‘Eja të më shpëtosh’, nga rrënojat vijnë thirrjet për ndihmë! Mbi 7000 viktima! Qyteti sirian bombardohet pas tërmetit (VIDEO+FOTO)

7 Shkurt 2023, 06:52| Përditesimi: 7 Shkurt 2023, 23:00

  • Share

Bilanci i viktimave nga tërmeti tragjik që goditi Turqinë e Sirinë është përkeqësuar. Deri më tani raportohet për mbi 7000 viktima në total dhe mbi 35 mijë persona të plagosur. E gjithë bota është solidarizuar me këto dy vende dhe kanë dërguar ekipe të kërkim-shpëtimit si edhe ndihma humanitare. E teksa bilanci i viktimave ka kapur shifra kolosale nga tërmeti shkatërrimtar, Qeveria siriane ka bombarduar një zonë të vendit të kontrolluar nga opozita menjëherë pas tërmetit. Lajmin e bëri të ditur qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ndërsa theksojnë se Presidenti i Sirisë, Asad është vënë gjithnjë në qendër të sanksioneve pikërisht për këtë retorikë.

Pasgoditjet nuk kanë ‘lënë të qetë’ Turqinë gjatë natës, ndërsa orët e para të mëngjesit u regjistrua një pasgoditje 5.6 ballë. Numri i viktimave nga tërmeti tragjik në kufirin mes Turisë dhe Sirisë mund të rritet në më shumë se 20 mijë, tha për AFP Catherine Smallwood, menaxherja e urgjencës e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën.

Operacioni i kërkim shpëtimit ka vazhduar gjatë gjithë natës. Pavarësisht kushteve të këqija atmosferike shpresa për të shpëtuar qytetarët nga rrënojat nuk është shuar. Në Turqi mbi 7 mijë persona janë arritur të nxirren të gjallë nga rrënojat. Nga rrënojat vijnë thirrjet për ndihmë si "Jam ende gjallë" dhe "Eja të më shpëtosh", e ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit bëhet i vështirë për shkak të temperaturave të ulëta.

Turqia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa shkollat u mbyllën deri më 13 shkurt, ndërsa raportohet se mbi 5 mijë ndërtesa janë dëmtuar dhe shembur nga lëkundjet e forta. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka shpallur ditë zie kombëtare për shtatë ditë deri në 12 shkurt. Flamuri turk do të ngrihet në gjysmështizë. I shkatërruar tërësisht rezulton aeroporti në Hatay, ndërsa është mbyllur për shkak të pasojave deri në një njoftim të dytë edhe aerporti i Adanasë, më i rëndësishmi në rajonin e goditur.

Tërmeti shkatërrimtar me magnitiutë 7.9 sipas shkallës Rihter goditi Turqinë Jugore dhe Sirinë duke lënë pas me mijëra viktima dhe mbi 9000 të plagosur. Lëkundjet e forta të tërmetit me epiqender pranë qytetit Gaziantep u regjistruan në orët e para të mëngjesit të së hënës, kur njerëzit ishin ende në gjumë. Pamjet nga rajonet e goditura ishin shokuese dhe tronditëse. Ndërkohë lëkundjet e forta u ndjenë nga miliona njerëz në Turqi, Siri, Liban, Qipro dhe Izrael.  Rreth mesditës me orën lokale një tjetër tërmet i fuqishëm 7.5 sipas shkallës rihter u shënua në Turqinë Juglindore në qytetin e Kahramanmaras.

Ora 22:12
Meksika dërgon qentë e saj të famshëm të kërkimit dhe shpëtimit

1675804393_qen.jpg

Meksika po dërgon disa nga qentë e saj të famshëm të kërkimit dhe shpëtimit në Turqi për të ndihmuar në kërkimin e njerëzve nën rrënoja pas tërmetit të së hënës.

Një avion me 16 qen në bord u ngrit nga Mexico City.

Meksika, e cila është e prirur ndaj tërmeteve, ka ekipe shumë të specializuara civile dhe ushtarake, të cilat shpesh vendosen për të ndihmuar kur godasin fatkeqësitë.

Qentë fituan zemrat e meksikanëve gjatë tërmetit të vitit 2017 në vend, kur shpëtuan disa jetë.

Ora 20:15
Thellohet bilanci i jetëve të humbura nga tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë! 7266 viktima dhe mbi 35 mijë të plagosur! Mbingarkesë në spitale

1675797406_7218b99e399d419193f4b960b162f4f7.jpg

Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që ka goditur Turqinë dhe Sirinë ka shkuar në 7266. Ndërsa deri tani numërohen mbi 35 mijë të plagosur.

Kjo situatë ka bërë që në spitale të ketë mbingarkesë. Në Siri thonë që janë absolutisht të mbingarkuar dhe vetëm shtohen të plagosurit që kanë nevojë për trajtim mjekësor.

 

 

 

Ora 19:38
Greqia i lë mënjanë mosmarrëveshjet me Turqinë për të dërguar ndihma, Mitsotakis: Grekët dhe turqit luftojnë krah për krah së bashku

1675795125_Mitsotakis675x450.jpg

Ndonëse kanë qenë prej dekadash në një krizë, Greqia është ndër vendet që kanë dërguar ndihmë në Turqi pas tërmetit me shifra të frikshme që ndodhi mbrëmjen e djeshme.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis i ka dërguar mesazhin e tij Turqisë duke u shprehur se grekët e turqit luftojnë krah për krah së bashku.

