VLORË - Policia ka arrestuar një 28-vjeçar pasi gjatë një konflikti për motive ende të panjohura me një 34-vjeçar ka plagosur me thikë këtë të fundit dhe i ka dëmtuar mjetin.
Blutë njoftojnë se 28-vjeçar i identifikuar si Kejvi Bendaj pikësëpari ka thyer masën e sigurisë 'arrest në shtëpi' të caktuar ndaj tij nga gjykata.
Gjithashtu është vënë nën hetim edhe 34-vjeçari, pasi dyshohet se kanosi me armë gjahu 28-vjeçarin dhe i dëmtoi autimjetin.
Njoftimi i policisë:
Menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt të ndodhur në fshatin Panaja, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë ndërhynë në kohë dhe parandaluan përshkallëzimin e tij, që mund të kishte sjellë pasoja të rënda.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi K. B., 28 vjeç, banues në Panaja, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. B (H)., 34 vjeç.
Shtetasi K. B. dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me thikë shtetasin B. B. dhe i ka dëmtuar automjetin atij. Më pas, shtetasi B. B ka shkuar te banesa e shtetasit K. B., i ka dëmtuar automjetin dhe e ka kanosur atë, me një armë gjahu të cilën e posedonte pa leje.
Shtetasi B. B. mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Komente
