Banorë e turistë në radhë për bileta kthimi, pas valës së tërmeteve
Organet greke janë vënë në alarm pas aktivitetit intensiv sizmik të ditëve të fundit në zonën detare në ishujt Cyclades, midis Santorinit dhe Amorgos. 14 prej tërmeteve patën magnitudë nga 4 deri në 4.7 shkalla Rihter, me thellësi nga 4 deri në 10 km. Rekordi ishte regjistrimi i 18 lëkundjeve sizmike brenda një ore.
Autoritetet tremben për më të keqen, pasi sizmiologët e njohur flasin edhe për mundësinë e një aktiviteti vullkanik të zgjuar, pasi 3 nga katër shenjat janë të dukshme.
Profesori turk i Gjeofizikës, Ovgun Ahmet Ercan, përmes postimit të tij në platformën “X”, tregoi dhe rreziqet që vibrimet sizmike mund të shkaktojnë në ishujt përreth, duke konfirmuar se ato vijnë nga vullkani, informon media greke.
Autoritetet këshilluan banorët e Santorinit, një nga destinacionet kryesore turistike të Greqisë, të shmangin dy porte të vogla, të mos grumbullohen masivisht në hapësirat e brendshme, ndërsa shkollat do të jenë të mbyllura gjatë ditës së hënë. E njëjta gjë do të vlejë edhe për ishujt Amorgos, Ios dhe Anafi, pasi zona ka të çara sizmike të mëdha dhe nuk përjashtohet mundësia e një tërmeti të fortë.
Shumë qytetarë dhe turistë po lënë vendin, duke prerë bileta kthimi me urgjencë.
Sipas Ministrit të Mbrojtjes Civile dhe Katastrofave, po analizohen të gjitha të dhënat e aktivitetit sizmik dhe masat që janë marrë deri më tani janë thjesht parandaluese.
Megjithëse sizmologët deklarojnë se lëkundjet janë tektonike dhe nuk lidhen me aktivitetin vullkanik, të tre vullkaneve në këtë zonë, dy prej të cilëve nënujorë, këshillojnë banorët të zbatojnë masat që ata kanë marrë. Gjithsesi edhe dyshimet për vullkan nuk përjashtohen.
Si masë paraprake në ishullin e Santorinit ka shkuar një ekip i Njësisë Speciale të Reagimit ndaj Fatkeqësive natyrore me një qen shpëtimi, 2 ekipe të Njësisë së Parë të Operacioneve Speciale Pyjore si dhe një ekip i operatorëve të dronëve, të cilët janë vendosur në çadrat e qendrës sportive të ishullit. Bashkia ka njoftuar gjithashtu edhe pikat e grumbullimit në të cilat njerëzit do të vijnë në rast emergjence.
Por ka edhe shumë turistë dhe banorë që kanë krijuar radhë para zyrave të linjave ajrore duke kërkuar një biletë për t’u larguar, vlera e së cilës tashmë kalon 200 euro.
Lajmi kryesor:
Greqi/ Mbi 200 tërmete në 48 orë në Santorini dhe rajonet përreth! Mbyllen shkollat në 4 ishuj
A.Q/ReportTv.al