FIER- I akuzuar për vrasjen e 25-vjeçarit Xhulian Bullarit në vitin 2021, i burgosuri Bledar Selmanaj ka tentuar arratisjen nga burgu i Fierit.
Kanë qenë gardianët e burgut, të cilët kanë pikasur të burgosurin në momentin e arratisjes, duke ndaluar dhe daljen e tij nga rrethimi i burgut.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thanë se Selmanaj hapi një të çarë në murin e qelisë për të dalë jashtë. Pas kësaj ai ka dalë në oborrin e burgut dhe është ngjitur në tarracë nëpërmjet tubave të kullimit.
Aty sipas burimeve konfidenciale nga burgu i Fierit, Selmanaj kishte një litar me të cilin do të zbriste duke vazhduar arratisjen. Por stafi i sigurisë së burgut ka arritur ta kapë duke e dërguar qeli, këtë herë jo në qeli të zakonshme por në izolim. Drejtori i burgjeve Klevis Qose organizoi direkt një takim inspektimi dje ne burgun e Fierit, ndërsa tashmë Selmanajt do t’i shtohet dënimi pas kësaj tentative.
Bledar Selmanaj është arrestuar më 21 gusht 2021 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, 4 ditë pas ekzekutimit të 25-vjeçarit Xhulian Bullari, ngjarje e ndodhur në fshatin Babicë të Vlorës. Selmanaj në shator të vitit 2021 ka tentuar dhe vetëvrasjen teksa ishte i burgosur në burgun e Peqinit, ndërsa kanë qenë gardianët të cilët kanë parandaluar ngjarjen. Gjithashtu në gusht të vitit 2021 ka rezultuar se Bledar Selmanaj vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Bledar Selmalaj vijon të jetë në paraburgim që prej vitit 2021 ndërsa është në pritje të vendimit përfundimtar nga gjykata. Sakaq, prokuroria ka kërkuar për Selmanajn dënim me burgim të përjetshëm.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar për tentativën e arratisjes nga burgu i Fierit të Bledar Selmanaj gjatë orëve të para të ditës së djeshme.
Në reagim zyrtar deklarohet se i burgosuri ka arritur të dalë nga qelia nëpërmjet një vrime të hapur në mur me mjete rrethanore. Më pas Selmanaj është ngjitur në tarracë nëpërmjet një tubi metalik.
Menjëherë forcat e sigurisë të burgut janë vënë në lëvizje dhe kanë bërë të mundur neutralizimin dhe kapjen e të dënuarit.
Deklarata e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:
Më datë 24.09.2025, rreth orës 03:48, i paraburgosuri Bledar Selmanaj ka tentuar të arratiset.
Ai ka dalë përmes një vrime të hapur në mur me mjete rrethanore dhe është ngjitur në tarracë nëpërmjet një tubi metalik, duke u fshehur pa kaluar asnjë perimetër sigurie. Forcat e sigurisë janë vënë në lëvizje dhe pas kontrollit të territorit është bërë lokalizimi dhe ndalimi i tij.
Gjatë ndalimit, i paraburgosuri ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë së Burgjeve. Aktualisht, ai është i akomoduar në dhomat e veçimit, deri në përfundimin e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Ky shtetas ka tentuar edhe dy herë të tjera të arratiset nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në Shqipëri, përmes veprimeve aktive.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve siguron dhe garanton një nivel të lartë sigurie dhe mbarëvajtje të qetë në sistemin e burgjeve.
Bledar Selmanaj dhe Xhuliano Bullari
Bledar Selmanaj në dhjetor të vitit 2021 ka tentuar të arratiset nga spitali i burgut në Tiranë ku ishte transferuar nga burgu i Peqinit ku ka qenë i izoluar, për shkak të disa komplikacioneve shëndetësore. Ai është pikasur nga një gardian i burgut teksa ka tentuar të largohet dhe menjëherë është kërkuar përforcim të forcave të sigurisë, të cilët kanë arritur ta neutralizojnë.
Gjithashtu në gusht të vitit 2021 ka rezultuar se Bledar Selmanaj vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Selmanaj akuzohet për vrasjen e Xhuliano Bullarit. Bullari u gjet i vdekur në aksin Vlorë-Babicë, në një makinë tip 'Fiat Punto, ku sipas ekspertizës ai është qëlluar me tre plumba nga pasagjeri, ku njëri prej tyre e ka kapur në kokë dhe i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Shkak për vrasjen e 25-vjeçarit dyshohet të jenë bërë prishja e pazareve të drogës. Autori dhe viktima njiheshin së bashku teksa kanë qëndruar në një qeli dhe më pas kanë vazhduar pazaret e drogës dhe jashtë.
Ditën e vrasjes ata ishin nisur nga Tirana për në Vlorë për çështje trafiku droge, ndërsa sipas dëshmisë së Bledar Selmanaj konflikti mes tyre ka nisur për 3 mijë euro drogë, që Xhuliano Bullari, i pagoi me euro false. Selmanaj negocioi për 100 kg hashash mes miqve të tij dhe shokut të burgut. Shitja u bë në Elbasan, por pala e viktimës pagoi me euro false. Ky ka qenë dhe momenti i krisjes mes miqësisë së nisur në qeli.
Bledar Selmanaj ka dhënë dhe një intervistë për emisionin “Pa Gjurmë” në Report TV, ku ka treguar versionin e tij të ngjarjes. Sipas deklaratave të tij, Selmanaj pretendon se vrasësi i vërtetë i 25-vjeçarit është Klodjan Llanaj, një prej të fortëve të Vlorës.
Komente

Si ka mundesi qe rojet e burgut nuk e dalluan vrimen qe hapi ky ne mur?! Duhet nje kohe mjaft e gjate te hapesh nje vrime ne mur me /mjete rrethanore/,qe do te thote qe nuk i eshte bere kontroll qelise per nje kohe shume te gjate,ose i eshte bere teper siperfaqesor,aq me teper qe te burgosurit ju gjet dhe litar(nje tjeter send i ndaluar)dhe te mos flasim per /mjetet rrethanore/,per te cilat nuk jepet shpjegim me i hollesishem.Duket qe burgu i Fierit ka nevoje per nje kontroll te pergjithshem e ndryshim stafi.
PërgjigjuKy lumadhi po ben burgun e botes
Përgjigju