Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kritikuar ashpër qëndrimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili vendosi që shqiptarët që hyjnë në Kosovë të karantinohen për 7 ditë, deri në daljen e rezultatit të tamponit. Thaçi kërkon që edhe kjo pengesë të hiqet për qytetarët e Shqipërisë, ndërsa vendosjen e taksës (e cila tani është pezulluar) e quan absurditet.
Sipas Thaçit, Albin Kurti hapi kufijtë me Serbinë pa asnjë procedurë, ndërsa e mbyll Kosovën nga Shqipëria.
"Albin Kurti derisa ka hapur krahë më krah kufirin me Serbinë, për të hyrë kushdo, pa asnjë procedurë si në bahçe të babës, ai nga zyra e uzurpuar sot ka urdhëruar dhe keqpërdorur Policinë e Kosovës. Ai padrejtësisht dhe kundërligjshëm sot ka urdhëruar policinë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përpos vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19. Po ashtu, me veprime shtesë, ai ka urdhëruar që automjetet transportuese që hyjnë nga territori i Shqipërisë në emër të dezinfektimit të ngarkohen me taksë të veçantë, duke rënduar edhe më shumë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e mallrave. Ky është absurditet! Hapet me Serbinë dhe e mbyll Kosovën nga Shqipëria. I heq taksën Serbisë dhe ia vë Shqipërisë. Ky është predikuesi i bashkimit kombëtar! Në fakt, këto veprime janë shqelmat e fundit të Kurtit nga zyra e uzurpuar!", shkruan Thaçi në Facebook.
Lajmi kryesor:
Tërhiqet Kosova, heq taksën 22 € në doganë për dezinfektimin e kamionëve! Kusht për qytetarët tamponi ose karantina
B.K./ReportTv.al