SARANDË- Një 44-vjeçar ka rënë në pranga në Sarandë, pasi shiste kanabis në afërsi të shkollave. Ai është arrestuar në kuadër të operacionit ‘Tempulli’.
Gjatë kontrollit ndaj 44-vjeçarit, Policia ka gjetur sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në rreth 63 doza, gati për shitje. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndë narkotike kanabis, e ndante në doza, të cilat i shiste më pas në qytet, kryesisht në afërsi të shkollave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.