Tirana luan me Teutën në gjysmëfinale për Kupën e Shqipërisë. Shorti i hedhur sot nga FSHF-ja, vendosi përballë dy skuadrat. Dueli i parë luhet në 26 prill me Tiranën pritëse, teksa në 11 maj ndeshja e kthimit në "Niko Dovana". Pas shortit, për mediet foli drejtori sportiv i Tiranës, Tefik Osmani. Sipas tij, Tirana e ka të fituar kampionatin dhe kërkon edhe Kupën.
"Të them të drejtën të tre skuadrat ishin të forta. Është ndeshje shumë e rëndësishme, sepse të dyja ndeshjet të çojnë në finale. Ka një tjetër specifikë Kupa, që e arrin shumë shpejt një trofe. Nuk është si kampionati që janë shumë ndeshje. Do ta vlerësojmë në maksimum dhe besoj se do të dalim me sukses. Të them të drejtën, si stafi dhe unë mendojmë se titullin kampion e kemi të fituar. Besoj se do të ishte e bukur që të fitonim edhe Kupën. Mendoj që Tirana qëkur është krijuar gjithmonë e ka pasur bindjen e saj që titulli kampion edhe Kupa duhen fituar", tha korçari.
Më pas Osmani u ndal edhe te dëmtimet, teksa tregoi arsyen se përse skuadra nuk luan në "Air Albania", por është zhvendosur në kryeqytet.
"Pak a shumë e dini dëmtimin e Patrick. Besoj që Abazajn ta kemi gati. Gjithmonë ne jemi bazuar te elementët e rinj që ne besojmë shumë që kanë një të ardhur shumë të ndritur përpara, jo vetëm te Tirana, por edhe jashtë kufijve. Është marrë një vendim që stadiumi “Air Albania” do të jetë i mbyllur për shkak të problemeve që ndodhën në derbi. Normalisht që ne kemi luajtur dhe ndeshje të tjera në Elbasan. Vërtet fusha është fantastike. Ambienti pothuajse është njësoj. Nuk besoj se do të ketë problem", përfundoi Osmani.
Lajmi kryesor:
Hidhet shorti i Kupës së Shqipërisë, mësohen sfidat gjysmëfinale! Përballje të forta në fushë
S.Dh/ReportTv.al