Tensionet/ Kosova pas kërkesës së SHBA shtyn zbatimin e vendimit për reciprocitetin! Lirohen 2 pikat kufitare në veri! KFOR: Garantojmë sigurinë

1 Gusht 2022, 07:11| Përditesimi: 1 Gusht 2022, 21:22

  • Share

Qeveria e Kosovës vendosi që të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe. Pavarësisht shtyrjes së vendimit, policia e Kosovës tha se situata në mëngjesin e sotëm ishte e qetë, por rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, u liruan vetëm në orët e drekës. 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti doli në konferencë për shtyp duke treguar se kishte të shtëna dhe barrikada me njerëz të armatosur por nuk pati të lënduar. Kurti përsëriti zotimin e qeverisë se do të shtyjë zbatimin e dy vendimeve për targat dhe dokumentet deri më 1 shtator nëse do të hiqen të gjitha barrikadat. Ndër të tjera i bëri thirrje ndërkombëtare që të dënojnë dhunën e grupeve serbe që i cilëson banda kriminale. 

Vendimi për shtyrjen e zbatimit për reciprocitetin, u mor pak pas mesnate, pas takimit të udhëheqësve të Kosovës me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier i cili kërkoi një shtyrje 30 ditëshe. “Mendoj se shtyrja e zbatimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian që të ulen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit të jem i qartë, por shtyrjen”, tha ambasadori Hovenier, pas një takimi që pasoi shtimin e tensioneve në veriun e Kosovës, ku grupe qytetarësh serbë bllokuan të dielën (31 korrik) në mbrëmje rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Në një komunikim zyrtar qeveria e Kosovës tha pas takimit se e dënon ashpër bllokimin e rrugëve në veri dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Në njoftim thuhet se kryeministri Albin Kurti së bashku me presidenten Vjosa Osmani kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë.

'Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sotme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar. Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës. Falenderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin.'- njofton qeveria e Kosovës.

Ndërkohë i dërguari i posaçëm i Bashkimi Evropian, Miroslav Lajçak mirëpriti vendimin e Kosovës “për të pranuar propozimin e (shefit të politikës së Jashtme të BE-së) Josep Borrell për shtyrje për 1 muaj.”.

‘BE-ja pret që të gjitha bllokadat të hiqen menjëherë. Zoti Borrell ftoi Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog në rrugën përpara. Mirënjohës ndaj Ambasadorit amerikan në Kosovë për mbështetjen e fuqishme’, shkroi ai.

Sipas policisë së Kosovës, të dielën dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, u mbyllën, pasi grupe serbësh bllokuan rrugët dhe qëlluan ndaj policisë për të kundërshtuar masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe. Policia tha se nuk pati të plagosur nga të shtënat ndërsa theksoi se grupe protestuesish sulmuan disa qytetarë shqiptarë që po udhëtonin në kohën e vendosjes së bllokadave.

Tensionet u rritën pak orë para afatit kur duhej të hynte në fuqi vendimi që të gjithë shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal.

Beogradi kundërshton masat e tilla dhe akuzon Prishtinën për veprime kundër qytetarëve serbë të Kosovës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të dielën se “situata për popullin tonë në Kosovë është shumë e ndërlikuar”, ndërsa luti shqiptarët, bashkësinë ndërkombëtare dhe serbët e Kosovës që të ruajnë paqen. "Nëse nuk duan të ruajnë paqen, unë po ju them se Serbia do të fitojë”, tha ai në një konferencë me gazetarë në Beograd. Në orët e vona të mbrëmjes presidenti serb tha se i kishte lutur përfaqësuesit ndërkombëtarë që të ndikojnë mbi Prishtinën që të shtyjë zbatimin e vendimeve dhe t’u hapet mundësia bisedimeve.

Vendimi për reciprocitetin e targave dhe mjeteve të identifikimit

Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, qytetarët që kanë makina me targa serbe mund t’i riregjistrojnë ato deri më 30 shtator. Vendimi do të vlejë për të gjitha veturat e regjistruara në sistemin serb në periudhën prej 10 qershorit 1999 deri më 21 prill të këtij viti. Nga data 1 gusht, qeveri e Kosovës do të nisë edhe lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi. Me këtë dokument do të pajisen edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes.

