Kronikë

Theu arrestin dhe dogji kullotat në Konispol, arrestohet piromani, nën hetim ndihmësi! Nën akuzë dhe i mituri për vatrën në Dukat (EMRAT+VIDEO)

29 Korrik, 13:28| Përditesimi: 29 Korrik, 15:13

  • Share

Vlorë- Dy persona të dyshuar si piromanë, njëri prej të cilëve me masë arresti shtëpiak për vjedhje që e ka thyer pikërisht për t’i vënë zjarrin kullotave në fshatin Janjar dhe tjetri bashkëpunëtor, janë marrë nën akuzë nga Policia e Sarandës, kurse ajo e Vlorës procedoi një 15-vjeçar që ndezi zjarr në fshatin Dukat.

Burime zyrtare thanë sot se u identifikuan autorët e dyshuar të dy rasteve të zjarrvënies, në Konispol dhe Dukat, ku një 25-vjeçar u arrestua dhe një 51-vjeçar u mor nën hetim si bashkëpunëtor, ndërsa për rastin e dytë po hetohet një i mitur.

I arrestuari është Romeo Lame, që akuzohet për djegien e 8 hektarëve me bimësi në Konispol, kurse nën procedim është Sulejman Ismaili, që e ka ndihmuar.

“Strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore për dokumentimin e rasteve të zjarrvënieve në territor, bënë të mundur identifikimin e dy shtetasve të dyshuar për zjarrvënie në Konispol. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi R. L., 25 vjeç, banues në fshatin Shalës, Konispol, dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. I., 51 vjeç, banues në fshatin Janjar, Konispol”, bëri me dije policia vendore. 

Burime zyrtare sqaruan edhe dinamikën, ku tha se Lame më datë 27 korrik është larguar nga banesa duke thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për veprën penale “vjedhja”, dhe rreth orës 23:30, në bashkëpunim me Ismailin, ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullote, në fshatin Janjar. Si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur rreth 8 hektarë me barishte dhe shkurre.    

Ndërsa në Dukat është proceduar penalisht edhe një 15-vjeçar, i dyshuar për zjarrvënie në një sipërfaqe toke me bimësi në fshat.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Orikum është bërë identifikimi i autorit të një rasti tjetër të zjarrvënies, në fshatin Dukat. Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një shtetas 15 vjeç, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Fëngu i Bozhanajve”, në fshatin Dukat, dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe bimësi të ndryshme”, bëri me dije policia vendore.

Materialet procedurale për t ëdy rastet i kaluan prokurorive përkatëse. Autoritetet apeluan edhe ndaj qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të denoncojnë çdo rast.

“Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë qytetarët që të mos ndezin zjarre për asnjë arsye, pasi do të përballen me ligjin dhe fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm”, mbyllet njoftimi zyrtar.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Më i votuari i listës së hapur, a mendoni se mandati i takon Adriatik Lapajt?