“Greqia dhe Turqia janë fqinjë që duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin në kohë të vështira. Kjo nuk është hera e parë që tërmetet godasin vendet tona”, tha ai. “Kjo është një kohë për të lënë mënjanë përkohësisht mosmarrëveshjet tona dhe të përpiqemi të adresojmë atë që është një situatë shumë shumë urgjente. Imazhet që na mbushin me dhimbje pasohen nga imazhe që na mbushin me shpresë. Vetëm respekt për përpjekjet mbinjerëzore të ekipeve të shpëtimit. Grekët dhe turqit krah për krah, duke luftuar së bashku për të shpëtuar jetë. I falënderojmë për atë që bëjnë”.- tha ai.

Ora 19:00
VIDEO/ Forcat e Sigurisë së Kosovës priten me duartrokitje në Adana

Një video emocionuese vjen nga Turqia. Ky është momenti kur ekipi i kërkim shpëtimit nga Kosova duartrokitet nga vullnetarët, teksa janë duke u nisur për në zonat “e nxehta”. 

 

Ora 18:34
Rritet numri i viktimave nga tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë! 6256 persona të vdekur

1675755533_termeti.JPG

Numri i të vdekurve nga tërmeti që goditi Sirinë dhe Turqinë është rritur në 6256 persona. Burimet zyrtare turke kanë raportuar për 4544 viktima, ndërsa të vdekurit në Siri janë të paktën 1712.

Ora 18:14
Kishte kontrollin e ‘rebelëve’ opozitarë, qeveria siriane bombardon qytetin e prekur nga tërmeti

1675790056_64003faaed2925bed86d8ff71c8bddeeded4.jpg

Qeveria siriane bombardoi një zonë të vendit të kontrolluar nga opozita menjëherë pas tërmetit, transmeton SkyNews.

Lajmin e ka bërë të ditur qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përmes deputetes Alicia Kearns, e cila kryeson Komitetin e Punëve të Jashtme.

Sekretari i Jashtëm James Cleverly kritikoi regjimin e Asadit për “bombardimin plotësisht të papranueshëm”.

 “Zonja Kearns ka absolutisht të drejtë kur theksoi se ‘bombardimet e këtyre zonave menjëherë pas kësaj fatkeqësie natyrore janë plotësisht të papranueshme’”.

“Fatkeqësisht, kjo flet për një model sjelljeje të gjatë nga regjimi i Asadit, një regjim që ne e dënojmë, e kemi sanksionuar dhe do të vazhdojmë ta sanksionojmë, duke punuar me miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për të provuar dhe parandaluar shfaqjen e sjelljeve të tilla”, shtoi ai.

Pjesa më e madhe e Sirisë është shkatërruar nga vitet e luftës civile dhe kontrolli i kontestuar i territoreve pranë kufirit me Turqinë.

Ndërkohë nga tërmeti i ditës së djeshme rreth 1300 persona kanë humbur ejtën dhe janë plagosur mijëra të tjerë, ndërkohë që numri pritet të rritet në orët në vijim, pasi një pjesë e madhe e njerëzve ndodhen nën rrënoja.

Ora 17:23
Tërmeti në Turqi dhe Siri, Vjosa Osmani shpall të mërkurën ditë zie kombëtare në Kosovë: Dhimbja e popullit turk është edhe e jona

1675678742_f.JPG

Në solidarizim me mijëra jetë të humbura nga tërmeti shkatërrimtar në Turqi dhe Siri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shpallur të mërkurën ditë zie në Kosovë.

Në një postim në facebook, Osmani bën me dije se në shenjë respekti qytetar, 8 shkurti do të jetë Ditë Zie Shtetërore në Republikën e Kosovës.

“Më shumë se 5 mijë viktima janë konfirmuar të vdekur nga tërmeti në Turqi e Siri, ndërkaq mijëra të tjerë janë akoma nën rrënoja. Një tragjedi e përmasave shkatërrimtare që ka shkaktuar trishtim e dhimbje kudo në botë, përfshirë në Kosovë. Dhimbje pafund për viktimat e për ata që përjetuan tmerrin e humbën më të dashurit por edhe shpresë për ata që ende ndodhen nën rrënoja. Përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje. Dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona. Prandaj, bazuar në kompetencat kushtetuese e ligjore, në shenjë respekti shtetëror e qytetar, ditën e mërkurë, 8 shkurt 2023 e kam shpallur Ditë Zie Shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmeteve të datës 6 shkurt 2023 me epiqendër në Turqi, të cilët lanë mijëra të vdekur e të lënduar”-shkruan Osmani.

 

Ora 17:21
FOTOJA e dhimbshme/ Babai nuk i lëshon dorën 15-vjeçares që ka humbur jetën nën rrënoja

Një 15-vjeçare ka humbur jetën nën rrënojat që la pas tërmeti tragjik i të hënës në Turqi. Babai i vajzës e ka kapur nga dora dhe nuk e ka lëshuar edhe pse tashmë ajoi nuk jeton më.

1675786974_64001675786509xb1660.jpg

Ora 17:06
Erdogan si Rama: Hotelet në Antalia do të strehojnë të mbijetuarit nga tërmeti

1675786122_fsss.JPG

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se disa hotele në Antalia, do të strehojnë të mbijetuarit nga tërmeti.