Çështja e targave rriti tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në shtator të vitit 2021. Kosova vendosi masën e reciprocitetit ndaj makinave me targa serbe që hynin në Kosovë, duke kërkuar që shoferët të mbulonin simbolet shtetërore në targa me letra ngjitëse. Ky vendim shtyri serbët lokalë të bllokonin për dy javë pikëkalimet kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak. Pas ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian, tensionet u ulën dhe palët u pajtuan për një zgjidhje të përkohshme për targat. Por, pas skadimit të afatit për të arritur një marrëveshje për targat, dy palët kanë vazhduar regjimin e letrave ngjitëse.

Ora 19:48
Hapen pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, Sveçla jep detaje për atë që ndodhi në veri

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, njoftoi se pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë hapur për qytetarët e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla tha se barrikadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës në nëntë lokacione, tashmë janë larguar plotësisht.

Gjithashtu, Sveçla dha detaje për ngjarjet në veri të dielën, ku tha se sulmet ishin të planifikuara që më përpara nga Beogradi.

“Grupe të maskuara e me armë të gjata të cilët udhëhiqen nga Beogradi dhe të ardhur nga Serbia, kanë filluar sulmet ndaj qytetarëve të vendit duke i rrahur brutalisht dhe të njëjtit kanë gjuajtur sot edhe ndaj zyrtarëve policorë me qëllim të vrasjes së tyre.

Këto sulme ishin të përgatitura që një kohë të gjatë e këto përgatitje kulmuan nga takimet në Beograd e në Rashkë. Sulmet e tilla nuk i kontribuojnë stabilitetit të vendeve tona dhe rajonit sepse mbi të gjitha Qeveria jonë ka marrë dy vendime duke respektuar ligjet vendore dhe ndërkombëtare. Siç jemi zotuar edhe mbrëmë, si Qeveri e Republikës së Kosovës, me largimin e barrikadave dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes për qytetarët tanë, ne e zhvendosëm zbatimin e vendimeve për datën 1 shtator 2022, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit në vend dhe rajon.

Krijimi i panikut, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, lëvizja e personave të armatosur e të maskuar brenda vendit, rrahja brutale e qytetarëve tanë si dhe tentim vrasja e zyrtarëve tanë policorë janë veprime të papranueshme dhe në këtë drejtim, janë duke punuar intensivisht hetimet dhe drejtësia padyshim do të ndodhë. Përdorimi i grupeve të tilla kriminale për destabilizim të vendit nga pala serbe nuk e rrezikon vetëm vendin tonë, dhe kjo bëhet edhe më serioze kur Serbia e cila përmes grupeve të tilla synon të arrijë qëllimet e veta merr mbështetje të plotë dhe tashmë publike nga Moska.

Përveç sulmeve ndaj qytetarëve, dëmeve materiale e tentim vrasjeve ndaj zyrtarëve policorë, ne jemi ballafaquar mbrëmë edhe me sulme kibernetike të cilat kanë tentuar të pengojnë funksionimin shtetëror. Në këtë drejtim, ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme dhe sistemi është mbrojtur suksesshëm.

Në kronologjinë e trazirave me të cilat u ballafaquam dje, nuk mund të mos ngre shqetësimin e madh për plasimin e informacioneve të pakonfirmuara dhe të pavërteta. Lajmet të cilat janë publikuar mbrëmë kanë cënuar rëndë zhvillimin e operacioneve policore, jetën dhe sigurinë  e zyrtarëve policorë dhe në veçanti, informacioni mbi plagosjen e zyrtarit policor ka shkaktuar huti dhe shqetësim të arsyeshëm tek të gjithë familjarët e zyrtarëve policorë të cilët ishin në krye të detyrës në atë kohë. Në të gjitha thirrjet tona si Qeveri dhe Ministri e Punëve të Brendshme kemi ofruar bashkëpunim dhe informata në kohë reale”, u shpreh Sveçla.

