Bota

Tërmeti 8.8 ballë godet Kamchatkën në Rusi! Shkakton cunami, dallga deri në 4 metra! Evakuime në Hawaii dhe Japoni (VIDEO)

30 Korrik, 07:00| Përditesimi: 30 Korrik, 12:21

  • Share

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 ballë u regjistrua sot pranë brigjeve të Kamçatkës, Rusi. Tërmeti, shkaktoi gjithashtu edhe cunami në Rusi e Japoni.

Autoritetet lokale raportuan se valë prej 3-4 metrash, të shkaktuara nga tërmeti, u regjistruan në rrethin Yelizovsky të Kamçatkës. Epiqendra e tërmetit ndodhej afërsisht 119 kilometra në lindje të Petropavlovskut në Gadishullin Kamçatka, në një thellësi prej 20.7 kilometrash.Tërmeti u regjistrua në orën 3.27 minuta me orën lokale.

Disa persona u plagosën në rajonin e largët rus, ndërsa në Japoni u urdhërua evakuimi me dallgët e para që kanë prekur brigjet e vendit. Evakuimi u urdhërua edhe ndaj punëtorëve që janë të angazhuar në centralin nuklear të Fukushimas.

Njerëz u panë të qëndronin në tarracën e një ndërtese në qytetin Mukaua, në pritje të mbërritjes së dallgëve. Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi për cunami në brigjet e Paqësorit të vendit duke vlerësuar se një cunami deri në 3 metra i lartë mund të godasë bregdetin e Hokkaido në veri dhe Ishujt Ogasawara në jug.

Agjencia raportoi se në Hokkaido u regjistruan dridhje me magnitudë 2 sipas shkallës sizmike japoneze prej 7. Autoritetet japoneze paralajmërojnë për një rrezik cunami deri në 24 orë pas tërmetit.

Dallgët prekën Hawain dhe brigje të tjera brenda territorit amerikan me distriktin e Uashingtonit Oregon dhe Kalifornisë - ku dallgët mbërritën por ishin të padëmshme në lartësi deri në 45 cm.

Parashikimet janë që dallgët të arrijnë përveç brigjeve të Rusisë, Japonisë dhe Hawaiit apo Alaskës, edhe në Amerikën Latine më në jug.

Ora 09:57
Hawaii shpall gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të cunamit

Guvernatori i Havait, Josh Green, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Hawaii për shkak të cunamit të shkaktuar nga tërmeti me magnitudë 8.8 ballë në brigjet lindore të Rusisë, i cili ka filluar të godasë arkipelagun e Paqësorit.

Sipas të dhënave nga matësi i ujit Naëiliëili në brigjet e Kauai, valët e para filluan të mbërrinin në Havai rreth orës 19:24 të mbrëmjes sipas kohës lokale, duke tejkaluar baticën e parashikuar me 30 centimetra.

Sipas Shërbimit Meteorologjik valët do të godasin ishujt për disa orë. Parashikimet fillestare thanë se do të ketë një rritje të paktën një metër mbi nivelet normale të valëve.

Ora 09:26
PAMJE ME DRON/ Cunami godet qytetin rus, porti nën ‘pushtetin’ e dallgëve të mëdha

 

Imazhet ajrore tregojnë dëmet e shkaktuara nga cunami në qytetin portual rus, duke përfshirë strukturat e shkatërruara dhe infrastrukturën e zhytur në ujë.

Valë masive pushtuan qytetin në Ishujt Kuril, duke marrë me vete rërë, mbetje dhe pjesë të ndërtesave të dëmtuara.

Kur uji u tërhoq, bregdeti u duk plotësisht i transformuar, me një peizazh pothuajse joreal. Për fat të mirë gjatë këtij fenomeni natyror, nuk u raportuan viktima.

Ora 09:18
Tërmeti në bregun e Paqësorit ‘trondit’ mjekët në sallën e operacionit! Stafi mban pacientin për ta mbrojtur nga lëkundjet

Tërmeti me magnitudë 8.8 ballë që goditi Kamçatkën, Rusi ditën e sotme trondti edhe një ekip mjekësor teksa ishin duke kryer një ndërhyrje kirugjikale.

