TIRANË - Kryeministri Edi Rama ishte sot në Sauk të Tiranës, për të ndjekur nga afër punimet në kantierin e ndërtimit të kompleksit të godinave qeveritare ku do të akomodohen me zyra disa agjensi që operojnë në fushën e informacionit dhe sigurisë kibernetike.
Në këtë kompleks do të akomodohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike(ACESK) si dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF).
Gjatë inspektimit Rama vlerësoi standardin e këtij investimi që po kryhet, për shkak edhe të aktivitetit të sigurisë që do ushtrohet aty.
‘Kompania është shalqi me provë. E rëndësishme për ne kjo godinë. Është një godinë e standardit të sigurisë së lartë për vetë aktivitetin që kryhet, qoftë nga Agjencia e Mbrojtjes Kibernetike që ka marrë një rëndësi të veçantë dhe ka bërë përparim të konsiderueshëm dhe është pajisur me teknologji të fjalës së fundit që na vë në vendet e lartë të sofistikimit për mbrojtjen, qoftë për inteligjencën financiare që ka një punë të ndjeshme, një agjenci kyç qoftë për sa i përket daljes së Shqipërisë nga lista gri, qoftë si përpjekje për të luftuar evazionin dhe paratë që vijnë nga veprimtaritë kriminale, godinë me rëndësi’, tha kryeministri.
Projekti është ideuar si një hapësirë multidimensionale ku krahas zyrave do të ketë edhe ambiente të dedikuara për parkim, salla takimesh, mbledhjesh, apo ambiente të tjera ndihmëse për administratën që do të punojë aty.
‘Ka pozicion shumë të favorshëm. E shkëputur sa i përket trafikut por edhe si fazë e parë për të ndërtuar standarde të reja për akademinë e sigurisë. Tanimë me e mbyllur’, u shpreh Rama.