Ora 18:40
Grenell: Biden s’është i informuar për zhvillimet në Kosovë, çështja në dorë të zyrtarëve të nivelit të ulët

Joe Biden nuk është informuar ende për zhvillimet më të fundit në veri të Kosovës, dhe çështja është lënë në dorën e zyrtarëve të nivelit më të ulët.

Kështu shkroi në Twitter të hënën ish-emisari i SHBA-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Duke cituar një zyrtar brenda Këshillit për Siguri Nacionale të Shtëpisë së Bardhë (NSC), Grenell tha se askush në Shtëpinë e Bardhë nuk është informuar për tensionet e fundit, dhe se shefi i NSC-së Jake Sullivan nuk ka kohë për t’u angazhuar plotësisht në këto zhvillime.

 “Një zyrtar karriere i Zyrës së Këshillit për Siguri Kombëtare (NSC), sapo më tha që Joe Biden nuk është informuar ende për zhvillimet Kosovë-Serbi dhe Jake Sullivan nuk ka kohë për t’u angazhuar plotësisht në këto zhvillime – kështu që ai po e lë trajtimin e kësaj çështje në dorë të nivelit më të ulët të zyrtarëve”, shkroi Grenell në Twitter.

Menaxhimin e situatës në veri të Kosovës, Grenell e quajti “një tjetër gabim” të administratës së Joe Biden.

Ora 18:24
Ambasadori i Rusisë në Beograd akuzon Perëndimin për tensionet në veri të Kosovës

Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko akuzoi Perëndimin pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, raportojnë mediat në Kosovë.

Në një intervistë për mediat ruse, Bocan-Harchenko tha se përgjegjësia për ngjarjet e shkaktuara nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin e targave i takon kryesisht Bashkimit Europian  

“Perëndimi raporton qëllimisht në mënyrë sipërfaqësore dhe nuk dëshiron ta zbulojë thelbin e problemeve që lindën për fajin e tij, ose mbi të gjitha për fajin e Bashkimit Europian”, u shpreh ai.

Ai foli për një “përgjigje në mënyrë adekuate” nga Serbia nëse do të ketë gjakderdhje.

“Nëse ka gjakderdhje, Serbia do të përgjigjet në mënyrë adekuate, do të mbrohet dhe do të fitojë”, tha Bocan-Harchenko.

Ambasadori rus tha se “situata është e vështirë” dhe se “nuk ka zgjidhje afatgjate për momentin”

Ora 17:25
Tensionet për targat, Goran Rakiç: Ishim në prag të konfliktit serioz, përgjegjësia i takon Kosovës

Barrikadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës për të bllokuar pikat kufitare “nuk kanë qenë veprime, por reagime ndaj një vendimi të njëanshëm të Prishtinës”.

Kështu u shpreh të hënën kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç.

Rakiç, së bashku me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Peter Petkoviç, mbajtën një konferencë të jashtëzakonshme për mediat në ndërtesën e Qeverisë në Beograd.

Sipas tyre, në Kosovë janë shmangur konflikte në shkallë të gjerë falë, “politikës së mençur diplomatike të Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiç”.

Sipas tyre, përgjegjësinë e vetme për ngjarjet në veri të Kosovës, në mbrëmjen e 31 korrikut, e ka kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili, sipas Petkoviçit, “dëshironte të shkaktonte konflikte në përmasa të mëdha”.

“A e kuptoni që mbrëmë ishim në prag të konflikteve serioze? Ishin mbi 1.000 pjesëtarë të njësive speciale të Kosovës të armatosur deri në dhëmbë dhe plani i tyre ishte të pushtonin popullin që do të mbronin pragun e tyre”, ka u shpreh Petkoviç.

Serbët nga Kosova kanë vendosur bllokada në pikat kufitare më 31 korrik, një ditë para zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për lëshimin e dokumenteve hyrëse-dalëse për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë dhe ndërrimin e targave të Serbisë.

Pas ndërhyrjes diplomatike të Uashingtonit, Qeveria e Kosovës bëri të ditur për shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi në momentin që serbët heqin barrikadat.