“Duke filluar nga vendet afër zonës së fatkeqësisë, po bëhen planet e nevojshme për t’i vënë hotelet që tashmë kanë pezulluar aktivitetet e tyre për shkak të sezonit të dimrit, në shërbim të viktimave të fatkeqësisë. Vetëm në rajonin e Antalias janë përgatitur 50 mijë shtretër për këtë qëllim,” tha Erdogan në një fjalim të martën.

Kujtojmë që një praktikë si kjo është ndjekur edhe nga kryeministri Edi Rama gjatë tërmetit të 25 nëntorit.

Ora 16:31
Gjithçka që i kishte mbetur, momenti kur gruaja nxjerr nga rrënojat fotografitë, shpërthen në lot (VIDEO)

Një grua në Turqi ka shpërthyer në lot, ku nga shtëpia e rrënuar ka nxjerrë nga shtëpia e saj disa fotografi. Këto janë të vetmet që i kanë mbetur nga ajo lëkundje që mori mijëra jetë njerëzish të pafajshëm. 

 

Ora 16:23
UNESCO gati të ofrojë ndihmë pas dëmtimit të vendeve kulturore nga tërmeti i fuqishëm në Turqi e Siri

1675783451_GaziantepcastlecollapseDHAphoto1.jpg

UNESCO, ka njoftuar se është gati të ofrojë ndihmë pas dëmtimit të vendeve kulturore në Turqi dhe Siri për shkak të tërmetit të fuqishëm të së hënës me magnitudë 7.8 ballë.

Pas një studimi fillestar që u është bërë dëmeve, UNESCO ka thënë se është "veçanërisht e shqetësuar për situatën në qytetin antik të Aleppos, i cili është në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik".

Po ashtu UNESCO ka njoftuar edhe për dëme të konsiderueshme në kështjella.

"Kulla perëndimore e murit të vjetër të qytetit është shembur dhe disa ndërtesa janë dobësuar,"- ka njoftuar organizata.

Ora 16:00
VIDEOJA më prekëse nga tërmeti në Siri! Momenti që tregon se sa dhimbje mund te durojë një motër për vëllanë e saj

1675775047_FoWABLSaEAE4mKy.jpg

Ky moment do të jetë një nga ato që do t’i mbeten gjatë në memorie gjithsecili prej nesh e do jetë kryefjalë e tërmetit në Turqi e Siri. Ky moment është tregues se sa dhimbje mund të durojë një motër për vëllanë e saj.

 

Ora 15:47
Tërmetet në Turqi e Siri/ Sizmologu: Toka ka lëvizur 10 metra

Një tjetër çarje është aktivizuar në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë dhe ka qenë përgjegjës për tërmetin e dytë të fortë të regjistruar mëngjesin e djeshëm, përkatësisht ai me magnitudë 7.5 në orën 12:24 (11:24 në Itali). 

Sizmologu Alessandro Amato, i Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (Ingv) , tha për Ansa se tërmetika shkaktuar një zhvendosje të tokës deri në 10 metra.

“Toka rrëshqiti horizontalisht përgjatë dy skajeve të thyerjes, me orientim majtas, në drejtim të Egjeut. Në disa pjesë të thyerjes është llogaritur një zhvendosje e defektit deri në 10 metra”, tha Amato.

Ora 14:55
Ekipet e shpëtimit në aeroportin e Stambollit, të gjithë gati për të ndihmuar

 

Ekipet e shpëtimit nga e gjithë bota po mbërrijnë në aeroportin e Stambollit për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit në zonat jugore të Turqisë që janë prekur më së shumti nga tërmeti.

Në pamje shihen me mijëra njerëz që janë në radhë për të kaluar sportelin dhe për të nisur misionin e tyre të ndihmës. Kujtojmë se deri tani raportohen më shumë se 5 mijë viktima dhe pritet që numri të rritet, ku sipas OBSH mund të shkoje deri në 20 mijë viktima

Ora 14:24
‘Çfarë po ndodh’, momenti kur një fëmijë shpëtohet teksa flinte nën rrënoja

Në Turqi vijojnë kërkimet nën rrënoja për gjetjen e trupave të mbijetuar pas tërmetit që tronditi vendin një ditë më parë. Pas disa orësh kërkimet, nga rrënojat është nxjerrë i gjallë edhe një vogëlush, i cili u shpëtua nga ekipet e kërkimit, ndërsa ishte ende duke fjetur gjumë.

I mbijetuari i vogël i tërmetit, i cili pa ekipet e shpëtimit dhe dritat me sy të përgjumur, nuk mund ta fshehte habinë e tij, duke pyetur “Çfarë po ndodh?”.

Dhe ekipi iu përgjigj: “Asgjë nuk po ndodh. Ti je hero, biri im, mirëmëngjesi”, shkruajnë mediat turke.

Ora 13:50
BE do të dërgojë 1.000 anëtarë të 27 grupeve të kërkim-shpëtimit në Turqi

1000 do të jetë numri i grupit të anëtarëve të kërkim shpëtimit të nisura nga Bashkimi Evropian në drejtim të Turqisë. Ata do të jenë ndarë në 27 ekipe të kërkim-shpëtimit

 “Solidariteti i BE-së është në nivelin më të mirë”, shkroi komisionari evropian për Përballimin e Krizave, Janez Lenarçiç.

