Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dalë në konferencë për shtyp në lidhje me tensionet në Veri të Kosovës duke treguar se kishte të shtëna dhe barrikada me njerëz të armatosur por nuk pati të lënduar. Kurti shtoi se dy pikat kufitare të Jarinjit dhe Bërnjakut janë ende të mbyllura teksa i bën thirrje ndërkombëtare që të dënojë dhunën e grupeve serbe që i cilëson banda kriminale. Në pikat tjera kufitare, Kurti njoftoi se po shpërndahet dokumenti për hyrje-dalje.
“Mbrëmë ka pasur të shtëna dhe 9 barrikada me njerëz të armatosur kanë ndaluar qytetarët në automjete dhe këmbësorë. Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale agresive si rrallë herë më parë. S’është e lehtë për shtetin tonë se ata i mbështet fqinji jonë. Janë me dhjetëra shkelje të ligjit të bëra dje me të cilat po merret policia e Prokuroria. Nuk ka të plagosur me armë zjarri. Ju lutemi të gjithë qytetarëve që të ndjekin informacionet zyrtare nga qeveria, ministria e Brendshme dhe policia e Kosovës. Pikat kufitare Jarinj dhe Bërnjak janë ende të mbyllura sepse janë të bllokuara rrugët. Presim që sot të hiqen barrikadat. Të gjitha masat tona janë rend demokratik për siguri për të gjithë. Dhuna nuk do të tolerohet. Gjatë ditës së djeshme kam qenë në kontakt dhe me partnerët europian e amerikanë. I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të dënojnë dhunën e bandave kriminale”, tha Albin Kurti.
Ndërsa ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla bëri një bilanc dhe tha se janë lënduar 11 qytetarë të Kosovës si dhe disa vetura të policisë dhe qytetarëve. Ndërkohë pajisja me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të cilët paraqiten për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës vijon të zbatohet në nivel vendi.
Lajmi kryesor:
Tensionet/ Kosova pas kërkesës së SHBA shtyn zbatimin e vendimit për reciprocitetin! Lirohen 2 pikat kufitare në veri! KFOR: Garantojmë sigurinë
//ReportTv.al