TIRANË - Superliga shqiptare e futbollit luan të shtunën (19 prill) raundin e 35-të, ose të parafundit për këtë sezon të rregullt. Në "Arenën Kombëtare" duke nisur nga ora 15:30 luhet Tirana - Teuta, me dy skuadrat që janë në "vallen" e mbijetesës.
Përpara ndeshjes për mediet foli trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi. Korçari tha se do donte të kishte të gatshëm gjithë ekipin, duke "qarë" mungesat, që së fundmi iu shtua edhe sulmuesi Emanuel Ernest. Këtë sezon Tirana nuk ka asnjë fitore kundër Teutës, por sipas trajnerit ka gjithmonë një herë të parë. Shkëmbi ceku edhe të ardhmen.
“Sfidë e vështirë, moment i vështirë, për fat të keq vazhdojmë në të njëjtën situatë, kemi shumë shpresë që para ndeshjeve të jemi më të qetë, por vazhdon njësoj edhe në javën e parafundit.
Problemet - Kemi mungesa, por jemi në një moment që nuk qajmë mungesat, por duhet të bëjmë maksimumin me lojtarët që kemi në dispozicion. Patjetër që në situatën që jemi përveç situatës fizike, e rëndësishme është dhe ana psikologjike. Flasim çdo ditë me të gjithë lojtarët dhe shpresoj të jenë të gatshëm të paktën nga ana psikologjike për të përballur këtë ndeshje.
Unë e thashë dhe para një javë, që kemi krijuar një mënyrë loje, por jam i kënaqur me atë që bëri skuadra me Skënderbeun dhe jam i bindur që lojtarët që do të aktivizohen do të bëjnë maksimumin edhe kundër Teutës.
Vendosja në fushë - Në këtë moment të mos kishim mungesa do të ishte diçka ideale, por mendoj që e rëndësishme është ana psikologjike, ajo që po flisnim deri tani, shpresoj shumë që lojtarët të mos ta ndjejnë më shumë se sa duhet këtë ndeshje.
Këtë sezon asnjë fitore kundër Teutës - Gjithmonë ka një herë të parë dhe shpresoj ta mundim tani Teutën.
E ardhmja? Sinqerisht unë në asnjë moment se kam menduar nëse do të jem apo jo tek Tirana, qëkur jam rikthyer kam menduar vetëm një objektiv dhe dua që me skuadrën ta arrijmë, është e parëndësishme se çfarë do të bëjmë, për mua dhe klubin është e rëndësishme të heqim këtë siklet që kemi”, deklaroi Shkëmbi.
Dy javë para fundit të sezonit, Teuta me 38 pikë mban vendin e gjashtë, ndërsa Tirana me 36 pikë mban pozitën e tetë.
Komente