Ora 16:12
Tensionet në veri të Kosovës/ KFOR: Do marrim çdo masë për ta mbajtur Kosovën të sigurt

Pas tensioneve në veri të Kosovës, KFOR-i ka bërë me dije se kjo forcë është e gatshme të marrë masa e nevojshme dhe të ndërhyjë kur duhet që të ofrojë sigurinë e Kosovës.

 “KFOR-i po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës me organizatat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë. Nën mandatin e OKB-së, KFOR-i mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj sigurisë, i gatshëm të miratojë masat e nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt”, deklaron KFOR-i.

 

Ora 16:02
Lirohen pikat kufitare në veri të Kosovës, largohet kamioni që bllokonte rrugën te Bërnjaku

Në veri të Kosovës serbët kanë liruar pikat kufitare.  Është larguar edhe kamioni që ndodhej mbi urën afër pikëkalimit kufitar në Bërnjak, i vendosur nga serbët për ta bllokuar atë pjesë. Qarkullimi i veturave tashmë ka nisur mbi urë, ndonëse me vështirësi.

Në rrugë po qëndrojnë edhe njësitë e Policisë së Kosovës të cilët po përkujdesen për rendin. Më herët u njoftua se të gjithë kamionët që ndodheshin në rrugën që shpie për në pikë kalimin kufitar në Bërnjak janë larguar të hënën në mesditë.

Ora 15:54
Tensionet në veri të Kosovës, Milord Dodik: Serbia ka të drejtë të mbrojë sigurinë e serbëve në Kosovë

Anëtari serb i presidencës së Bosnjë e Hercegovinës dhe lider i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur, Milord Dodik, deklaroi pas tensioneve për targat në veri të Kosovës tha se Serbia ka të drejtë të mbrojë sigurinë e serbëve në Kosovë.

Dodik akuzoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se ka kërcënuar sigurinë e serbëve në Kosovë me vendimin për reciprocitetin e targave.

“Lëvizjet e njëanshme dhe të papërgjegjshme të Albin Kurtit kërcënuan sigurinë e serbëve në Kosovë. Sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Serbia ka të drejtë të mbrojë sigurinë e serbëve në Kosovë“, u shpreh Milorad Dodik,.

Dodik deklaroi në Twitter se “ne në Republika Sërpska mbështesim plotësisht dhe fuqishëm udhëheqjen e Serbisë në përpjekjet e saj për uljen e tensioneve dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore përmes dialogut dhe në këtë mënyrë për të mbrojtur të drejtat e popullit serb”.

Vendimi i qeverisë së Kosovës për të vendosur rregulla të reja, duke përfshirë zëvendësimin e targave serbe me ato kosovare, çoi në përplasje pasditen e së dielës në Kosovë, ku u vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Ora 14:43
'Nëse sulmon Kosovën, NATO do të kundërpërgjigjet me bomba', eskperti italian zbulon mesazhin për Vuçiç pas tensioneve në veri

“Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka marrë një mesazh të qartë nga NATO”, zbuloi një ish anëtar i ushtrisë italiane, Thomas Theiner duke iu referuar tensioneve në veri të Kosovës gjatë mbrëmjes të së dielës. Me anë të postimit në Tëitter shkroi se i kishin bërë paralajmërim të qartë që nëse guxon të sulmojë Kosovën, do t’i vijë menjëherë reagimi nga NATO.

“Mendoj se oficerët e Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë mbrëmë i kanë shpjeguar presidentit Vuçiq se nëse ai guxon të sulmojë Kosovën, aeroplanët luftarakë të NATO-s do të shfaqeshin mbi forcat serbe dhe do t’i sulmonin me bomba”, shkroi Theiner në Twitter.

Ndër të tjera tregon se brenda 48 orëve, në aeroportin e Prishtinës do të transportohej Brigada e 173-të Ajrore e Ushtrisë Amerikane, ndërsa në Aeroportin e Gjakovës (e ndërtuar nga Ushtria Italiane për këtë qëllim) Brigada e Parashutave e Ushtrisë Italiane “Folgore”.