Njësitë janë nga 19 shtete evropiane, përfshirë edhe dy shtete që nuk janë pjesë e BE-së, Shqipëria dhe Mali i Zi. Në total, në Turqi do të dërgohen 1.150 shpëtimtarë dhe 70 qen.

Dislokimi i tyre është i koordinuar në bazë të Mekanizmit për Mbrojtje Civile të BE-së. Përmes këtij mekanizmi, shtetet mund të bëjnë kërkesë për asistencë emergjente nga BE-ja dhe shtetet që marrin pjesë në këtë mekanizëm.

Ora 13:26
Turqia shpall gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj pas tërmeteve

1675772826_0ad937e288b94bdeaaa8726a5ff183a5.jpg

Turqia do të jetë në gjendje të jashtëzakonshme për 3 muajt në vazhdim në dhjetë qytetet e prekura nga tërmetet: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakër dhe Kilisi.

Vendimi është marrë sot nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme vjen në kohën kur në Turqi dhe Siri po vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar personat që besohet se kanë mbetur nën rrënojat e mijëra ndërtesave të shkatërruara nga tërmetet e fuqishme që goditën këto dy shtete.

Mbi 5.000 persona raportohet se kanë vdekur, pasi një tërmet prej 7.8 ballësh goditi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit. Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Ora 13:07
Pamje me dron, zona të tëra të rrafshuara! Pallate të rrëzuara! Situata e rëndë pas tërmeteve në Turqi

Këto pamje tregojnë situatën një ditë pas tërmete të fuqishme goditën zonën lindore dhe jugore si dhe Turqi qendrore. Dëmet janë kolosale.

Shikohen zona të tëra të rrafshuara, ndërkohë që nën rrënoja ka ende mijëra njerëz që kanë nevojë për ndihmë.

Ora 12:54
Video që po bën xhiron e rrjetit, nxirret i gjallë pas 29 orësh nga rrënojat fëmija 2 muajsh

Një foshnjë vetëm 2 muajshe është nxjerrë nga rrënojat pas tërmetit të fuqishëm në Turqi. Foshnja është nxjerrë e gjallë pas 29 orësh.

Video ka bërë xhiron e rrjetit, ndërsa në pamje shihet ekipi i shpëtimit, që merr foshnjën dhe e fut në një ambulancë.

Ora 12:50
Tronditëse/ Një vajzë nën rrënoja me bebe në duar: Më ndihmoni, nuk mundem më!

Pamje dramatike vijnë nga zonat e dëmtuara nga tërmeti që goditi ditën e djeshme Turqinë dhe Sirinë duke shkaktuar mbi 5 mijë viktima dhe mbi 20 mijë të plagosur. Në pamjet e publikuara në rrjete sociale duket një vajzë e vogël që qan dhe kërkon ndihmë ", dëgjohet të thotë vajza në videon e publikuar.

 

Ora 12:14
Tërmeti i tmerrshëm në Turqi/ 12-vjeçari i mbijetoi rrëzimit të pallatit shumëkatësh

1675688846_termetiturqi780x4391.jpg

Coskun Karatasoglu, 12 vjeç dhe familja e tij ranë nga një lartësi nga një pallat  14-katësh në Adana. Ai është i shtrirë në krevatin e spitalit, pa familjen, por me shpresë dhe frikë për më të dashurit e tij. Vëllezërit dhe motra e tij kanë shpëtuar, por janë akoma në rrezik për jetën në dhomën e emergjencës. 

Shtëpia e tyre u rrëzua mbi një banesë tjetër ngjitur. “Unë rashë në një ballkon të katit të dytë të shtëpisë ngjitur dhe shpëtova nga rrënojat”.

Motra, Firdevi 16-vjeçar është lënduar rëndë nga disa pjesë metalike dhe nuk dihet nëse do ecë ndonjëherë. Edhe nëna Oeznur u shpëtua gjithashtu. Ajo u nxor nga rrënojat nga xhaxhai, Uemit Yuecel.

“Mbaj mend dritat që pulsonin, dyert hapeshin dhe mbylleshin. Nëna ime hapi derën që të shpëtonim. Më pas ramë dhe humba ndjenjat,” tregon nxënësi.

Gjatë natës duke u gdhirë e hëna ndodhi tërmeti i tmerrshëm në Turqi, i cili ka lënë të vdekur mbi 5 mijë persona e qindra të tjerë të plagosur e në gjendje kritike për jetën, mijëra shtëpi të shembura. Shifrat priten të rriten.

Ora 12:05
Karikatura e Charlie Hebdo krahason Turqinë me Ukrainën: S’keni nevojë të çoni tanke (Shkakton reagime në rrjet)

Një karikaturë e publikuar nga revista satirike franceze Charlie Hebdo me temën e tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë juglindore, duke shkaktuar mijëra viktima, ka shkaktuar polemika në internet.

Në një aludim për luftën në Ukrainë dhe mbështetjen ushtarake të Evropës për Kievin, revista publikoi një vizatim të ndërtesave të shembura dhe rrënojave të shoqëruar me titullin "Tërmet në Turqi" dhe nëntitullin "Nuk keni nevojë as të dërgoni tanke".

Karikatura ka shkaktuar shumë reagime, ku në pak minuta janë bërë mbi 5,000 komente në llogarinë e Charlie Hebdo në Twitter, që kritikojnë revistën duke e akuzuar atë se dëshiron të shkaktojë bujë për të rritur shitjet.

