së.

Ora 12:46
Situata nga moti në Dibër, prefekti i Dibrës për Report Tv: Të gjitha akset të kalueshme, energjia është rikthyer në Ostren dhe Kalanë e Dodës

Nexhbedin Shehu prefekt i qarkut të Dibrës në një prononcim për Report Tv tha se situata me ngricat dhe bllokimin nga bora është nën kontroll. Shehu u shpreh se energjia është kthyer në Ostren dhe në Kalanë e Dodës, ndërsa të gjitha akset rurale janë të hapura.

‘Energjia është kthyer në Ostren dhe në Kalanë e Dodës. Në këto dy tre orë presim të rikthehet në të gjithë zona, situatën e kemi nën kontroll. Edhe akset rurale janë të hapura rrugët. Ekstremet Lura dhe Selishta duhet të përdorin goma dimërore ose zinxhirë për të qarkulluar.’- tha ai.

Ora 11:53
Kamioni del nga rruga, bllokohet për disa minuta qarkullimi i makinave në Qafën e Llogarasë

Për disa minuta rruga në Qafën e Llogarasë ka qendruar e bllokuar duke krijuar radhë të gjata makinash. Shkak ishte bërë një kamion, i cili kishte ngecur në kthesë pasi ishte spostuar. Sipas policisë në “Qafën e Llogarasë”, të vendi quajtur “Çezma”, një mjet  i tonazhit të rëndë, ka dalë nga rruga dhe për pasojë është bllokuar lëvizja e automjeteve në këtë aks rrugor. Rruga qendroi e bllokuar për disa minuta, ndërsa u punua për hapjen e saj dhe lëvizja e mjeteve vazhdon normalisht, në këtë aks rrugor.

Ora 09:27
ARRSH thirrje drejtuesve të mjeteve: Bëni kujdes në lëvizje dhe pajisuni me zinxhirë e goma dimërore

Prej ditësh vendi ynë është mbërthyer nga temperatura ekstremisht të ulta, të cilat priten të ulen në vlera minimale deri në -12 gradë C. Reshje dëbore gjatë natës ka pasur në zonën e Llogarasë, në Damës-Memaliaj si dhe në zonën Hani i Hotit Tamarë, ndërsa nuk raportohet për probleme me qarkullimin e mjeteve.

Sipas ARRSH kontraktorët kanë punuar gjatë natës me mjete borëpastruese për shpërndarjen e kripës në të gjitha akset nacionale për të evituar ngricat, pasi temperaturat kanë qenë nën 0°C. ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të bëjnë kujdes në lëvizje si dhe të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore.

‘Gjatë natës ka pasur reshje dëbore në Llogara, në Damës-Memaliaj dhe Hani i Hotit Tamarë pa sjellë probleme me qarkullimin. Kontraktorët kanë punuar gjatë natës me mjete borëpastruese për shpërndarjen e kripës në të gjitha akset nacionale për të evituar ngricat, pasi temperaturat kanë qenë nën 0°C.

Drejtuesit e mjeteve, duhet të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore”.’- njofton ARRSH.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Liku: 23/01/2022 14:08

    Dimri eshte kthyer ne identitet aty ku ka qene. ARRSH duhet te kishte marre masa duke hedhur kripe ne rruge dhe mos beje teori

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?