Sipas ekspertit italian, në rast se Vucic do të bënte një lëvizje të gabuar drejt Kosovës, do të aktivizohej edhe Brigada e Mekanizuar e Ushtrisë Italiane “Pinerolo”, e vendosur në Bari dhe rrethinat e saj, dhe do të dërgohej nga Divizioni i III Detar i Marinës Italiane me anijet e saj amfibe nga Brindisi në Durrës brenda dy ditësh.

Nga Durrësi në Mitrovicë, shton ai, “Freccia IFVs”, mjeteve luftarake të Brigadës së Motorizuar Pinerolo dhe shkatërruesve të tankeve Centauro do t’u nevojiteshin vetëm gjashtë orë për të arritur e për të mbrojtur Kosovën.

Ora 14:23
Situata në veri të Kosovës, Osmani takon Kurtin dhe Konjufcën, opozita bojkoton takimin

Zhvillimet e fundit në veri të vendit, kanë bërë që sot të mblidhen në një takim krerët e shtetit të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministri, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e MPJD-së , Donika Gërvalla, si dhe ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla kanë realizuar takim më qëllim të vazhdimit të koordinimit ndërinstitucional në lidhje me zhvillimet e fundit në vend. Në takim mungonte opozita.

“Në takim ishin të ftuar edhe liderët e opozitës të cilët nuk kanë marrë pjesë. Megjithatë, institucionet e vendit do të vazhdojnë kontaktet e rregullta dhe konsultimet me opozitën, me qëllim të koordinimit mbi çështje të interesit nacional”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas njoftimit thuhet se do të vazhdohet koordinimi i plotë dhe komunikimi i rregullt me aleatët strategjik.

Ora 14:09
Kurti: Duhet të takohesha me presidentin e Serbisë më 19 korrik! E shtyu për në fund të gushtit, ishte i zënë me përgatitjet e tensioneve në Veri

1659294245_albinkurti.JPG

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se takimi me Vuçiçin që do të bëhej më 19 korrik është shtyrë. Sipas tij, Vucic e bëri këtë shtyrje për tu përgatitur për tensionet që ndodhën dje në veri të Kosovës. Ndër të tjera Kurti tha se akoma nuk ka marrë ende ndonjë ftesë nga Borrell për takimin dhe nëse ndodh kjo do ta bëjë publike.

 “Me presidentin e Serbisë është dashur të takohemi në Bruksel më 19 korrik. Por ai ka kërkuar të shtyhet ai takim për fund të muajit gusht mbase ka qenë i zënë me përgatitjet e asaj që ndodhi dje sepse ne është dashur të takohemi më 19 korrik dhe e shtynë këtë takim për fund të gushtit. Unë kam shprehur gatishmërinë time që kur të na thërret përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Borrell, do të shkojë në Bruksel”, tha Kurti.

Ora 13:15
Tensionet në Veri, Kurti: 9 barrikada me njerëz të armatosur ndalonin qytetarët! Ndërkombëtarët të dënojnë dhunën e bandave kriminale

 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dalë në konferencë për shtyp në lidhje me tensionet në Veri të Kosovës duke treguar se kishte të shtëna dhe barrikada me njerëz të armatosur por nuk pati të lënduar. Kurti shtoi se dy pikat kufitare të Jarinjit dhe Bërnjakut janë ende të mbyllura teksa i bën thirrje ndërkombëtare që të dënojë dhunën e grupeve serbe që i cilëson banda kriminale. Në pikat tjera kufitare, Kurti njoftoi se po shpërndahet dokumenti për hyrje-dalje.

“Mbrëmë ka pasur të shtëna dhe 9 barrikada me njerëz të armatosur kanë ndaluar qytetarët në automjete dhe këmbësorë. Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale agresive si rrallë herë më parë. S’është e lehtë për shtetin tonë se ata i mbështet fqinji jonë. Janë me dhjetëra shkelje të ligjit të bëra dje me të cilat po merret policia e Prokuroria. Nuk ka të plagosur me armë zjarri. Ju lutemi të gjithë qytetarëve që të ndjekin informacionet zyrtare nga qeveria, ministria e Brendshme dhe policia e Kosovës. Pikat kufitare Jarinj dhe Bërnjak janë ende të mbyllura sepse janë të bllokuara rrugët. Presim që sot të hiqen barrikadat. Të gjitha masat tona janë rend demokratik për siguri për të gjithë. Dhuna nuk do të tolerohet. Gjatë ditës së djeshme kam qenë në kontakt dhe me partnerët europian e amerikanë. I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të dënojnë dhunën e bandave kriminale”, tha Albin Kurti.