Ora 12:03
Rreth 20 xhihadistë sirianë arratisen nga burgu pas tërmetit

1675761024_siri.JPG

Të paktën 20 të burgosur në një burg sirian, që besohet se janë xhihadistë, janë arratisur pasi tërmeti dëmtoi burgun, ka thënë një burim për AFP.

Burgu në qytetin Rajo pranë kufirit turk mban rreth 2,000 të burgosur, me rreth 1,300 prej tyre të dyshuar si luftëtarë të IS-it, tha një zyrtar në burg. Ai mban gjithashtu luftëtarë nga forcat e udhëhequra nga kurdët.

Tërmeti i së hënës me magnitudë 7.9 - i cili u pasua nga dhjetëra pasgoditje në rajon - shkaktoi dëme duke përfshirë çarje të mureve dhe dyerve.

"Të burgosurit filluan të kryenin kryengritje dhe morën kontrollin e pjesëve të burgut. Rreth 20 të burgosur u larguan... të cilët besohet se janë militantë të Shtetit Islamik”.- u shpreh ai.

Ora 11:22
VIDEOLAJM/ Në momentin e tërmetit në Turqi, qielli ndriçohet nga vetëtimat

Disa video të postuara në rrjetet sociale dhe më pas të shpërndara nga qindra njerëz në mbarë botën tregojnë vetëtima në qiell gjatë tërmetit që goditi Turqinë qendrore. Mund të jetë vetëtima, pasi një stuhi kishte përfshirë Turqinë në momentin e tërmetit 7.9 ballë ose, siç raportojnë mediat lokale, ndriçimi në qiell mund të jetë pasojë e disa masave të shkaktuara nga termocentralet ose sistemet e tjera të teknologjisë së lartë të shpërndara përreth në territor.

Ora 10:27
Tërmeti tragjik në Turqi/ Gjendet pa shenja jete nën rrënojat çifti i volejbollistëve

 

1675756623_Screenshot3.jpgNjë lajm i hidhur ka tronditur botën e volejbollit, ku çifti Betul Çoban Çakir dhe Bedrettin Çakir kanë humbur jetën nga tërmeti i fuqishëm në Turqi. Ndërsa mijëra qytetarë tanë humbën jetën në shumë krahina, lajmi për vdekjen e tyre erdhi nga komuniteti sportiv. 

Turqia është goditur dje nga një tërmet i tmerrshëm nga i cili kanë vdekur për shumë se 4000 persona e janë plagosur qindra të tjerë.

 

Ora 10:08
Aleppo një ndër zonat më të goditura nga tërmeti në Siri

Qyteti i shkatërruar nga lufta në Siri, Aleppo, është një ndër zonat që kanë pësuar goditjen kryesore të një tërmeti vdekjeprurës, i cili gjithashtu shkatërroi një pjesë të Turqisë jugore.

Më shumë se 1,400 njerëz janë raportuar të vdekur deri më tani në Sirinë veriore pas tërmetit.

Ekipet e shpëtimit të emergjencës thanë se shumë ndërtesa u dëmtuan ose u shkatërruan dhe se njerëzit ishin të bllokuar nën rrënoja.

Rajoni është shtëpia e miliona refugjatëve të zhvendosur nga lufta civile.

Kontrolli i Sirisë veriore është i ndarë midis qeverisë, forcave të udhëhequra nga kurdët dhe grupeve të tjera rebele. Ata të gjithë janë të përfshirë në konflikt.

Edhe para tërmetit, situata në pjesën më të madhe të rajonit ishte kritike, me mot të ngrirë, infrastrukturë të shkatërruar dhe një shpërthim kolere që shkakton mjerim për shumë nga ata që jetojnë atje.

Sipas shifrave të veçanta nga qeveria siriane dhe grupi i shpëtimit të Helmetave të Bardha, i cili operon në zonat e kontrolluara nga rebelët, më shumë se 1,400 njerëz kanë vdekur në rajon deri më tani pas tërmetit.

Një video e publikuar në mediat sociale dhe e verifikuar nga BBC, tregonte një ndërtesë në Aleppo duke u shembur përtokë.

Tërmeti me magnitudë 7.9 goditi në orën 04:17 me orën lokale në një thellësi prej 17.9 km (11 milje) pranë qytetit turk të Gaziantep. Dymbëdhjetë orë më vonë, një tërmet i dytë, i cili ishte pothuajse po aq i madh, goditi 130 km (80 milje) në veri.

Disa banorë të Aleppos i thanë Reuters se nuk kanë ku të shkojnë, sepse shtëpitë e tyre janë shkatërruar dhe se kanë frikë nga tërmete të mëtejshme.

Ora 10:08
Stamboll/ Arrestohen katër persona, ngjallnin frikë në rrjete sociale! Publikonin pamje të tmerrshme nga tërmeti

1675706219_AFP338M84LkuVDU3400647229681YvE656x492CorriereWebSezioni.jpg

Policia e Turqisë tha se ditën e sotme janë arrestuar katën persona për postime që ngjallin frikë në rrjete sociale përsa i përket situatës tragjike të tërmetit në Turqi dhe Siri.

Ai shtoi se një hetim më i gjerë në llogaritë e mediave sociale ishte në vazhdim, por nuk ofroi informacion mbi përmbajtjen e postimeve.

Mediat sociale turke janë mbushur me postime nga njerëz që ankohen për mungesën e përpjekjeve të kërkim-shpëtimit në zonën e tyre, veçanërisht në Hatay.

