Të apeluar nga ONM-së Zaganjori, Malaj, Medja dhe Osmani

Thellohet përplasja, ONM kundër KPK për shpëtimin e 5 gjyqtarëve dhe 1 prokurori

10 Gusht 2018, 10:38| Përditesimi: 10 Gusht 2018, 15:33

  • Share

Thellohet përplasja mes Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që mbikëqyr procesin e Vetingut dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në harkun kohor të tre ditëve, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit është shprehur kundër katër vendime të KPK, për konfirmimin në detyrë të katër gjyqtarëve dhe një prokurori.

Pas kontestimit të vendimit për të konfirmuar në detyrë gjyqtarin Artur Malaj, gjyqtarin e kushtetueses Bashkim Dedja dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjorin, ONM konteston edhe vendimet e KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Gentian Medjas dhe prokurorit Gentian Osmanit.

Të apeluarit e ONM-së

Ndryshe nga trupat gjykuese të KPK, përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilët kanë tagër ligjor për të bërë hetime paralele, të pavarura dhe të theluara për gjyqtarët dhe prokurorë, të katër këto subjekte duhet të shkarkohen nga detyra.

Komisioni i Vetingut, pavarësisht disa konstatimeve serioze gjatë hetimit të thelluar, ka vendosur që të konfirmojë në detyrë të katër subjektet. Për asnjërin prej tyre nuk është zbardhur ende vendimi i arsyetuar. Gjithsesi, kundërmimi i ONM tregon për një përplasje të fortë mes anëtarëve dhe Vetingut dhe përfaqësuesve ndërkombëtar gjatë diskutimeve për vendimmarrjen për secilin gjyqtarë dhe prokurorët. Gjithsesi, fjalën e fundit për tre gjyqtarët dhe prokurorët do ta thotë Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili ose konfirmon ose hedh poshtë vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Ankesa për Gentian Medjan

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka njoftuar dje se i ka kërkuar dje Komisionerit Publik që të ankimojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Gentian Medja. “Në datë 1.8.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Medja, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën Administrative, Shkalla e Parë, Tiranë, dhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sot, më datë 9.8.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Gentian Medja.

Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Bazuar në pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publikë. Ky vendim ende nuk është njoftuar”, thuhet në njoftim.

Ankesa për Gentian Osmanin

Po gjatë ditës së djeshme, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka njoftuar se i ka kërkuar dje Komisionerit Publik që të ankimojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit Gentian Osmani.

Në datë 2.8.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Osmani, magjistrat/prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, kandidat për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Sot, më datë 9.8.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Gentian Osmani. Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Bazuar në pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publikë. Ky vendim ende nuk është njoftuar.

Thuhet në njoftimin e ONM

Ora 10:47
Gjyqtarët që ndanë Vetingun, emrat që votuan ndryshe

Katër gjyqtarë të nivelit të lartë kanë përçarë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, organin bazë të Vetingut, sa i takon vendimmarrjes për shkarkimin apo konfirmimin e tyre në detyrë.

Anëtarët e trupave gjykuese të Vetingut kanë ndarë qëndrimet të kundërta sa i takon shkarkimit të anëtares së Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj, shkarkimit nga detyra të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha, shkarkimit të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Artan Broci si dhe konfirmimit në detyrë të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Trupa gjykuese e përbërë nga Entela Çiftja, Genta Tafa dhe Brunilda Bekteshi vendosi të shkarkonte nga detyra anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, me argumentin se nuk justifikon me burime të ligjshme blerjen e disa pasurive të paluajtshme. Por, ndryshe nga Entela Çiftja dhe Brunilda Bekteshi, Genta Tafa ka votuar kundër shkarkimit të zonjës Xhoxhaj. Tafa ka arsyetuar se pasaktësitë në pasurinë e Altina Xhoxhajt nuk janë të mjaftueshme për ta shkarkuar nga detyra.

Subjekti i rivlerësimit ka arritur nivel të besueshëm në kontrollin e figurës dhe për këtë fakt nuk ka pretendime as nga shumica. Subjekti i rivlerësimit arrin nivelin e duhur të vlerësimit të aftësive profesionale dhe kjo provohet jo vetëm me angazhimin e saj profesional, si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese apo si lektore në Shkollën e Magjistraturës, por edhe nga aktiviteti shkencor i saj.

Genta Tafa 

Gjithsesi, Altina Xhoxhaj u shkarkua me shumicë votash nga KPK, ndërsa fati përfundimtar i saj në raport me drejtësinë do të vendoset nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Kolegji i Apelimit do të vendosë në mënyrë përfundimtare nëse katër gjyqtarët do të qëndrojnë apo largohen për 15 vite nga drejtësia. Vendimet e Kolegjit do të nxjerrin në pah nëse mendimi i pakicës është apo jo i drejtë.

