Tensionet në Veri, Begaj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit: Shqipëria në krah të Kosovës për ruajtjen e integritetit territorial të saj

23 Janar 2023, 14:16| Përditesimi: 23 Janar 2023, 15:12

  • Share

 

Presidenti Bajram Begaj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ka folur edhe për tensionet e krijuara pak javë më parë në veri të Kosovës. Begaj tha se Shqipëria do të jetë në krah të Kosovës në ruajtjen e integritetit territorial të saj.

“Në aspektin rajonal ka patur zhvillime me ndikim direkt apo indirekt në ruajtjen dhe mbrojtjen e interesave tona kombëtare, ndërkohë që shtete me interesa jo miqësore, nëpërmjet instrumentave të ndryshëm janë përpjekur të zgjerojnë influencën e tyre dhe të frenojnë proceset integruese euro-atlantike të vendeve të rajonit tonë.

Përgjatë gjithë vitit dhe në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, u ballafaquam me një situatë tepër delikate në veri të Kosovës, e cila nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal. Shqipëria është në krah të Kosovës dhe vlerëson ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, vlerëson rolin dhe kontributin e misionit KFOR të NATOs në garantimin e paqes dhe sigurisë, respekton parimet e fqinjësisë së mirë, si dhe mbështet dhe inkurajon dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, që do të çojë në njohje të ndërsjelltë.

Agresioni i paligjshëm i Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar krizën më të madhe të sigurisë në hapësirën euro-atlantike, ndërsa efektet e tij në fushën ekonomike u shoqëruan me rritje të konsiderueshme çmimesh në sektorin ushqimor dhe të energjisë të cilat kanë shtrenjtuar dhe vështirësuar jetën e qytetarëve. Në këtë takim të sotëm, ne do bëjmë një analizë të gjendjes së sigurisë kombëtare dhe ajo ç’ka është më e rëndësishme është të diskutojmë prioritet për vitin në vijim, në funksion të një angazhimi të plotë dhe gjithpërfshirës të të gjitha institucioneve, për të siguruar bashkërendimin e përpjekjeve  dhe përdorimin efikas të burimeve kombëtare në funksion të sigurisë, lirisë dhe mirëqenies”, tha Begaj.


Lajmi kryesor:

Këshilli i Sigurimit Kombëtar, Begaj: Rishikim dokumenteve strategjikë për çështjet e sigurisë! Pranë Kosovës, mbrojtje të integritetit territorial


SI.E.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?