Droga e sekuestruar

Tentuan të trafikojnë 6.5 kg kanabis në Korfuz, arrestohen dy të rinj, shpallet në kërkim një tjetër (EMRAT)

25 Shkurt 2022, 13:53| Përditesimi: 25 Shkurt 2022, 13:55

  • Share

Policia kufitare në Sarandë ka arrestuar dy persona ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim pasi akuzohen për trafik të lëndëve narkotike.

Mësohet se në pranga kanë rënë Emiljano Mustafa 21 vjeç dhe Mateo Galla, 18 vjeç, ndërsa në kërkim u shpall Nefail Bego.

Personat në fjalë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin po tentonin të trafikonin 6.5 kg kanabis drejt Korfuzit.

Njoftimi i Policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Ishulli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. 

Operacioni i zhvilluar nga Policia Kufitare e Sarandës, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë.

Tentuan të trafikonin lëndë narkotike në drejtim të Korfuzit, kapen në flagrancë nga Policia Kufitare, 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.

Sekuestrohen 6.5 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa dhe automjeti me të cilin u transportua lënda narkotike drejt Ksamilit.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas do të trafikonin lëndë narkotike në drejtim të Greqisë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor "Ishulli".

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit E. M., 21 vjeç dhe M. G., 18 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi N. B.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë tentuar të trafikojnë drejt Korfuzit, lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, me një pedalon.

Shtetasit E. M. dhe M. G. janë kapur në flagrancë nga Policia Kufitare, në afërsi të pikës së vrojtimit të Marinës, në zonën e plazhit “Pema e Thatë”, ndërsa shtetasi N. B. ka transportuar me automjet lëndën narkotike në drejtim të Ksamilit dhe kur ka konstatuar se po ndiqej nga Policia, ka braktisur mjetin dhe është larguar.   

Në cilësinë e provës materiale janë sekustruar 6.5. kg lëndë narkotike cannabis sativa, 2 aparate celulare dhe automjeti tip “Toyota” me të cilin po transportohej lënda narkotike në bregdetin e Ksamilit.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” të kryera në bashkëpunim.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?