Përplasja për Fatmir Hoxhën

Trupa gjykuese e përbërë nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari dhe Alma Faskaj, vendosi të shkarkonte nga detyra anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha, për deklarim të pasaktë dhe burim jo të ligjshëm të pasurisë. Valbona Sanxhaktari ka votuar kundër shkarkimit të gjyqtarit Hoxha. Në vendimin e shkarkimit, Sanxhaktari arsyeton se Hoxha duhej të konfirmohej në detyrë, pasi ka rritur një nivel të besueshëm.

Për këtë arsye, në pajtim me parimin e proporcionalitetit dhe parimin e gjykimit të drejtë, kam mendimin se duhet të zbatohej neni 59, pika “1” e ligjit nr. 84/2016, duke u vlerësuar në tërësi të gjithë përbërësit e vlerësimit për subjektin Z. Fatmir Hoxha. Në këto rrethana, duke pasur parasysh faktin se nga provat e shqyrtuara dhe nga deklarimet e bëra në seancën dëgjimore, krijoj bindjen se subjekti i rivlerësimit, Z. Fatmir Hoxha, ka krijuar një nivel të besueshëm për vlerësimin e pasurisë, ka krijuar një nivel të besueshëm për vlerësimin e figurës, si dhe ka krijuar një nivel të mjaftueshëm profesional, prandaj në vlerësim të të gjithë përbërësve të vlerësimit, krijoj bindjen se shumica nuk duhet të kishte disponuar shkarkimin nga detyra të këtij subjekti, por konfirmimin e tij në detyrë.

Valbona  Sanxhaktari

Përplasja për Artan Brocin

Trupa gjykuese e kryesuar nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Etleda Çiftja anëtare, vendosi të shkarkonte nga detyra anëtarin e Gjykatës së Lartë, Artan Brocin, me argumentin se gjyqtari kishte mospërputhje në deklarimin e pasurisë dhe se kishte favorizuar një firmë ndërtimi, e cila më pas dyshohet se i dha material ndërtimi në Shkodër. Shkarkimi i Brocit është mundësuar me dy vota, pasi njëra nga anëtaret e trupës gjykuese ka votuar pro konfirmimit të gjyqtarit në detyrë.

Argumentet e saj do të reflektohen në vendimin e arsyetuar, i cili nuk është zbardhur ende nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Artan Broci reagoi ashpër pas vendimit të KPK që e shkarkoi atë nga detyra për shkak të pasurisë. Broci e quajti KPK-në nën varësinë e Edi Ramës. Sipas tij, vendimi për shkarkimin është marrë me urdhër politik. Ai paralajmëron ankimimin e vendimit në KPA.

K. P. K si komisarët politikë të kryeministrit nuk dolën dot nga urdhrat politikë. U provova se të ardhurat e mija janë të ligjshme, të konfirmuara nga tatimet. Kalova në pikëpamjen time të tre testet pasuror, profesional dhe figurën por nuk kalova dot testin e nënshtrimit për çështje të caktuara dhe atë të Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Beteja ime ligjore do vazhdojë deri në fund.

Artan Broci

Përplasja për Bashkim Deden

Trupa gjykuese e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Xhensila Pine vendosi të konfirmonte në detyrë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Deden, pavarësisht disa problemeve me pasurinë. Ndryshe nga Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia, relatorja e çështjes Xhensila Pine ka dalë në konkluzionin se Bashkim Dedja duhej të shkarkohej nga detyra me pretendimin se nuk provon me dokumentacion një pjesë të pasurisë.

“Nuk ka provuar me dokumentacion ligjor provues burimin e ligjshëm të huas së marrë nga vëllai i tij, z. M. D., në vlerën 15.000 euro, për pasurinë apartament me sipërfaqe 146.14 m² dhe garazh me sipërfaqe 15.25 m², me vlerë 180.000 euro, të ndodhur në Tiranë, P. Ka kryer deklarim të rremë në Deklaratën -Vetting, në lidhje me burimin e ligjshëm të të ardhurave të deklaruara, për apartament banimi me sipërfaqe 98 m², me vlerë 19.600 USD (ose 1.812.020 lekë), në Njësinë Administrative Nr. 5, pasi nuk ka deklaruar si burim të ardhurat nga vëllai i tij, z. M. D. Ka mosdeklarim të vlerës së apartamentit të rivlerësuar në kundërshtim me pikën 1, germa “e”, të urdhrit nr. 475, datë 11.05.2017, të Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKPKI-së.

Xhensila Pine

Për këto arsye, Pine thotë se Dedja nuk duhet të ishte konfirmuar në detyrë, por duhet të shkarkohet nga detyra. I të njëjtit mendim ka qenë edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili i kërkoi Komisionerit Publik që të të kërkojë rrëzimin e vendimit të KPK për konfirmimin në detyrë të Bashkim Dedes, duke e ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?