Pamjet e kapura tregojnë momentin kur mjekët përkulen mbi tavolinën e operacionit për të mbrojtur pacientin dhe për të mbajtur barelën.

Tërmeti shkaktoi një cunami në rajonin e Paqësorit të Veriut. Paralajmërime u lëshuan gjithashtu në Alaska, Hawaii dhe përgjatë gjithë bregdetit të Paqësorit deri në Zelandën e Re.

Ora 09:08
Tërmeti me magnitudë 8.8 në Paqësor, evakuohen punëtorët e centralit bërthamor të Fukushimës

Punëtorët në termocentralin bërthamor të Fukushimës, në Japoninë lindore, u evakuuan pas një paralajmërimi për cunami, pas tërmetit të fuqishëm që goditi Oqeanin Paqësor pranë brigjeve të Rusisë.

Lajmi u bë i ditur nga kompania operatore TEPCO.

“Ne kemi evakuuar të gjithë punëtorët dhe stafin tonë,” deklaroi një zëdhënës i TEPCO-s për agjencinë AFP, duke shtuar se “nuk është vërejtur asnjë anomali” në funksionimin e termocentralit.

Ora 08:53
Trump: Alarm për cunami në bregun e Paqësorit, qëndroni të sigurt

“Për shkak të një tërmeti të fuqishëm që ka ndodhur në Oqeanin Paqësor, është lëshuar një alarm cunami për banorët e Havait. Në gatishmëri për cunami janë gjithashtu Alaska dhe bregu perëndimor i Shteteve të Bashkuara. Edhe Japonia ndodhet në zonën e prekur. Për informacionet më të fundit, vizitoni faqen tsunami.gov/. Qëndroni të fortë dhe të sigurt!”. Kështu shkruan në X (ish-Twitter) presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Ora 08:50
Tërmeti i fuqishëm në Oqeanin Paqësor, Japonia evakuon 1.9 mln banorë

Një tërmet me magnitudë 8.8, një ndër më të fuqishmit ndonjëherë, goditi gadishullin Kamçatka në lindjen e largët të Rusisë.

Disa shtete, përfshirë SHBA-në dhe Japoninë, kanë lëshuar urdhra për evakuim për shkak të cunamit ku valët e para kanë goditur Hawaiin.

Në Rusi, tërmeti në bregun lindor të vendit dëmtoi disa ndërtesa, përfshirë një kopsht fëmijësh që u shemb. Valët e cunamit filluan të vinin menjëherë pas kësaj, me disa që goditën distriktin Severo-Kurilsk në skajin jugor të Gadishullit Kamchatka në lindje të largët të vendit.

Në Japoni, valët e cunamit po godasin tashmë shumë pjesë të bregdetit lindor, nga ishulli më verior i Hokkaidos deri në pjesën më të madhe të ishullit kryesor Honshu - duke përfshirë edhe zonën pranë Zonës Metropolitane të Tokios.

Më shumë se 1.9 milion njerëz në 21 prefektura janë urdhëruar të evakuohen në zona të sigurta.

Shumë vende të tjera kanë lëshuar gjithashtu paralajmërime për cunami - duke përfshirë Filipinet, Indonezinë , Kilin, Perunë, Ekuadorin, Meksikën, Panamanë dhe Tajvanin.

Ora 08:49
Momenti i frikshëm kur tërmeti me magnitudë 8.8 ballë godet Kamçatkën (VIDEO)

 

Një person ka filmuar momentin kur tërmeti me magnitudë 8.8 goditi Kamçatkën, në Lindjen e Largët të Rusisë .

Pamjet tregojnë mobilje që lëkunden, mure që dridhen dhe njerëz që nxitojnë për të dalë jashtë ndërtesave.

Ora 07:58
VIDEOLAJM/ Cunami në Japoni, valët e forta godasin brigjet e Hokkaidos

 

Këto imazhe ajrore tregojnë valë masive që përplasen në bregdetin e Hokkaidos, në veri të Japonisë, pas tërmetit me magnitudë 8.8 të regjistruar pranë Kamchatka-s.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka lëshuar një urdhër evakuimi për shumë zona përgjatë bregdetit të Paqësorit, me paralajmërime për valë deri në 3-4 metra.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër draftit të Kodit Penal, si iu duket?