Ndërsa ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla bëri një bilanc dhe tha se janë lënduar 11 qytetarë të Kosovës si dhe disa vetura të policisë dhe qytetarëve. Ndërkohë pajisja me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të cilët paraqiten për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës vijon të zbatohet në nivel vendi.

Ora 13:12
Tensionet në veri të Kosovës, Kremlini: Serbi, ne jemi me ju

Në deklaratën e fundit nga Kremlini, rezidenca e Presidentit rus Vladimir Putin me një rezolutë bën thirrje për mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës dhe Metohisë.

Sipas mediee ruse, tensionet në Kosovë kanë marrë hov pas vendimit të autoriteteve në Prishtinë për të detyruar serbët e Kosovës dhe Metohisë që të privatizojnë target dhe dokumentet personale të Kosovës. Kjo ka bërë që serbët lokalë të vendosin barrikada në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bernjakut.

“Rusia qëndron plotësisht pranë Serbisë në mosmarrëveshjen me Republikën e vetëshpallur të Kosovës dhe insiston se të drejtat e serbëve duhet të garantohen me një rezolutë për këtë konflikt. Ne qëndrojmë pranë serbëve që jetojnë në Kosovë. Besojmë se kërkesat e autoriteteve të Prishtinës janë plotësisht të justifikuara”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Zëdhënësi i Kremlinit tha gjithashtu se Moska beson se vendet perëndimore që kanë njohur pavarësinë e Kosovës duhet të përdorin të gjithë ndikimin e tyre për të paralajmëruar autoritetet në krahinë që të mos ndërmarrin asnjë hap të pamatur që mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve.

“Ne mbështesim qëndrimin paqësor, konstruktiv të Beogradit në atë kontekst, thirrjet për paqe të bëra nga Presidenti i Serbisë”, tha Peskov.

 

Ora 12:51
Ministri i Brendshëm serb: SHBA-ja të bindë Kosovën për një zgjidhje

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, deklaroi më 1 gusht se në “muaji i ardhshëm duhet të shfrytëzohet për marrëveshje dhe diplomaci”, teksa ka komentuar bllokadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme serbe, Vulin ka porositur serbët në Kosovë se “nuk duhet t’i besojnë Prishtinës dhe duhet t’i besojnë Serbisë së tyre dhe presidentit Aleksandar Vuçicc”. Ai tha se nuk pret asgjë nga Prishtina, por pret që Bashkimi Evropian – nën ndërmjetësimin e së cilit u arritën dy marrëveshje për formimin e Asociacionit – të formojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Unë pres që Shtetet e Bashkuara, që kanë treguar se kanë ndikim të madh në Kosovë, të vazhdojnë të përdorin këtë ndikim për të mirë... të vazhdojë të përdorë ndikimin për të bindur [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurtin që të arrijë një zgjidhje. Në thelb, kjo nuk është çështje mes Prishtinës dhe Beogradit, por është një çështje mes Beogradit e BE-së dhe shteteve që kanë ndikim në Kosovë. Shpresoj që këtë muaj të kemi bisedime që do të çojnë në arritjen e paqes në Kosovë”, tha Vulin.

Vulin tha se bashkësia ndërkombëtare veçse ka pasur një reagim adekuat sa i përket tensioneve në Kosovë.

“...Ata gjithmonë do të jenë në anën e Kosovës, por ka disa çështje kur nuk mund të jesh”, shtoi Vulin.

Komentet e Vulinit vijnë në kohën kur shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçicc, që të takohen në Bruksel, për të vazhduar dialogun.

Sipas burimeve të REL-it, në takim është paraparë të bisedohet për të gjitha çështjet e hapura.