Policia duket se ka adresuar pretendime të tilla të martën.

“Menjëherë konstatohet adresa dhe lokacioni i qytetarëve që kërkojnë ndihmë dhe vendoset koordinimi”, thanë ata.

 

Tërmeti goditi rajonin herët të hënën, duke vrarë më shumë se 4,800 njerëz në Turqi dhe Siri, duke plagosur mijëra të tjerë dhe duke dëmtuar shumë ndërtesa.

Ora 09:57
Pamje drithëruese nga tërmeti në Turqi dhe Siri, të mbijetuarit babë e bijë që nuk lëshuan duart gjatë lëkundjeve të fuqishme (Fotogaleri)

 

Këto janë pamjet drithëruese pas tërmetit të fuqishëm që goditi Turqinë dhe Sirinë e la mijëra njerëz nën rrënoja për shkak të lëkundjeve 7.9 ballë. Mes reshjeve të dendura të dëborës, qindra njerëz kërkonin për të afërmit të tyre mes rrënojave të ndihmuar edhe nga specialistët e kërkim-shpëtimit.

Me lot e britma, kishte edhe histori me fund të lumtur. Një rast është babai me vajzën e tij, të cilët i mbijetuan tërmetit dhe u trajtuan në spitalin Bab al-Hawa në Siri. 

 

 

 

Ora 09:28
Kryeministri i Pakistanit do të udhëtojë nesër në Turqi, dërgohen dy ekipe shpëtimi për të plagosurit nga tërmeti tragjik

Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif do të udhëtojë në Ankara të mërkurën për të ofruar mbështetjen e tij pas tërmetit shkatërrues. Kryeministri Shehbaz Sharif të martën kërkoi solidaritet përmes mbështetjes materiale  dhe në kohë për njerëzimin e vuajtur' pasi Turqia dhe Siria u goditën nga tërmetet shkatërruese që vranë mbi 4,000 njerëz.

Pakistani ka dërguar gjithashtu dy ekipe kërkim-shpëtimi në Turqi.

Në llogarinë e tij zyrtare në Tëitter, kryeministri deklaroi se "24 orë pasi tërmeti shkatërrues goditi Turqinë dhe Sirinë, skenat e vdekjes dhe shkatërrimit janë fiksuar në  mendjen time. Të thyhet zemra të shohësh shkallën e madhe të tragjedisë njerëzore që po shpaloset”, shtoi ai.

 

Ora 09:26
Tymi mbulon qiellin në Turqi, shpërthen në flakë porti i Iskenderunit i goditur nga tërmeti (FOTOT)

Një zjarr i madh ka shpërthyer që mbrëmë në portin e Iskenderun (Alexandretta), një qytet bregdetar në Turqinë juglindore dhe në afërsi të kufirit me Sirinë, i goditur nga tërmeti.

Kjo është bërë e ditur nga media të ndryshme vendase sipas të cilave zjarri mund të ketë ardhur për shkak të rënies së disa kontejnerëve në port nga tërmeti, por nde nuk është përcaktuar zyrtarisht arsyeja e zjarrit.

Ora 09:14
Tërmeti shkatërrues, në Turqi janë shembur mbi 5700 ndërtesa

1675757978_hataj.JPG

Mbi 5700 ndërtesa u shembën në Turqi nga tërmeti që goditi zonën kufitare me Sirinë. Kjo është bërë e ditur nga krerët e AFAD-it, Autoriteti i Menaxhimit të Emergjencave dhe Fatkeqësive të Ankarasë, në përditësimin e fundit.

Ndërkohë kushtet e motit e bëjnë situatën edhe më dramatike, duke vështirësuar operacionin e kërkim-shpëtimit pasi ka reshje të dendura bore, reshje shiu, erëra të forta dhe temperatura të ulëta në zonat e prekura.

Ora 08:34
VIDEO/ Tërmeti në kufirin Turqi-Siri, shkon mbi 4800 numri i viktimave dhe mbi 23 mijë persona të plagosur

Ka shkuar në mbi 4800 numri i viktimave nga tërmeti në mes kufirit të Turqisë dhe të Sirisë. Nga ana tjetër rreth 23 mijë persona kanë mbetur të plagosur.

Ora 08:29
Siri, opozita: Qindra familje janë nën rrënoja

Opozita siriane thotë se "qindra familje" janë ende të bllokuara nën rrënoja, siç raporton Guardian. Koha po mbaron për të shpëtuar qindra familje ende të bllokuara nën rrënojat e ndërtesave të shembura, tha kreu i shërbimit të mbrojtjes civile të drejtuar nga opozita siriane. 

Sipas AP, OKB beson se në Siri, të paktën 224 ndërtesa në veriperëndim të vendit u shkatërruan dhe të paktën 325 u dëmtuan, duke përfshirë magazinat e ndihmave në enklavën që pret miliona njerëz të zhvendosur, shumica e të cilëve jetojnë tashmë në shtëpi gjysmë të shkatërruara.

Ora 08:21
Studenti rrëfen tmerrin nga tërmeti në Turqi: Ndërtesat po dridheshin sikur të ishin pushtuar nga shpirtrat e këqinj! Disa njerëz janë pa këpucë

1675754657_wee.JPG

Awale Ahmed Darfa, një student nga Somalia që ndodhej në Gaziantep kur u godit nga tërmeti i fuqishëm 7.9 ballë ka rrëfyer tmerrin që përjetoi.