Më 31 korrik, serbët lokalë në Kosovë vendosën barrikada në veri të vendit.
Barrikadat ishin kundërpërgjigje ndaj dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe. Sipas vendimit, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë do të pajisen me një dokument për hyrje-dalje me të hyrë në territorin e shtetit. Ky dokument do të vlejë për 90 ditë.

Ndërkaq, vendimi i dytë për targat thotë se të gjithë personat që kanë makina me targa me akronim të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, duhet t'i riregjistrojnë makinat e tyre. Pas tensioneve në veri të Kosovës, Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimit për 30 ditë, kur të hiqen barrikadat.

Disa barrikada në Rudarë nisën të largohen paraditen e 1 gushtit./REL

Ora 12:42
Pandeli Majko paralajmëron Serbinë: Mos e grah grethin me krande se e ban për të zezën tande

1605560279_PandeliMajko.jpg

Ish-kryeministri i Shqipërisë në kohën e luftës së Kosovës, Pandeli Majko ka reaguar ashpër ndaj provokimeve të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës duke theksuar se bëhet fjalë për një agresion të pashpallur.

Duke mos ia përmendur emrin, Majko thotë se Vuçiçi kërkon ndryshime te shpejta në Ballkan duke bërë politikën e Rusisë, por kjo mund të dalë më keq për Serbinë.

“Mos e grah grethin me krande se e ban për të zezën tande”, shkruan Majko në formë paralajmërimi për Serbinë.

Postimi i plotë

Republika e Serbisë ka filluar një agresion të pashpallur ndaj shtetit të Kosovës.

Politika e tundimit të serbëve me gënjeshtrat e duhura nga Beogradi, mbart rrezikun që ata të verbohen dhe të mos shohin cmendurinë që kanë para syve.

Shpallja unilaterale nga 4 komunat në veriun e Kosovës, të territorit me legalitet të dallueshëm, është fillimi i një krize që nuk ka të bëjë me të drejtat e serbëve.

Provokimi serb në Kosovë, është kërkesë për të ndryshuar statuskuonë e paqes në rajon nga “Pons Pilati” në Beograd që bën sikur kontrollon Serbinë!

Politika e Beogradit po humb cilësitë europiane dhe po funksionon si “front i dytë” për politikën e Lindjes.

Dhuna sjell ndryshime të shpejta por rezultate iluzore!… Mos e grah grethin me krande se e ban për të zezën tande!

Ora 10:03
VIDEO/ Del momenti kur policia e Kosovës qëllohet me armë

 

Vendimi i Qeverisë së Kosovës që të vendosë reciprocitet për targat dhe dokumentet serbe tensionoi situatën në veri të vendit.

Një ditë më parë veç trazirave dhe bllokimit të rrugës u raportua dhe për të shtëna me armë zjarri në veri të Kosovës.

Sot është publikuar video ku dëgjohen të shtënat ndërsa disa zyrtarë të policisë së Kosovës kanë mbetur të bllokuar në Bërnjak dhe komunikojnë me njëri tjetrin në radio.

Ora 09:35
Richard Grenell i ashpër me Albin Kurtin: Fashisti i pamatur bëri lëvizje të panevojshme

1625049967_grenell.jpg

Richard Grenell, ish këshilltari i Trump për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme ka reaguar për tensionet në veri duke e cilësuar Albin Kurtin si “fashist me përvojë”. Grenell që ka shërbyer në poste të larta në administratën Trump ka treguar mbështetje për Sali Berishën pas vendimit të shpalljes 'non grata' nga SHBA duke mbajtur qëndrim të njëjtë si ish kryeministri se pas kësaj fshihet George Soros.

“Edhe një herë, kryeministri fashist i Kosovës, radikal i ekstremit të majtë dhe me përvojë, Albin Kurti, në mënyrë të njëanshme bën një lëvizje për të refuzuar targat dhe ID-të serbe në Kosovë. Budallik. I pamatur. Lëvizje e panevojshme. Pse Jake Sullivan dhe Anthony Blinken nuk i thonë që të ndalojë rrugët e tij fashiste?” – tha Grenell.