“Një tërmet i madh goditi ndërsa ne ishim në gjumë ... Situata u kthye në kritike shumë shpejt. Dëgjuam britma, të qara dhe njerëz që vraponin. Ndërtesat po dridheshin sikur të ishin pushtuar nga xhinët [shpirtrat e këqij]. Të gjithë vrapuan kudo që mendonin se do të ishin të sigurt.

Tani jemi jashtë pasi kemi lënë shtëpitë tona rreth orës 4 të mëngjesit. Ka një problem të të qenit jashtë, bie shi, ftohtë, erë dhe nuk kemi veshur veshje mbrojtëse. Jashtë, të gjithë janë të veshur me atë që kishin veshur ndërsa ishin në gjumë. Disa njerëz nuk kanë këpucë. Ata na thanë se nuk mund të ktheheshim në ndërtesa për shkak të frikës të pasgoditjeve. Kjo është fatkeqësia këtu”, tha Awale Ahmed Darfa.

Ora 07:51
Siri, pamjet e shpëtimit të një fëmije në Aleppo nga rrënojat! I kishte mbetur vetëm një këmbë jashtë (VIDEO)

Ishte vetëm një këmbë jashtë rrënojave. Kështu u gjet një fëmijë i identifikuar si Ahmed nën rrënojat e shtëpisë së tij në fshatin Qatma në veri të Alepos, Siri. Forcat e kërkim shpëtimit shkuan menjëherë atje dhe arritën ta shpëtonin.

Ora 07:47
Tërmeti tragjik, mbi 7,800 njerëz janë shpëtuar nga rrënojat në Turqi

Më shumë se 7,800 njerëz janë shpëtuar deri më tani në Turqi në 10 provincat e goditura nga tërmeti. Këtë e ka bërë të ditur Orhan Tatar, zyrtar i Autoritetit të Menaxhimit të Emergjencave

Ora 07:42
Tërmeti tragjik, e gjithë bota solidarizohet me Turqinë e Sirinë! Ja vendet që deri më tani kanë ofruar ndihmë

Disa kanë mbërritur, të tjerë po udhëtojnë ose po përgatiten të shkojnë. Këto janë ekipet e shpëtimit, zjarrfikësit, mjekët, inxhinierët dhe pajisjet e specializuara që dhjetëra vende nga e gjithë bota i kanë vënë në dispozicion Turqisë dhe Sirisë për të përballuar pasojat dramatike të tërmetit. Njoftimi i fundit vjen nga presidenti i Koresë së Jugut, Yoon, i cili ka urdhëruar largimin e ekipeve të shpëtimit dhe pajisjeve mjekësore emergjente drejt Turqisë dhe Sirisë.

Më poshtë është një listë e parë e ndihmës:

- Bashkimi Evropian ka mobilizuar ekipet e kërkim-shpëtimit për të ndihmuar Turqinë, ndërsa sistemi satelitor Copernicus është aktivizuar për të ofruar shërbime të hartës emergjente. Të paktën 13 shtete anëtare kanë ofruar ndihmë, ndërsa BE thotë se është e gatshme t'i ofrojë ndihmë Sirisë përmes programeve të saj të ndihmës humanitare.

- Shtetet e Bashkuara po koordinojnë ndihmën e menjëhershme të aleatit turk në NATO, dërguan ekipe kërkim-shpëtimi me qen shpëtimi, zjarrfikës, inxhinierë, ndërsa organizatat humanitare të mbështetura nga SHBA po i përgjigjen emergjencës në Siri.

 - Ekipet e shpëtimit po mbërrijnë në Siri nga Rusia. Në zonat ku Moska ka një prani ushtarake, 10 njësi janë tashmë aktive për rreth 300 njerëz që punojnë mes rrënojave në kërkim të të mbijetuarve. Rusët kanë ngritur gjithashtu pika shpërndarjeje dhe ndihmë humanitare. Rusia i ka ofruar ndihmën e saj edhe Turqisë, e cila ka pranuar.

- Duke lënë mënjanë rivalitetet dhe tensionet, ushtria izraelite po dërgon ekipe kërkim-shpëtimi në Turqi, rreth 150 persona duke përfshirë inxhinierë, personel mjekësor dhe të specializuar të llojeve të ndryshme. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai pranoi kërkesën e Sirisë për ndihmë, të pranuar përmes kanaleve zyrtare diplomatike (të dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike).

-Ndihma iraniane mbërriti të hënën dhe ndihma irakiane u dorëzua herët në mëngjes të martën me orën lokale. Ministria e Jashtme e Irakut tha se çdo aeroplan mbante rreth 70 tonë ushqime, pajisje mjekësore, batanije dhe furnizime të nevojshme.

- Rivali rajonal i Turqisë për një kohë të gjatë, Greqia, po dërgon një ekip prej 21 personash, dy qen shpëtimi dhe një automjet të veçantë kërkim-shpëtimi.

-Shqipëria ka dërguar gjithashtu një ekip prej 53 anëtarë personeli mjekësor dhe specialistë të grupeve të kërkim-shpëtimit dhe 7 mjete janë nisur drejt Turqisë për t'u ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti tragjik që ka shkaktuar me mijëra viktima.

-Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për të dërguar një grup ushtarësh të Forcave Speciale të Kosovës në Turqi për të ndihmuar pas tërmetit shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë.