Ora 09:14
Tensionet në Veri të Kosovës, BBC: KFOR ishte përgatitur për ndërhyrje në çdo moment

1659338111_126121817trucksgetty.jpg

Vendimi i qeverisë së Kosovës për të vendosur rregulla të reja, duke përfshirë zëvendësimin e targave serbe me ato kosovare, çoi në përplasje pasditen e së dielës në Kosovë. NATO e përshkroi situatën si "të tensionuar" pasi qindra serbë etnikë parkuan kamionë, cisterna dhe automjete të tjera pranë dy pikave kryesore kufitare me Serbinë në shenjë proteste ndaj rregullave të reja, duke detyruar policinë të mbyllë dy vendkalimet.

BBC i ka dedikuar një artikull duke shkruar se forcat e NATO-s në Kosovë, KFOR ishin të përgatitur të ndërhynin në rast se do të rrezikohej stabiliteti i vendit. Por pas konsultimeve me SHBA-në dhe BE-në, qeveria e Kosovës vendosi të shtyjë zbatimin e rregullave për në muaj. Protesta të ngjashme u zhvilluan vitin e kaluar për propozimet për ndryshimin e rregullave të targave.

Ora 08:19
Reciprociteti për targat, vazhdon bllokimi i rrugëve në veri

Në veri të Kosovës, në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak – po vazhdojnë të jenë barrikadat e vendosura nga serbët lokalë.

Kjo është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti.

“Gjendja nuk ka ndryshuar. Situata është e qetë, nuk ka ndodhur asgjë. Barrikadat janë ende prezentë aty, por të shohim sot gjatë ditës se çfarë do të ndodhë pas vendimit që është marrë”, tha Hoti për REL-in.

Ora 07:49
Shtyrja e reciprocitetit, Borrel: Barrikadat të hiqen menjëherë, çështjet të adresohen përmes dialogut

1655821826_thumbsbc46a8f1c0ea5a2fef1e93a5137f388972.jpg

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e reciprocitetit ndaj targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia deri më 1 shtator dhe ka thënë se pret që bllokadat e vendosura nga serbët në veri të largohen menjëherë.

‘Mirëpresim vendimin e Kosovës për zhvendosjen e masave deri më 1 shtator. Pres që të gjitha bllokimet e rrugëve të hiqen menjëherë’, ka shkruar Borrell në Twitter.

Ai ka theksuar se çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe fokusimi në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thelbësore për rrugët e tyre të integrimit në Bashkimin Evropian.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lala: 01/08/2022 18:13

    Te jet per serving I vuni drunin me shoqaten e gjahut mitrovic albinit...ktu dalim te ajo tjetra QE esht USA qe duhet respektuar dhe prej atyre u zhbllokuan pikat doganore.nashi KY populli trim shqiptar sic Thot legenda urbane nga bohet?

    Përgjigju
  • Vin: 01/08/2022 15:21

    Ho mer trima u terhoqet ë, ja sa te vij pandi me kallash.

    Përgjigju
  • Turi: 01/08/2022 09:54

    Keta dhe nuk kane kellqe dhe kruhen , pastaj kur marin hurin qajne si legena para Amerikes

    Përgjigju
  • Tirona: 01/08/2022 08:31

    Me burr i poshter se albini nuk ka , mjer populli kosoves qe e ka votu . Po te bahen prap zgjedhje as 10% nuk merr . Shum negativ

    Përgjigju
    • Lala: 01/08/2022 19:46

      Puno albini arberor Puno vetem shoqates se gjuetareve Serb te mitrovices ska CA tu boj.behuni Pak trima I her se sju gje gjo me I marr me shqelma bythes at NE veri.

    • Arbërori: 01/08/2022 19:04

      O Tirona i mjerë, ti nuk je në Kosovë dhe as që e njef Kosovën kështu që të lutem si një vllau shqiptarë nese je shqiptarë, që të kesh kujdes sepse Albini punon për tokat tona kurse Edvin shkjau shqipfolës ështé i konvertuar në serb…!!! Problemi më i madhë sot për Kosovën ështé Tirana zyrtare o koke

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?