- Gjermania, përmes Ministrisë së Jashtme, po koordinon ndihmën me partnerët evropianë dhe po përgatitet të dërgojë gjeneratorë, tenda, batanije dhe pajisje për trajtimin e ujit. Berlini i ka ofruar gjithashtu Ankarasë ndihmë nga ekipet e saj të mbrojtjes civile. Organizata ndërkombëtare Search and Rescue Germany po ngre një mision të përbërë nga mjekë dhe ekipe shpëtimi.

- 76 specialistë të kërkim-shpëtimit po mbërrijnë në Turqi nga Mbretëria e Bashkuar, së bashku me personelin mjekësor të urgjencës. Mbretëria e Bashkuar është në kontakt me Kombet e Bashkuara për ndihmë për Sirinë.

Ndër vendet që marrin pjesë në operacionin madhor në mbështetje të Turqisë dhe Sirisë janë edhe Libani, Jordania, Egjipti, Zvicra, Republika Çeke, Japonia, Meksika, Austria, Spanja, Franca, Polonia, Rumania, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Moldavia. Dhe Italia: Mbrojtja Civile ka dërguar ekipe zjarrfikëse, ndërsa aviacioni ushtarak parashikon transportin e personelit mjekësor dhe pajisjeve në zonat e prekura nga ndërhyrja.

Ora 07:31
Nuk gjen qetësi Turqia, një tjetër tërmet 5.6 ballë regjistrohet orët e para të mëngjesit

Një tërmet i ri i fuqishëm goditi Turqinë qendrore orët e para të mëngjesit. Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së thotë se një lëkundje me magnitudë 5.6 ishte në një thellësi prej 10 km (6 milje) pranë qytetit të Golbasit.

Ndërkohë, Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC) me seli në Francë e vlerësoi fuqinë e tërmetit pranë Golbasit në 5.6, duke shtuar se ishte në një thellësi prej 2 km.

Të dyja agjencitë thanë se tërmeti ndodhi në orën 03:13 GMT të martën. Ata nuk dhanë detaje të mëtejshme.

Ora 07:23
Tërmeti tragjik në Turqi/ Ministri i Jashtëm ukrainas: Do dërgojmë dhjetëra shpëtimtarë

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba ka njoftuar se Ukraina mund të dërgojë disa dhjetëra punëtorë shpëtimi në Turqi për të ndihmuar në pastrimin e rrënojave pas tërmetit.

"Ne kurrë nuk bëjmë asgjë që dëmton interesat e Ukrainës. Prandaj, falë disa dhjetëra shpëtimtarëve ukrainas, ne do të jemi në gjendje të ndihmojmë Turqinë, fqinjin tonë, mikun tonë, pa dëmtuar aftësitë e shërbimeve të shpëtimit në Ukrainë," tha Kuleba.

Ora 07:17
Tërmeti tragjik në Turqi, Australia do të japë 10 milionë dollarë ndihmë

Kryeministri australian Anthony Albanese tha të martën se qeveria e tij do të sigurojë një ndihmë "fillestare" prej 10 milionë dollarë australianë (6.94 milion dollarë; 5.76 milion £) për të mbështetur Turqinë dhe Sirinë që u prekën nga tërmeti fatal.

"Ndihma e Australisë do të synojë ata që kanë nevojë më të madhe," tha ai, duke shprehur ngushëllimet e tij për të prekurit.

Kryeministri i Zelandës së Re, Chris Hipkins, i cili po viziton Australinë, gjithashtu njoftoi se qeveria e tij do të mbledhë 1.5 milionë dollarë të Zelandës së Re (0.94 milion dollarë; 0.79 milion £) në ndihmë.

Ora 07:10
Tërmeti tragjik në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë, OBSH: Numri i viktimave mund të rritet në mbi 20 mijë

Numri i viktimave nga tërmeti tragjik në kufirin mes Turisë dhe Sirisë mund të rritet në më shumë se 20 mijë, tha për AFP Catherine Smallwood, menaxherja e urgjencës e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën.

“Gjithmonë ekziston mundësia për më shumë shembje, kështu që ne shpesh shohim që shifrat fillestare të tetëfishohen”, tha ai, duke shtuar se “për fat të keq, me tërmetet ndodh gjithmonë e njëjta gjë: raportet fillestare të numrit të njerëzve që kanë vdekur apo plagosur rriten ndjeshëm në javën në vijim”.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • olta: 07/02/2023 19:11

    TURQIT DUHET TE NDERTOJNE ME CILESI ,,,QE NDERTESAT TE PERBALLOJNE DERI NE 10 BALLE TERMETE,,,,NGUSHELLIME FAMILJEVE,,,ESHTE NJE TERMET I TMERRSHEM,,,,QEVERIA E PALACOS EDI RAMA TE JAPE NDIHME 100 MILION EURO,,,,...PO KY MASKARA I DO LEKET TI VJEDHE E TIA JAPE DASHNOREVE SI KJO KLOSI,,,JO TE NDIHMOJE POPULLIN TURK,,,,QE NA KA NDIHMUAR PERHERE.....

    Përgjigju
    • Johnny: 08/02/2023 00:44

      Normalisht na vjen keq per Jetet e humbura por askush sqau per ne nga turqit per 500 vjet . Vetem vrasje dhe shkaterrim sollen . Keshtu qe me qete dhe pa lot .

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?